Stina e verës, na tërheq drejt ekspozimit në diell, por pas kësaj fshihet diçka që me shumë zor mund të riparohet. Në një moment kur rrezet na kanë munguar, dëshira për të qëndruar pranë tyre është e madhe, por këtu bëhet gabimi. Në këto muaj kur dielli shfaqet me bollëk, diku duhet të tregojmë kujdes. Për këtë kemi folur me mjeken dermatologe Erjona Shehu. Ndërsa jemi përballë saj, na duket sikur jemi duke dëgjuar një edicion lajmesh, për vetë imazhin që jemi mësuar të shohim, por jo. Jemi në klinikën e Erjonës që të gjithë e kanë parë për vite të tëra në ekran. Nga karrigia e mjekes sot, e kemi ftuar të na tregojë se çfarë i ndodh lëkurës sonë në kontakt me diellin në këto ditë vere. Kujdesin që duhet të tregojmë dhe si të mbrohemi. Gjatë bisedës me Shehun, nuk u fokusuam vetëm tek problemet që shkakton dielli i kësaj stine, por edhe të kujdesi që duhet të tregojmë në vazhdimësi. Nga eksperienca e saj, duket se jemi një popull që nuk kemi fare respekt për lëkurën dhe ashtu si çdo gjë tjetër, degradimin e saj e kuptojmë vetëm në momentet e fundit. Ndërsa ajo që mësuam, gjatë kësaj interviste, është fakti se numri i meshkujve që tregojnë kujdes ndaj pamjes dhe lëkurës është rritur ndjeshëm.
Erjona, si duhet të mbrohemi nga rrezet e diellit aq të dëshiruara në këtë kohë?
Asgjë nuk mund ta zhbëjë dëmin e bërë nga ekspozimi në diell, megjithëse është vetë lëkura që bën një lloj riparimi. Gjithsesi, nuk është kurrë vonë që të nisni mbrojtjen nga dielli. Lëkura juaj ndryshon me kohën, për shembull, ju djersini më pak, dhe lëkurës i duhet më shumë kohë të shërohet, por këto procese mund t’i shtyni në kohë duke qëndruar larg diellit. Ndiqni rregullat e mëposhtme: Vendosni krem mbrojtës me faktor mbrojtës ndaj diellit (SPF) 30 apo më shumë, 30 minuta para ekspozimit në diell dhe më pas çdo dy orë. Zgjidhini rrobat, produktet kozmetike dhe syzet të tilla që të sigurojnë mbrojtje UV. Shmangni diellin e drejtpërdrejtë në orët e pikut 10.00 deri 16.00. Kontrolloni shpesh lëkurën tuaj për ndryshime të mundshme në të. 80 % e ekspozimit në diell në jetën e njeriut duhet bërë para moshës 18 vjeç.
A vini re një lloj ndërgjegjësimi më shumë për t’u kujdesur për veten dhe për lëkurën te pacientët tuaj?
Kjo varet nga shtresat shoqërore për të cilat flasim. Urbanizimi i shpejtë i shoqërisë tek ne nuk është shoqëruar edhe me civilizim të saj. Shpesh, njerëzit drejtohen te mjeku kur situata është e rënduar dhe gjendja e vështirë për t’u trajtuar.
Duket sikur është problem vetëm i femrave, por ndoshta nuk është kështu, po meshkujt, kanë probleme, a kujdesen ata për lëkurën?
Problemet nuk kanë lidhje me gjininë e individit, të gjithë mund të kenë probleme me lëkurën, meshkuj apo femra qofshin. Ajo që unë kam vënë re në klinikën time është që numri i meshkujve të cilët merren me lëkurën e tyre është shtuar me shpejtësi marramendëse.
Vetëm dielli është shkaktar i plakjes së lëkurës? A ka faktorë të tjerë që favorizojnë rrudhat?
Shkaktarët e plakjes janë të jashtëm dhe të brendshëm. Ndër të jashtmit: Kryesori mbetet ekspozimi në diell, mimika e fytyrës apo ekspresioni i saj. Nëse keni fytyrë ekspresive duhet të punoni që të minimizoni në maksimum komunikimin edhe përmes lëvizjeve të shtuara ekspresive të fytyrës. Pozicionimi gjatë gjumit. Vënia e fytyrës gjithmonë nga njëra anë apo nga tjetra e rrit predispozitën e bërjes së rrudhave e për pasojë të plakjes. Ideale për lëkurën e fytyrës është fjetja në shpinë. Pirja e duhanit është një tjetër faktor nxitës në plakjen e lëkurës. Studimet tregojnë se një person që pi mbi 10 cigare në ditë për 10 vjet është me lëkurë më të rrudhur se një moshatar i tij është jo duhanpirës dhe kjo vlen sidomos për rrudhat rreth e rrotull gojës. Faktorët e brendshëm mund të përmend predispozitën familjare, mënyrën e ushqyerjes. Predispozita gjenetike për të shfaqur shenjat e plakjes me kalimin e viteve apo sëmundje të caktuara, të cilat nxisin plakjen, si Sindromi Werner.
Mënyra se si ne ushqehemi sa ndikon në plakjen ose jo të lëkurës?
Ndikon. Të ushqyerit shëndetshëm është shumë i rëndësishëm edhe për lëkurën. Të shëndetshme janë: Shega dhe qershiza (blueberry) që kanë mjaft antioksidantë që forcojnë kapilarët e lëkurës e për pasojë e ushqejnë e atë dhe shmangin skuqjet e saj, bananet që ushqejnë lëkurën. Pastaj brokoli, domatet, arrat e kokosit, hudhrat, kivi, luleshtrydhet, avokado dhe limonat. Ndërsa tek të dëmshmet futet: Kripa, sepse shkakton rrathë poshtë syve, karkalecat, molusqet, spinaqi: nxisin aknen, nënproduktet e qumështit, ushqimet me përmbajtje të lartë karbohidratesh, sheqeri, pijet alkoolike.
Po, stresi, pagjumësia si ndikojnë? Sa rëndësi kanë këto?
Stresi dhe pagjumësia janë dy faktorë nxitës të plakjes me efekte të dëmshme mbi lëkurën tonë. Stresi shton rrudhat dhe bën që lëkura të humbasë shkëlqimin ndërkohë që të njëjtat efekt ka edhe pagjumësia, por me ndikim më të madh në zonën rreth e rrotull syve.
* * *
Maskë për rigjenerimin e lëkurës në kushtet e shtëpisë
Në kushtet e shtëpisë mund të bëhen maska të ndryshme, duke përdorur përbërës të thjeshtë të dietës sonë të përditshme. Kombinimi i një bananeje të shtypur me qumësht apo i mjaltit me kosin në sasi të barabarta mund të japin maska të përsosura për kujdesin në shtëpi duke u aplikuar një herë në javë. Pas shpëlarjes së tyre me ujë të vakët mund të vendoset një krem zbutës apo kremi i diellit në qoftë se përgatiteni të dilni nga shtëpia. Ndërsa kur flasim për kremra mbrojtës, duhet të kemi parasysh që ata të jenë me faktor 30 e sipër, të përdoren çdo dy orë, të vihen pas djersitjes së fytyrës dhe të vihen edhe pasi kemi dalë nga deti. Mbrojtja ndaj diellit nuk duhet të nisë nga pranvera e në vazhdim, por duhet të jetë e pranishme edhe në stinën e vjeshtës dhe atë të dimrit, ndaj dhe produktet kozmetike që përdoren gjatë ditës duhet të kenë një faktor minimal mbrojtës nga 10 në 15 SPF. Vihet re se shpeshherë këshillat për lëkurën dhe produktet që duhen përdorur jo vetëm në rastet e mirëmbajtjes, por edhe kur ka sëmundje, kërkohen tek njerëz jokompetentë. Problemet e lëkurës dhe njohja e saj duhet bërë përmes specialistit (dermatologut) dhe jo përmes njerëzve që pretendojnë të jenë specialistë, por nuk kanë asnjë formim profesional në këtë fushë.
Kujdesi për veten mbas të 25-ve
“Shenjat e para të plakjes shfaqen rreth moshës 25 vjeç e sipër. Kolagjeni dhe elastina prodhohen në sasi më të vogël dhe e njëjta gjë ndodh edhe me acidin hialuronik. Qelizat e vdekura shkëputen më me vështirësi nga lëkura e për pasojë ngadalësohet procesi i rigjenerimit. Nga ana tjetër, lëkura bëhet më e trashë dhe më e ashpër në prekje. Shenjat e para të plakjes së lëkurës janë: Rrudha fine, lëkurë e hollë, gati transparente, humbje e masës dhjamore nën lëkurë, hollim i faqeve dhe shtim i rrathëve nën sy, lëkurë e thatë, lëkurë që nuk djersin si më parë, por më pak. Ekspozimi në diell në mënyrë të shkujdesur është armiku numër një i lëkurës. Konkretisht ndikon përmes një sërë faktorësh: Rrudha të holla dhe të degëzuara që vijnë si pasojë e elastozës apo procesit të shkatërrimit të elastinës. Krjohen quka e diskolorime të lëkurës në zona të caktuara të saj, shpeshherë në ngjyrë të verdhë, vihen re zgjerimet e vazave të holla të fytyrës. Si pasoja të humbjes së imunitetit lokal të lëkurës, pas ekspozimit në diell, kemi tumore beninje, keratoza aktinike dhe kancere të lëkurës”.
Pesë rregulla për një lëkurë të shëndetshme:
1. Shmangni diellin
2. Pini shumë ujë
3. Shmangni stresin
4. Ushqehuni në mënyrë të shëndetshme
5. Bëni takime të shpeshta me dermatologun.

kjo e fundit eshte falas………..