Pas goditjes në Lazarat, ku u asgjësuan 134 mijë bimë hashashi dhe sekuestruan mbi 70 tonë drogë, duket se Shkodra dhe Kruja janë zonat e tjera që mbajnë rekordin për kultivim. Përveç rreth 40-50 mijë rrënjëve të korrura gjatë këtij viti në këto rrethe, vetëm ditën e djeshme u gjetën në pyllin e Niklës rreth 50 parcela me madhësi të ndryshme të maskuara me pemët dhe shkurret, ku ishin mbjellë rreth 10 mijë rrënjë kanabis sativa dhe në zonën e Shkodrës mbi 17 mijë bimë hashashi. Por jo vetëm kaq, pasi kontrolli i territorit i çoi efektivët e policisë së qarkut Durrës edhe tek sera ku po thaheshin rreth 1 tonë drogë hashash, që u sekuestrua dhe më pas asgjësua me zjarr së bashku me sasinë e korrur. Burime zyrtare thanë se kanë identifikuar edhe autorët e kultivimit të drogës që janë disa banorë të zonës së Niklës dhe i shpallën ata në kërkim. Edhe në Vlorë u asgjësuan rreth dy mijë bimë narkotike në Treblovë.
Në Krujë
Policia e Shtetit bëri me dije se gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar operacione antikanabis në qarqet Durrës, Shkodër dhe Vlorë. Mbi bazën informacioneve të mbledhura në rrugë operative, u organizua një operacion policor për kontrollin e zonave malore të fshatrave Kërcaj, Mukje, Lidar dhe Zgërdhesh të komunës Nikël në Krujë. Gjatë inspektimit u bë e mundur identifikimi dhe asgjësimi i 9991 rrënjë kanabis sativa të shpërndara në parcela të ndryshme. “Por gjithashtu u identifikua dhe asgjësua brenda një sere të posaçme një ton bime hashash, e cila u konstatua në gjendje të korrur dhe e vendosur për t’u tharë”, shpjeguan zyrtarët e policisë për detajet. Gjatë aksionit, përveç policive Krujë dhe Durrës, u përfshinë edhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë. Droga e korrur kishte një gjatësi deri në 1,5 metra dhe po hynte në fazën e pjekjes, por policia tha se kryesisht ishte lëndë narkotike që kultivohet dhe korret për një periudhë dy mujore. Sera ka qenë e gjatë rreth 25 metra, ku ishin varur tela për tharje droge.
Shkodër dhe Vlorë
Gjithashtu nga policia e Shkodrës u identifikuan dhe asgjësuan 2600 rrënjë bimë narkotike, të mbjella në 10 parcela në territorin e komunës Shkrel, në Malësi të Madhe, ndërsa në komunën Pult u identifikuan dhe asgjësuan 14797 bimë narkotike, të mbjella në 114 parcela. Kurse në Vlorë, deri më tani janë identifikuar dhe asgjësuar 1892 rrënjë kanabis sativa, të mbjella në 37 parcela në fshatin Treblovë. Në këto operacione u angazhuan 248 forca policore, të cilët bënë të mundur realizimin me sukses të tyre. Në drejtimin e këtyre operacioneve morën pjesë edhe drejtues e specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Edhe për këto tre raste, megjithëse toka është e regjistruar si publike, po hetohet për të identifikuar dhe arrestuar kultivuesit.
