Letër e nënshkruar në DITA, nga Bardhyl Ermini
Në qendër të kryeqytetit, në një prej parqeve të rralla, që dikur quhej “Rinia” e sot “Kotësia”, në pjesën lindore të tij gjendet e ngritur një biçim ngrehine, që të parët tanë e kanë quajtur “Monument
i Pamvarësisë”. Thuhet se këtë tmerr të mrekullueshëm e ka parashikuar edhe Nostradamusi, i cili pat hyrë deri në vlerën që do t’i kushtonte brezit të viteve dymijë, të cilën ai e pat vlerësuar me fiks 350 mijë njësi mijëshe me euro. Luspat e kësaj krijese janë imituar me fletë tunxhi, metal ky që quhet aliazh e që përftohet nga përzjerja në raport të caktuar e bakrit me zinkun. Po të ishim në vitin 2012, tamam atëhere kur shqiptarët do të festonin 100 vjetorin e pamvarësisë, mund edhe të dyshohej për ndonjë kokërr legeni, që në vend të fletëve të tunxhit ka porositur fletë llamarine konservash peshku, por meqënë se jemi mijra vite para Krishtit, ato janë tunxh safi prodhuar nga kovaçët ilirë. Koha e pamëshirshme ka vepruar mbi këto dy kallëpe. Ato duken si fasadat e një kioske të papërfunduar e të pezulluara nga policia bashkiake. Jam informuar se katedra e urbanistikës e Universitetit “Kashta e Kumtrit”, e ka përgatitur variantin, që parashikon adaptimin e kësaj vepre në… dy banja publike, si objekte të rëndësisë të veçantë. Të rinj e të reja, por veçanërisht pleq që vuajnë nga kapsllëku, do ta gjejnë vehten shumë komod në këtë triptik, pampers, bishtalec, banjo, në kulm të së cilës do të qëndroj ai, “Monumenti i Pamvarësisë”, i kthyer tashmë në monument mvartësie, ngjyra e të cilit, ajo e tunxhit të zverdhur qosheve e të nxirë në mes, do të bëjë të madh e të vogël të marrë malet me pantallona në dorë.
