Zgjidhet “ngërçi” i tregtimit të ilaçeve mes Kosovës dhe Shqipërisë

Bledar Lumani

Ministritë e Shëndetësisë së dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës kanë arritur të zgjidhin ngërçin e krijuar në lidhje me tregtimin e ilaçeve “Made in Kosovo”.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri, shkak për këtë situatë është bërë një keqkuptim në interpretim të ligjit mbi importin e barnave të ndryshuar në vitin 2011, raporton Monitor.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani deklaroi të mediat vendase se dy ministritë arritën të sqarojnë këtë çështje dhe të sigurojnë vazhdimin e partneritetit konstruktiv në sektorin farmaceutik ndërmjet dy shteteve, duke mundësuar eksportin e produkteve farmaceutike nga Kosova në Republikën e Shqipërisë.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës theksoi sërish se prodhuesi i produkteve medicinale “Trepharm” nga Kosova i plotëson të gjitha standardet e praktikës së prodhimit të mirë, të përcaktuara me direktivat evropiane dhe kjo e bazuar edhe në inspektimet e verifikuara edhe nga inspektorë ndërkombëtar të fushës së farmacisë.

Javën e kaluar Oda Ekonomike e Kosovës, ashpërsoi tonet dhe kërkoi që edhe qeveria e Kosovës të vendoste masën e reciprocitetit për produktet mjekësore të Shqipërisë.

Sipas kreut të ODK-së, Safet Gërxhaliu, bllokimi i 65 produkteve medicinale që hyjnë nga Shqipëria në Kosovë, do të shkonte në favor të tregtarëve serbë, të cilët fusin në Kosovë ilaçe në mënyrë ilegale, të paregjistruara nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM) dhe pa iu nënshtruar ndonjë takse.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *