Për të shmangur kaosin dhe rrëmujën që bëhet nga të afërmit, drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka nxjerrë një urdhër të ri ku sqarohet se të drejtën e hyrjes në shërbimin e urgjencës do ta ketë vetëm një nga të afërmit e pacientit, ndërsa të tjerët që e shoqërojnë do të duhet të presin në ambientet e përcaktuara për vizitorët. Kjo me qëllim për të shmangur rrëmujën dhe problemet që mund të shfaqen me higjienën si pasojë e lëvizjeve të shumta të familjarëve. Ky urdhër ka nisur tashmë të zbatohet në urgjencën tek Spitali i Sëmundjeve të Brendshme (6-katshi), e cila i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë. Drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se në shërbimin e urgjencës nga dje ka nisur të funksionojë edhe kujdesi i punonjësit social, i munguar në këto vite dhe shumë i domosdoshëm në ndihmë të shërimit më të shpejtë të pacientëve. Kjo urgjencë tashmë është ristrukturuar dhe është pajisur me ambiente të reja për pritjen e rasteve urgjente në spital. Mësohet se janë ndërtuar 4 dhoma të pritjes të urgjencave, teksa theksohet se investimi do të vijojë edhe në urgjencat e tjera të kësaj qendre spitalore duke synuar kështu arritjen e shërbim më cilësor për pacientin.
“Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe të afërmve apo qytetarëve të rastit që shoqërojnë pacientin në urgjencë, është mundësuar një sallë pritje edhe për t’a, ku mund të akomodohen në pritje të përgjigjes së mjekut në lidhje me gjendjen shëndetësore të pacientit. Na duhet të theksojmë, se pacienti do të lejohet të shoqërohet vetëm nga një i afërm në ambientet e urgjencës dhe jo siç ndodh rëndom, ku disa të afërm shoqërojnë pacientin brenda ambienteve spitalore, duke penguar personelin mjekësor, të cilët duhet të ndërhyjnë në kushtet e urgjencës”, sqaron drejtoresha e Manastirliu. Aktualisht edhe stafi infermieror po i nënshtrohet një cikli trajnimesh profesionale për punën në urgjencë. Në organizimin e ri të urgjencës është përfshirë edhe një ekip punonjësish social, të cilët ndjekin ecurinë e punës në shërbim, informojnë rastet, si dhe lehtësojnë komunikimin me familjarët dhe të afërmit e pacientëve. Për një orientim sa më të mirë është vendosur dhe harta orientuese në hyrje të urgjencës si dhe sinjalistika e nevojshme që ndihmon këdo për t’u orientuar dhe për të mos humbur asnjë sekondë deri në kontaktin e parë me mjekun që është në dispozicion për të ofruar ndihmë në rastet e urgjencave mjekësore si dhe sistemi elektronik i hyrje daljeve. Në urgjenca bëhet pritja e parë e pacientit, i cili sapo paraqitet në recepsion akomodohet me ndihmën dhe të personelit infermierior apo personelit të shërbimit të urgjencës, deri në momentin kur mjeku përkatës pas ndihmës së parë përcakton se në cilin shërbim do të drejtohet për mjekim të specializuar të ndarë sipas shërbimeve në QSUT.
