Mançesteri i drejtuar nga Luis van Gal ka marrë trofeun e parë sezonal pasi ka mundur rivalët historikë të Liverpulit 3-1 në finale e “Guinness cup” të zhvilluar në “Sun Life Stadium” të Majamit. Tre gola në pjesën e dytë nga Uejn Runi, Huan Mata dhe Xhese Lingard kanë zhvlerësuar golin e shënuar nga Stivën Xherrard në pjesën e parë me 11-metërsh për nënkampionët e Anglisë. Mançester Junajtid i ka lëshuar kështu sinjalin e parë të gjithë rivalëve të mëdhenj për titullin në Premier në sezonin e ri, ku “Djajtë e kuq” pritet të kthehet pretendentë pas një zhgënjimi të plotë në sezonin e kaluar nën drejtimin e David Mojes. Në takimin e luajtur në Florida Liverpuli ka paguar shtrenjtë mundësitë e shumta për shënim të shpërdoruara pas golit të Xherrard, duke i dhënë mundësi “Djajve të kuq” të kthehen fuqishëm në pjesën e dytë duke përmbysur gjithçka në favorin e tyre. Dominim i Liverpulit – Kjo pjesë është dominuar në kohën më të madhe nga Liverpuli, që veç golit ka pasur dhe të tjera mundësi për shënim. Ndeshja është zhbllokuar pas 14 minutash kur Xhons ka penguar në zonë Sterling dhe kapiteni Xherrard ka kthyer në gol 11 metërshin në favor të “Djajve të kuq”. Edhe pas golit Liverpuli i ka hapur shumë punë Junajtidit veçanërisht në krahun e majtë me Sterling. Pas 20 minutash nga goli i parë Liverpulit i është mohuar një tjetër 11-metërsh, ndërkohë që Handerson dhe Kutinjo i janë afruar shumë golit të dytë.
Përmbysja – Liverpuli ka shansin e artë për të thelluar avantazhin edhe në fillimin e pjesës së dytë kur Lambert pak hapa nga porta ka gabuar. Të gjithë këto gabime, skuadra e Roxhersit do t’i paguajë rëndë. Uejn Runi pas 55 minutash lojë kthen baraspeshën në fushë ndërsa dy minuta më pas Huan Mata shënon golin e dytë për “Djajtë e kuq” duke përmbysur shifrat. Mançesteri luan më mirë në këtë pjesë, dhe në minutën e 65-të shënon golin e tretë me Runin, por që anulohet pasi topi kishte dalë më parë jashtë. Gjithsesi përmbysja e plotë e Junajtidit kompletohet dy minuta nga fundi ku Xhese Lingard shënon golin e tretë, duke i dhënë kështu trofeun e parë trajnerit Luis Van Gal. Mançesteri e mbyll kështu me pesë fitore turneun amerikan duke i lëshuar një sinjal të qartë të gjithë rivalëve të vet për titull. Pa impenjime në kupat e Evropës “Djajtë e kuq” do të jenë një rrezik shumë i madh për Sitin, Liverpulin, Çelsin e Arsenalin në garën për titull në Premier.
