Diego Lopez është portieri më i ri i Milanit. Klubi kuqezi arriti akordin me Realin e Madridit për transferimin e 32-vjeçarit spanjoll në Milano dhe do të jetë pikërisht Lopez ai që do të mbrojë portën e Milanit në sezonin e ri. Me afrimin e Kejlor Navas te kampionët e Europës nuk kishte më vend për ish-portierin e Seviljas dhe Vilarealit, kështu që Diego Lopez vendosi të transferohet te Milani në mënyrë që të mos shndërrohej në portierin e dytë te “Los Blancos”. Pas bisedimeve të shumta mes Adriano Galianit dhe agjentit të futbollistit Manuel Kuilo, palët arritën akordin. Reali e kishte dhënë që më parë dritën jeshile për kalimin e 32-vjeçarit në Itali dhe detajet e fundit për tu zgjidhur kishin të bënin me kontratën dhe pagën që do të përfitonte portieri spanjoll te klubi kuqezi. Me Milanin Lopez do të nënshkruajë për 4 sezonet e ardhshme ndërkohë që nuk bëhen ende të ditura termat ekonomikë të marrëveshjes. I sigurt është fakti se kuqezinjtë nuk do të derdhin në arkat e Realit asnjë qindarkë për kalimin e Diego Lopez në Milano pasi dy klubet e kishin arritur më parë marrëveshjen për një transferim me kosto zero. Por me afrimin ish-portierit të Realit te Milani nuk ka më vend për Agacin që edhe pse ka vetëm pak kohë që është bërë pjesë e 18-herë kampionëve të Italisë duhet të gjejë një destinacion të ri për të ardhmen e tij.
