Izraeli ka spiunuar Kerry-n në dialogun me palestinezët

Ornela

E përjavshmja gjermane “Der Spiegel” zbulon se spiunimi i Kerry-t ndihmoi kreun e ekzekutivit Netanyahu të hartojë strategjinë e tij në bisedimet për paqe. “Kerry duhet të fitojë Çmimin Nobel për Paqe dhe të na lërë të qetë”, shprehet Izraeli

Inteligjenca izraelite dhe ndoshta dy shërbime të tjera të inteligjencës kanë dëgjuar bisedat telefonike që ka bërë Sekretari i Shtetit, John Kerry, gjatë bisedimeve për paqe në Lindjen e Mesme, një veprim që ndihmoi izraelitët për të hartuar strategjinë gjatë qasjes së kërkesave të palestinezëve. Përgjimi elektronik, sipas “Der Spiegel” është kryer edhe nga shërbimet informative të Rusisë dhe Kinës. Sipas të përjavshmes, që boton në numrin e saj të fundit një raport të gjerë mbi përpjekjet për paqe të John Kerry-t në rajon, spiunazhi është kryer në vitin 2013-të, gjatë nëntë muajve të negociatave për të arritur paqen mes Izraelit dhe Palestinës. Gjatë kësaj periudhe, Kerry realizoi telefonata me kolegët e tij në Lindjen e Mesme dhe përfaqësuesit palestinezë, por diçka e pazakontë për postin e tij të lartë, ishte fakti që Sekretari i Shtetit ka përdorur telefonin e avionit të tij dhe një telefon satelitor, dy mjete që përgjohen shumë lehtë. “Kështu, izraelitët e dinin saktësisht se çfarë ka folur Kerry me palën tjetër”, thekson revista. “Kerry i dinte rreziqet, por ai donte rezultate dhe ishin më të rëndësishme bisedat personale se dyshimet e personelit të tij të sigurisë. Si Izraeli ashtu edhe Departamenti Amerikan i Shtetit nuk pranuan që të prononcohen. Kerry, i cili e konsideroi një përparësi të mandatit të tij arritjen e një marrëveshje të negociuar në Lindjen e Mesme, arriti të ulë në tryezën e bisedimeve Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidentin palestinez Mahmoud Abbas në korrik 2013-të. Por prillin e kaluar, Izraeli njoftoi vendosjen e 700 vendbanimeve të reja dhe refuzoi lirimin e planifikuar të të burgosurve palestinezë, dy ngjarje që i dhanë fund përpjekjes së fundit për të arritur një marrëveshje. Sipas “Der Spiegel”, Izraeli përdori informacionin e marrë nga bisedat telefonike të Kerry-t për të përforcuar qëndrimin e tij, ndërkohë që Ministri izraelit i Mbrojtjes, Moshe Yaalon, e konsideroi veprimtarinë e Kerry-t si atë të një njeriu të “fiksuar”,  një farë “Mesia” në përpjekje për të arritur një marrëveshje. “E vetmja gjë që mund të na shpëtojë është që Kerry të marrë çmimin “Nobel” të paqes dhe të na lërë rehat”, tha Yaalon, sipas revistës. “John Kerry pa sukses po fluturon nga kriza në krizë si Ministër i Çështjeve të Jashtme në botë. Dështimi i tij tregon se çfarë ndodh kur një superfuqi nuk dëshiron të mbetet më e tillë”, tha revista në raportin e saj, i cili mban për titull “Misionari guximshëm”. “Nëse Kerry arrin një marrëveshjeje mes palestinezëve dhe izraelitëve do të mbahet mend si një hero. Por, në qoftë se dështon mund të bëhet simbol i rënies së politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”, vazhdon informacioni që pohon se zbulimi i spiunazhit ndaj të cilit u nënshtrua Kerry mund të dëmtojë më tej marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Izraelit dhe administratës amerikane.

Përgatiti: Ornela Jaupi

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *