CEZ, marrëveshja e detyruar e qeverisë dhe akuzat e Bashës

anazapta

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vetëm pak minuta para se të niste seanca e djeshme Kuvendore, hodhi akuza të rënda për qeverinë aktuale lidhur me marrëveshjen që kjo e fundit mundi të realizojë me CEZ Çeki për të mos e çuar çështjen në arbitrazh. Të dhënat e disponuara e të bëra publike për median nga Basha flasin sipas tij “për atë që, nëse shkon drejt kompletimit, mund të quhet pa frikë vjedhja e shekullit ndaj shqiptarëve”.  Për kreun e PD-së, marrëveshja e arritur 5 javë më parë, mes qeverisë shqiptare dhe çekëve të CEZ-it, me anë të së cilës Shqipëria angazhohet të tërhiqet nga arbitrazhi ndërkombëtar dhe t’i paguajë CEZ-it 95,5 milionë euro, në këmbim të rimarrjes në zotërim të 76 përqind të aksioneve të kompanisë, është një megaskandal financiar.  “Përmes gënjeshtrave u përpoqën, që në një kohë të shkurtër prej një muaji, të bindin shqiptarët se, si rezultat i përgjegjësive të qeverisjes së kaluar, çështja e hapur në arbitrazhin e investimeve nga pala çeke, ishte e destinuar të humbej dhe, në këto kushte, qeveria ishte e detyruar të pranonte më mirë të paguante 95,5 mln euro, ndërkohë që pala çeke kërkonte 200 mln euro”, tha Lulzim Basha. Akuza është vërte e rëndë dhe Basha iu referua 30 Shtatorit 2013, kur avokati ndërkombëtar, nëpërmjet një letre, i shpreh shqetësimin qeverisë së re për mungesën e veprimeve nga pala shqiptare, për ndjekjen e arbitrazhit, duke i sugjeruar marrjen e disa hapave për të mos dëmtuar interesat e Shqipërisë. “Në asnjë rresht të asaj letre, në asnjë komunikim, avokati ndërkombëtar nuk e këshilloi Shqipërinë të negociojë me CEZ-in, përkundrazi, theksoi se çështja është plotësisht e fitueshme nga pala shqiptare”, deklaroi kreu i PD, Basha. Por në fakt letra që vetë i referohet Basha dhe e nisi më pas për median, është e thënë qartësisht që duhet gjetur një mënyrë pa shkuar në arbitrazh.  Duke i shkuar më tej akuzës, se qeveria Rama erdhi e përgatitur për të hequr dorë nga arbitrazhi dhe për të negociuar me çekët e CEZ-it, zoti Basha përmendi një qëndrim të kryeministrit Rama, në Dhjetor, për paligjshmëri të heqjes së licencës së CEZ-it, duke pranuar fajin e palës shqiptare, edhe pasi ai ishte njohur me qëndrimin e ekspertëve ndërkombëtarë, nga më të mirët në botë, se, për shkak të mungesës së investimeve, dëmi që CEZ i kishte shkaktuar Shqipërisë ishte marramendës. “Në këto raporte, që disponohen nga opozita, thuhet me fakte dhe me shifra, nga e pesta kompani në botë, eksperte për auditimin në raste të tilla, se Shqipërisë CEZ i detyrohet një shumë deri në 3 miliardë dollarë. Se heqja e licencave nga ERE ishte i drejtë, se paditë e paraqitura nga CEZ ishin të pajustifikuara, të mbivendosura dhe jo të llogaritura drejt. Për më tepër, kompanitë audituese dhe vlerësuese e këshillojnë qeverinë të bëjë kallëzim ndaj stafit ekzekutiv të CEZ, që me dashje shkatërroi kompaninë, dhe të hetohet në lidhje me transferimin e parave jashtë Republikës së Shqipërisë nga firmat e kontraktuara nga CEZ”, vijoi më tej Basha.  Sipas kreut të PD-së qeveria i ka mbajtur të fshehura nga qytetarët këto raporte, për të manipuluar opinionin publik, pasi vetëm në fatura të pranuara nga të dyja palët, CEZ-it i falen 500 milionë euro detyrime. Sipas kreut të opozitës është kriminale, që edhe negociatat me çekët janë mbajtur të fshehta dhe avokati ndërkombëtar, i paguar nga Shqipëria, nuk ka qenë i pranishëm, siç ai ka pohuar publikisht. Sipas opozitës, kjo ka ndodhur edhe për të fshehur një veprim tjetër, që qeveria do ta ndërmarrë së shpejti. “Krimi i dytë i kësaj marrëveshjeje ka të bëjë me përgatitjen për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke ia faturuar këtë vjedhje të shekullit shqiptarëve. Është e qartë dhe e provuar katërcipërisht, dhe këtë ne do t’ua faktojmë shqiptarëve, se asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk rezulton ta ketë këshilluar këtë qeveri, përveç konsulentëve privatë të kryeministrit dhe avokatëve të shtetit, të cilët kanë pasur kliente vetë CEZ-in”, paralajmëroi Basha.

kont

Faksimile e shkresës së cilës ju referua dje kryetari i PD-së Basha, ku avokatët e çështjes kërkuan që çështja të mos shkojë në arbitrazh

 

Letra e avokatit pak ditë para nënshkrimit të marrëveshjes me CEZ

Gazeta Dita disponon letrën që avokati i çështjes i nisi pak ditë para se të mbërrihej marrëveshja me CEZ mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë Çeke, ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri.  Sipas kësaj korespondence, duket qartë qëndrimi i avokatit dhe zvarritja që qeveria e kaluar bëri për zgjidhjen e konfliktit me CEZ, duke sugjeruar që kjo çështje të mbyllej pa shkuar në arbitrazh. “Pas emërimit të administratorit të përkohshëm më 21 janar 2013-të, Shqipëria duhet të fillonte të bënte përgatitjet për të mbështetur pretendimet e saj dhe të merrte kontrollin e aseteve të CEZ Shpërndarje, veçanërisht duke përcaktuar një kompensim të arsyeshëm për asetet e CEZ Shpërndarje sipas procedurës të përcaktuar në ligjin Nr. 8561 të 22 dhjetorit 1999 “për shpronësime dhe marrje në përdorim të përkohshëm të pronës private për interesa publike””, thuhet në letrën e avokatit. “Ky kompensim duhet të ishte përcaktuar në bazë të një vlerësimi financiar dhe teknik të kryer në kohën e emërimit të administratorit të përkohshëm më 21 janar 2013. Por vlerësimi financiar përfundoi vetëm më 10 shkurt, 2014-të dhe e kuptojmë që vlerësimi teknik sapo është plotësuar. Duke qenë se CEZ Shpërndarje është administruar nga një administrator i përkohshëm për më shumë se një vit, lidhja midis veprimeve të CEZ AS si dhe vlerësimit të CEZ Shpërndarje janë dobësuar në mënyrë të konsiderueshme”, thuhet aty. Këto ndryshime që nuk u ndërmorën ishin me siguri të domosdoshme për të zbutur humbjet dhe dëmet në Shqipëri, dhe ato duhet të interpretohen nga një gjykatë arbitrazhi si dëshmi e faktit që masa të tilla duhet të ishin marrë më parë, në periudhën e menaxhimit të CEZ AS, e cila është në fakt edhe një nga akuzat e CEZ AS. “Për këto arsye se bashku me rreziqet e përgjithshme kontestimore ne nuk jemi në pozicion që të konkludojmë se pjesa më e madhe e pretendimeve të CEZ AS para gjyqësorit do të shkarkohen, apo se disa, apo shumica e kërkesave tonë në arbitrazhin do të merren në konsideratë. Kjo nuk do të thotë se një rezultat i tillë përjashtohet, por shanset tona për ta përfituar janë dobësuar”, cilëson avokati në letrën e tij, duke bërë të qartë se mos veprimi në kohë i qeverisë së kaluar ka sjellë pikërisht situatën e vetme të zgjidhshme, mos vajtjen në arbitrazh.

 

Kontrata me Patton Boggs, kur nuk paguanin kompanitë audituese

kontrateNë një kohë kur nuk paguanin avokatët dhe kompanitë audituese (që e tregon letra e 30 shtatorit të cilës ju referua dhe dje Basha),  ish qeveria firmosi marrëveshje në shkurt 2013 me Patton Boggs për konsulence mbi heqjen e licencës së CEZ. Kontrata me vlerën mbi 300 mijë euro për konsulencë u nënshkrua në një kohë kur licenca ishte hequr në janar 2013.  “Qëllimi i kësaj kontrate është realizimi nga konsulenti i të gjitha shërbimeve  të përcaktuara në këtë kontratë. Shërbimet, do të përfshijnë punët e kërkuara nga ERE në termat e referencës dhe do të asistojë ERE-n lidhur me hapat e nevojshëm ligjorë dhe administrativë që duhet të  ndërmarrë në vazhdimin e proçedurave  të filluara për heqjen e licencave të shpërndarjes dhe të furnizimit ndaj CEZ – Shpërndarje”, thuhet në kontratën e shkurtit me Patton Boggs, kur licenca kompanisë çeke i ishte hequr që në janar nga qeveria Berisha. .

 

 

Bilanci i CEZ:  Në dy vite humbje prej 450 milionë eurosh

Kompania e shpërndarjes CEZ ka publikuar bilancin e saj vjetor për vitin 2013. Të dhënat e bilancit flasin për një aktivitet të përkeqësuar të kompanisë, sidomos në vitin 2012, që përkon me vitin e fundit që kompania ishte në administrim të grupit [ek CEZ. Nga të dhënat rezulton që në dy vite (2012-2013), kompania ka rezultuar me një humbje kolosale prej 450 milionë euro, nga 540 milionë euro të ardhura që ka arritur të sigurojë në periudha përkatëse (2012+2013).

Në vitin 2012, humbjet sa të ardhurat

Sipas bilancit, të ardhurat e kompanisë në vitin 2012 ishin 37.8 miliardë lekë, apo 269.8 milionë euro. Ndërkohë, shpenzimet ishin dyfish më të larta, ku zëri kryesor është ai i blerjes së energjisë me 285 milionë euro (pak më i lartë se të ardhurat që kompania arrin të mbledhë gjithë vitin) dhe shpenzime të tjera prej 165.5 milionë euro, ku përfshihen gjoba e penalitete, krijimi dhe kthimi i provigjionimeve dhe krijimi i zbritjeve për llogaritë e arkëtueshme. Shpenzimet e  tjera administrative (ku përfshihet dhe tarifa e transmetimit) ishin më të ulëta në 88 milionë euro. Si rrjedhojë e këtyre dy zërave të lartë (blerje energjia dhe shpenzime të tjera), shpenzimet në total për vitin 2012 arritën në 539 milionë euro, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje kolosale prej 269 milionë eurosh, po aq sa janë dhe të ardhurat.

2013, humbjet në rrjet i kushtojnë kompanisë 67 milionë euro

Në vitin 2013, që përkon me periudhën, kur kompania u mor në administrim nga qeveria shqiptare, performanca e kompanisë u përmirësua disi, duke u   ulur disa zëra të shpenzimeve, ndërkohë që të ardhurat ishin po njësoj.  Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat në vitin 2013 ishin 269.3 milionë euro, të barabarta me një vit më parë. Shpenzimet për blerje energjie ishin 214 milionë euro, 25% më pak se një vit më parë. Shpenzimet e tjera (gjoba e penalitete, krijimi dhe kthimi i provigjionimeve dhe krijimi i zbritjeve për llogaritë e arkëtueshme) u reduktuar më pak, me 4.6%, në 158 milionë euro, ku peshën kryesore e zinte zëri “krijimi i zbritjeve për llogaritë e arkëtueshme”, me që nënkupton paratë që kompania nuk arrin t’i arkëtojë nga klientët (humbjet e energjisë). Shpenzimet e tjera administrative u ulën me 6.2%, në 82.3 milionë euro. Si rrjedhojë kompania rezultoi me një humbje prej 185.7 milionë euro në 2013-n.

 

Ministri Gjiknuri: Marrëveshja ishte e detyruar

Pas akuzave të liderit të opozitës Basha, mbi marrëveshjen me CEZ, Ministri i Energjisë,  Damian Gjiknuri tha nga foltorja e Kuvendit se zgjidhja e konfliktit me mirëkuptim ishte rruga, që u sugjerua nga të gjithë ndërkombëtarët.  “Sipas dhe çdo sugjerimi të institucioneve ndërkombëtare financiare; Bankës Botërore, FMN-së dhe gjithë institucioneve që na mbështetën në këtë proces; iu sugjerua qartë qeverisë shqiptare, që e vetmja rrugë për rimëkëmbjen e sektorit ishte zgjidhja me mirëkuptim e këtij konflikti të hapur. Kjo për arsye se, sektori kishte nevojë për investime, gjë që do të ishin të pamundura në një status juridik të paqartë të kompanisë, për shkak të konfliktit ligjor, dhe pa këto investime do të kërcënohej sigurimi i furnizimit me energji elektrike”, u shpreh ministri Gjiknuri. Duke hedhur poshtë akuzat e opozitës, Gjiknuri tha se, me këtë marrëveshje, Shqipëria shmangu një kosto shumë të lartë, që sipas tij, qytetarëve iu la nga qeveria e mëparshme. “Shmangu një detyrim financiar shumë më të madh potencialisht, po të përballeshim në në gjykatë arbitrazhi dhe me të gjitha shanset, e them me bindje këtë edhe nga konsultat e shumta, do ta humbisnim këtë çështje”, theksoi ministri Gjiknuri. Në fund, kreu i Energjisë deklaroi se të gjitha negociatat me CEZ ishin transparente dhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, ndryshe nga sa bëri ish-qeveria. “Negociatat, jo pa qëllim, vendosëm t’i zhvillojmë me praninë ndërkombëtare, në një zyrë të mirënjohur, që është zyra e komunitetit të energjisë, një armë e Bashkimit Europian për reformat në sektorin e energjisë në të gjithë Europën Juglindore. Pra, gjithçka është zhvilluar në mënyrë transparente dhe me mbikqyrjen e fortë ndërkombëtare. Përpos kësaj, kam edhe një pyetje publike për zotin Basha, ose t’ia bëjë babait të tij të plakur, se ai duhet t’i dijë më mirë, ku i zhvilluan takimet në Vjenë, në muajt Mars-Prill, kur tentuan negociata? Kush ka qenë dëshmitarë aty? E vetmja gjë që di është se u mbyllën në një dhomë hoteli privat dhe s’ka asnjë ndërmjetës ndërkombëtar, nuk ka asnjë evidencë, madje s’kemi gjetur asgjë edhe në lidhje me çfarë kanë biseduar aty”,  citoi ministri  Gjiknuri.

Share This Article
2 Comments
  • Basha don te beje politike dhe as don tja dije as per marreveshjen e cez it e as per vjedhjen e bankes se shtetit. Sa here ka qene minister veten probleme ka sjelle. Problem me abuzimet miliona euro ne rrugene kukesit, problem kur ishte Minister i mbrendeshem.

  • po mire a mban njeri pergjegjesi per keto veprime apo mos veprime ne kete ceshtje apo thjesht ja ngopin popullit duke ritur cmimin e energjise dhe cdo gje mbyllet me kaq? cfare perfaqesojne keto politikane te dhjere, njerezit qe i votojne apo nderkombetaret arvizu me shoke?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *