Idiot, malok, copë mishi, pabuks, katunar, ku..vë- Kush e përcakton se kush je ti? Një në tre gjimnazistë raportojnë abuzime verbale dhe fizike nga bashkëmoshatarët në shkolla. Abuzimi mund të jetë i trajtës së diskriminimit ekonomik, social, krahinor apo tjetër, por në çdo rast, është i padrejtë. Ky abuzim njihet me emrin bullizëm dhe është i mundur vetëm kur të tjerët rrinë mënjanë dhe e lejojnë të ndodhë. Një spot i realizuar nga “Qendra Media Aktive” na çoi që të mësonim më shumë rreth kësaj teme dhe për të dhënë disa këshilla nga një psikologe se si mund ta parandalojmë këtë fenomen dhe se si mund të dalim prej tij.
Por janë të shumtë ata që nuk e njohin bullizmin si term, ndërsa si dukuri të gjithë e kanë hasur në një moment të caktuar.
A ka ardhur ndonjëherë fëmija juaj i mërzitur në shtëpi dhe ju ka treguar se shokët e klasës nuk sillen mirë me të dhe e vënë në lojë? Ka qenë ai i pranishëm kur një shok i ka fshehur librat ose gjëra të tjera personale një tjetër moshatari të klasës me qëllim vënien në lojë të tij?
Në fakt situata të tilla hasen shpesh, më së shumti tek fëmijët e moshës 6 deri në 17 vjeç, në ambientet shkollore ose në lagjen ku banojnë. Agresioni fizik, social dhe verbal ndaj një personi ose një grupi me një veçori të caktuar nuk është lajm i ri. Ky fenomen që duket sikur është shfaqur kohët e fundit, ka një historik të gjatë, të cilit për shumë kohë nuk i është dhënë rëndësia e duhur. Shumë njerëz mendojnë se bullizmi është vetëm një fenomen që shoqëron procesin e rritjes së fëmijëve, ose shaka në kuadrin e lojës mes moshatarëve.
Por nuk është kështu. Bullizmi ndryshon nga zënkat e zakonshme ose nga rivalitetet normale mes fëmijëve. Ndryshimi kryesor është se këto janë akte që përsëriten në kohë si dhe viktima nuk arrin të mbrohet nga ky sulm. Agresori arrin të ketë fuqi jo vetëm se është më i madh në moshë, por edhe më i fortë fizikisht. Disa nga format e shfaqjes së këtij fenomeni janë: ofendimet, kërcënimet, vënia e pseudonimeve antipatike, marrja e telefonatave fyese duke e izoluar në këtë mënyrë nga grupi shoqëror. Për ta diskutuar më konkretisht këtë fenomen, kemi ftuar në Dita psikologen Denata Toçe. Prirjet e saj profesionale kanë qenë dhe janë të fokusuara tek fëmijët dhe adoleshentët ndaj, mendimi i saj profesional na bën punë.
Denata, adoleshentët sot janë ndryshe, apo kjo moshë ka të njëjtat simptoma edhe në kohë të ndryshme?

Fëmijët dhe adoleshentët mbeten grupmosha më e prirur ndaj fenomenit të procesit të identifikimit, personal, seksual dhe mbi të gjitha ai social. Adoleshentët kërkojnë të jenë pjesë e një bote autentike të tyre, duan të gjejnë një rol që i përfaqëson më së miri ata, të jenë dikushi dhe të zënë një vend në shoqëri. Por, edhe pse dëshira e tyre është e madhe, ironia e kësaj është se ata janë të rrethuar nga ndjenja të forta pasigurie për atë që janë dhe që duan të bëhen. Angazhohen të ndërmarrin shumë role në shoqëri dhe të identifikohen gradualisht sipas atyre roleve që i bën të jenë “të suksesshëm”, popullorë dhe mbi të gjitha të pëlqyeshëm. Nëse sjelljet e tyre, mënyra e të veshurit, e të folurit, e formës së trupit, etj, do të vendosej në diskutim, në shënjestër të ngacmimeve (talljeve, persekutimeve, sharjeve, ofendimeve, etj) atëherë pasiguritë shtohen, aq sa mund të marrin edhe përmasa katastrofike.
Sa të përkrahur ndihen ata dhe sa paragjykues janë në të njëjtën kohë për bashkëmoshatarët e tyre?
Shoqëria jo gjithmonë të favorizon në planet naive dhe ndonjëherë idealiste të adoleshentëve. Ka adoleshentë që e kanë më të thjeshtë të jenë të suksesshëm në këtë moshë. Ata kanë pamjen e mirë, janë të pashëm, vishen mirë, kanë mirëqenie, nuk u dalin puçrra në fytyrë, nuk mbajnë syze, nuk kanë tela në dhëmbë, nuk janë më të gjatët apo më të shkurtrit e grupit, klasës. Të gjitha këto ndikojnë pozitivisht në vetëvlerësimin e një adoleshenti. Kjo moshë tranzitore, jo gjithmonë kënaq vetëvlerësimin e një të riu, i cili ndihet i fuqishëm dhe i dobët në të njëjtën kohë.
Po çfarë ndodh mes tyre?
Kryesisht bashkëmoshatarët me njëri-tjetrin, kanë të paktën pesë mënyra se si arrijnë të jetë të ashpër: 1) talljet, 2) ngacmimet (persekutimet), 3) përjashtimet (dëbimet), 4) thashethemet (hapja e fjalëve), 5) sulmimet fizike në grup. Të gjitha këto janë mënyra shumë të ashpra për adoleshentët, por ato që e prekin thellësisht përkatësinë sociale janë mënyrat e persekutimit, ngacmimet e vazhdueshme, ato të cilat të bëjnë “t’u dhembë barku” kur çohen në mëngjes për të vajtur në shkollë. Ngacmimet persekutuese shoqëruar shpesh me tallje janë aq të ashpra për sedrën e një adoleshenti, sa i shtyjnë këta të fundit jo rrallë herë të përfshihen në akte vetëdëmtuese duke marrë droga të ndryshme, mund të përfshihen gjithashtu në grupe sociale kriminale për të fshehur dobësitë e tyre dhe për t’u bërë popullorë, të suksesshëm pikërisht në këtë drejtim edhe pse jo i “shëndetshëm” për jetën e tij.
Cilat janë shenjat që shfaqen pas këtyre përjetimeve jo të këndshme për të rinjtë ?
Adoleshentët fillojnë të bien nga mësimet ose e kundërta, fillojnë t’i dedikohen akoma më shumë jetës akademike, duke studiuar për orë të tëra për të shmangur gjithnjë e më shumë jetën sociale. Bota shndërrohet në një pamje të mënxyrtë, pa shpëtim. Këta të rinj e kanë thuajse të vështirë të shikojnë rrugëdalje në nxitimin e tyre për të qenë dikush, ndaj dhe mbështetjet profesionale janë mjaft efikase në këtë grup-moshë. Të rinjtë në këtë moshë fatkeqësisht fillojnë të mendojnë se i meritojnë këto mënyra me të cilat shoqëria qaset. Një adoleshent që mban syze fillon të mendojë se është faji i tij që e thërrasin “qorr”. Një adoleshent që është i ndjeshëm, mendon se është faji i tij që e thërrasin “qullash!” .
Denata, ju nga eksperienca juaj profesionale më të rinj e adoleshentë, çfarë keni konstatuar, si reagojnë ata përballë një psikologeje?
Përgjatë seancave të mbështetjes profesionale, kam konstatuar se nevoja për të qenë të kuptuar dhe të pranuar është e madhe, gati në etje e në uri. Të gjithë ne së bashku mund ta shuajmë etjen dhe urinë e tyre. Adultët, edhe pse janë pjesë shumë e largët e adoleshentëve në pamje të parë, ata në të vërtetë janë personat më të rëndësishëm, boshti i mendimit më të sigurt të tyre.
Po roli i prindërit në këtë fazë, cili është?
Prindërit, figurat më të rëndësishme në të gjithë kohërat e rritjes së fëmijëve, janë të prirë të mendojnë se ka pak vend për ata në botën e adoleshentëve dhe shpesh dorëzohen në pesimizëm, aq më tepër kur kanë të bëjnë me situata turpëruese. Por unë po ju them se prindërit nuk janë asnjëherë të tepërt, përkundrazi ata janë aktorët më domethënës. Edhe sikur e gjithë bota të mos i pranojë, prindi e pranon fëmijën e tij ashtu sikurse ai është. Prindi e do fëmijën pa kushte ndaj dhe nuk duhet të dorëzohemi, por të qëndrojmë në besim për fëmijët tanë. Mësues, edukator, kujdestar, etj, të ndërgjegjësohen e të mbështesin në të gjitha format e duhura fëmijët adoleshentë. Të mendojnë çdo ditë për forma të shëndetshme e të përshtatshme komunikimi. T’u dhurojnë fëmijëve një botë të sigurt dhe mbi të gjitha t’u tregojnë atyre çdo ditë se sa të vlefshëm dhe unikë janë. Sa e veçantë e me vlerë është bota e tyre plot ëndrra dhe ide, ngjyra dhe energji, fjalë dhe heshtje, filozofi dhe çiltërsi, urrejtje dhe dashuri, me netë të gdhira dhe mëngjese të përgjumura. Ka shumë jetë tek adoleshentët dhe vlen të investohet për t’u dhuruar sa më shumë paqe në rrugëtimin drejt formimit në identitetit, edhe pse deri atëherë, paqe nuk ka…
Një person që është vazhdimisht nën presionin e gjendjeve të tilla, çfarë mund të bëjë për ta kaluar këtë situatë?
Mbështetje profesionale dhe prindërore… kryesisht profesionale. Një mënyrë tjetër e mirë është të mund të angazhohet fëmija nëpër kurse të ndryshme, aktivitete sportive. Të ketë një kohë sa më të strukturuar dhe mbi të gjitha fëmija të provojë sa më shumë role që mendon se i përshtaten dhe të provojë sukseset e tij.
Prirja për të sharë
Njerëz të ndryshëm dhunojnë për arsye të ndryshme dhe disa dhunojnë më shumë se të tjerët. Disa dhunojnë sepse janë të pakënaqur me veten dhe mendojnë se duke i bërë edhe të tjerët të ndihen keq, kjo do t’u sjellë kënaqësi. Disa të tjerë dhunojnë sepse kanë një nevojë të vazhdueshme për t’u treguar të tjerëve se kush drejton. Të tjerë dhunojnë sepse e kanë perceptuar dhunën si të vetmen formë që siguron mbijetesën në mjedisin kaotik social ku jetojnë. Shpesh, për fatin tonë të keq, disa fëmijë dhunojnë sepse familjet ku jetojnë, janë tolerante ndaj dhunës ose më keq akoma, i gëzohen të qenit zot të vetes (edhe pse e bëjnë në mënyra shpeshherë të stërholluara dhe duke u përpjekur që të mos bien në sy të vetë fëmijës).

po kur je politikan me nofken xhepist si i behet?
Bëneç krietar
PSIKOLOGJI PSIKOPATIKE
Ja nje nga arsyet pse u mbyllen me dhjetra universitete private, pergatiten psikologe te psikopatizuar.
Temat e sharjes, fyerjes, grupkrijimeve te mbyllura, ne grup moshat e paramaturimit trupor te femijeve, jane sa te thjeshta nga njera ane, aq edhe te pezhishkuara per tu permiresuar, nga sa mundohet me gjuhen latine te na shtjelloje doktoresha e psikes.
Adult (i/e rritur), adoleshent (femije), identitet (karakter), unike (i/e veçante), angazhim (pjesemarrje), strukturim (rimendim, riberje) jane disa nga fjalet qe perdor doktoresha e plepave te universitetit europian te currilave, per ti dhene boshllekut qe trumbeton nje ngjyre bashkekohore e vetemburresie.
Nuk kam njohur jo vetem ne femijerine time por edhe te brezave te tjere, qe kjo koherritje natyrale e femijerise te perballet me:
“ëndrra dhe ide, ngjyra dhe energji, fjalë dhe heshtje, filozofi dhe çiltërsi, urrejtje dhe dashuri, me netë të gdhira dhe mëngjese të përgjumura.”
Edhe Takun e Lemes po ta pyesesh, gjen aresye shume me jetesore per te shprehur veshtiresite e shoqerizimit te kesaj grupmoshe.
Nuk dua te perdor fjalorin qe meriton doktoresha, sepse kohe do e lere menjane si shume te tjere me plep-pergatitje si kjo, po do ishte interesante edhe per te tjeret, perfshire stafin e DITA-s qe e mundesoi te “lartesohet” ne psikologjine-psikopatike, kuptimin e shprehjes:
“…i gëzohen të qenit zot të vetes…” (autorja – prinderit!).