Ka disa ditë që në vëmendjen e njerëzve është vjedhja e madhe në bankën e Shtetit Shqiptar dhe ajo që erdhi pas saj, figura kontroverse e Guvernatorit të saj e familjes së tij. Shuma e vjedhur në bankë, për katër vite rresht siç pohoi njeriu që kishte bërë vjedhjen, nuk është e jashtëzakonshme si vjedhje, pasi në përmasa shumë herë më të larta, deri në 20 herë më të larta, kanë ndodhur në Rrugën e Kombit, pikërisht kur ishte ministër i Komunikacionit shefi de jure i opozitës së sotme; kanë ndodhur në tenderime të ndryshme, pas së cilave ministra, deri para mandatimit, pabuksë, janë bërë milionerë të rëndësishëm; por ngjarja bëhet e rëndësishme sepse ajo ndodhi aty ku mendohet se është edhe siguria më e madhe. Në bankën e shtetit shqiptar. Njerëzve u bëri përshtypje shuma e madhe sepse ajo lidhet me bankën, por jo sepse nuk kishin dëgjuar më parë për Gërdecin dhe milionat e atyshëm, të cilat nuk rridhnin nëpër ujëvarat e të dënuarve, por përmes “zenëve” dhe “baxhanakëve”, u bëri përshtypje fakti se një njeri i vetëm kishte katër vite dhe vidhte si në mallin e babait; por jo se nuk kishin dëgjuar se një familje kryeministrore kishte tetë vite që i kishte hipur mbi kurriz gjithë shtetit dhe pasurisë së tij; u bëri përshtypje se në bankë ishin investuar mbi 6 milionë euro dhe ishin vjedhur në të njëjtën kohë shtatë milionë dollarë; por jo se nuk kishin dëgjuar se përmes “investimeve” kishin rrjedhur pasuritë e jashtëzakonshme të ministrave, që ishin shndërruar në kapitale jashtë vendit, investime në pasuri të patundshme, aksione në emër të kunetërve dhe të “familjarëve”. (Për çudi edhe guvernatori Fullani kishte patur një kunat jashtë shtetit që i dhuronte dhjetëra mijëra euro, e po ashtu, çuditërisht, edhe ai i jepte hua njerëzve të tij qindra mijëra euro).
Por, mbi të gjitha, e gjithë kjo që po ndodh dëshmoi se shteti ynë ishte i kapur dhe se struktura të tij, vazhdojnë të jenë të kapura fort nga mafia oligarkike, e shumëfishtë dhe e fuqishme. Mes strukturave të saj, si përmes këmbëve të Oktapodit, lëvizin fijet e një shteti që është përulur, që ende nuk po e rimerr veten, dhe në të cilin, i fuqishmi i parave të vjedhura, të bën edhe ligjin, të detyron heshtjen, të nxjerr në rrugë të madhe, dhe, në fund edhe të burgos. Shumë nga ata që ndodhen aktualisht në paraburgim, pikërisht për çështjen e vjedhjes së bankës së Shtetit, janë cironkat e vogla, ndoshta njerëzit më jashtë kësaj historie, ndërsa peshkaqenët e mëdhenj, të financës dhe të politikës, duke qenë jashtë rrjetës, bëjnë njëkohësisht edhe thurjen e një rrjete të re.
Shteti shqiptar ndodhet para tri rrugëve, dhe ka ardhur koha që përfundimisht të zgjedhë njërën prej tyre. Ai duhet të zgjedhë përmes qëndrimit të vendosur, pa asnjë ekuivok ndaj asaj që ndodhi dhe që tregoi se është vetëm maja e ajsbergut dhe kjo do të ishte rruga e FULL-Hajnit; duhet të zgjedhë mes rrugës së mbrojtjes së krimit, duke u bërë palë me të, dhe duke shkuar në mbrojtjen e tij deri tek halucinacione dhe kjo do të ishte rruga e Berishës, të cilën ai në dy dalje njëra pas tjetrës, çka ndodh rrallë në konceptin e tij, e bëri qartësisht të njohur; ose të zgjedhë rrugën e tretë, që është ajo e heshtjes së plotë, injorimit të gjithçkaje, dhe kjo do të ishte rruga presidenciale nishanlie.
Rruga e parë është më e vështira, por ndoshta e vetmja e domosdoshme. Në piramidën e shtetit ka ende mjaft njerëz të politikës apo të financës të cilët janë pjesë e kapjes së shtetit. Ose më saktë, kanë qenë faktorë të rëndësishëm të kapjes së shtetit. Kjo është një histori që dihet tashmë dhe vetë heshtja ose përkëdhelja që i bënë Nishanit tregon se kapja është ende aktive dhe e fuqishme. Në dy kahet e politikës, por shumë më dukshëm djathtas, ndoshta edhe nga fakti se ishin deri dje në pushtet, Banka e Shtetit Shqiptar ishte kthyer dhe vazhdon të jetë një qendër abuzimi me të drejtën e punës, ku vendi jepej si një qokë për të nderuar ministrin, deputetin, zonjën e parlamentit, të afërmit e kryeministrit, deri tek zonja e parë, e cila, pas u largua “me dinjitet” nga institucioni ku ishte, sepse nuk po i lihej hapësira demokratike për të punuar, gjeti strofullën e saj tek banka e Shtetit. Ishte një haraç i Fullanit për Nishanin apo një paradhënie që Fullani po i jepte Nishanit, kjo nuk dihej aso kohe, por tashmë dihet se ishte kjo e dyta. Edhe një herë, financa dominoi mbi politikën.
Rruga e parë është e vështirë sepse, nën petët e lakrorit që filloi të hiqej, por që nuk do të zbulohen kurrë se si do të jenë më tej, është një konglomerat interesash të rëndësishme, jo për të mirën e vendit, sepse shumë nga ish pushtetarët as nuk ja dinë asaj ane; por për atë që ka lëvizur nëpërmjet fullanëve dhe njerëzve të tjerë. Në më shumë se tetë vite, përmes bankave kanë lëvizur shuma të jashtëzakonshme parash, natyrisht në devizë të huaj. Adresat e tyre në bankat qipriote apo në parajsat fiskale nuk janë të njohura për të gjithë, por janë të njohura për fullanët, të cilët kanë bërë këto transaksione, dhe duke qenë të rrahur me vaj e me uthull me lëvizjet bankare, ndoshta kanë edhe kopjet e tyre. Por edhe pushtetarë të tashëm kanë qenë pjesë e këtyre lëvizjeve, sepse nuk kanë qenë gjithë opozitarë, e për më saktë, disa kanë qenë edhe pjesë e qeverisë. Ndoshta, nga të gjitha vendimet e para të Edi Ramës, ajo që nga kahu socialist nuk thirri në pushtet asnjë nga ish ministrat e djeshëm, ishte më i rëndësishmi për të filluar me një ekip “të pastër”; por jo me të gjithë ka ndodhur kjo.
Në Bankën e Shtetit shqiptar janë pleksur interesa të ndryshme të shumë njerëzve në piramidën shtetërore dhe kërkesa e qeverisë për t’i shkuar punëve deri në fund, sado që u bë me vonesë dhe kur peshkaqenët ia arritën të fshehin të vërtetat e frikshme, ose t’i mbajnë nën sirtar, do të ndeshë po ashtu, në rezistencë. Fakti është se mjegulla që po endet mbi ngjarjen bankare po synon të errësojë të gjithë atë që ka ndodhur. Opozita hodhi flashkën e CEZ, sikur nuk e di më mirë se kushdo tjetër se çfarë fshihet pas asaj katrahure që ka ngritur vetë si një piramidë të jashtëzakonshme mashtrimi dhe përfitimi. Shefi de jure i opozitës tha diçka me gjysmë zëri, nëpër dhëmbë, për vjedhjen bankare dhe kaloi menjëherë në sulmin e radhës kundër qeverisë, duke bërë edhe hesapet se do të paguajnë shqiptarët, sikur të mos dihej se ende ai nuk ka dhënë llogari për magjinë e zhdukjes së më shumë se 200 milionë eurove. Nga ana tjetër, indiferentizmi ministror i deritashëm është i habitshëm, thuajse kjo që ka ndodhur nuk ka lidhje me një ngjarje të jashtëzakonshme, tronditëse. Heshtja e tyre , si një lloj miratimi i heshtur i pasivitetit, sjell heshtjen e protestës qytetare.
Por, në fakt, domeni i shkuarjes deri në fund të punës, është i vetmi për një qeveri që synon rilindjen. Rilindje pa ekonomi dhe pa ndëshkim të krimit, nuk ka e nuk mund të ketë. Sado të përpëlitet qeveria me ngrehina të tjera, asgjë nuk është më e rëndësishme se kjo që përmblidhet lehtësisht në dy gjëra: Ekonomi më frymëmarrëse dhe ndëshkim i krimit. Të tjerat, kanë kohën e tyre. Nëse qeveria e Edi Ramës nuk e bën këtë, por pret që të zgjohet dinjiteti i FULL-Hajnëve, pavarësisht se cili është ai apo ajo, atëherë do të duhet të presë gjithë jetën dhe nuk do e shohë. Qeveria duhet të shkundet për vete, që të shkundë të tjerët. Para vetes dhe brenda vetes ajo ka milionerë që nuk mund të të thonë se si janë pasuruar, ka gjykatës që pranojnë se kanë marrë dhurata qindra mijra eurosh, kanë një Guvernator që është supermilioner, djali i të cilit lahet me shampanjën që ia derdh i ati dhe gjykimet e së ëmës; kanë para vetes ngrehina pasurish që nuk dihet se nga kanë ardhur dhe se si janë bërë; ka transaksione të pambuluara dhe të dyshimta. Të gjitha këto janë detyrë e saj për t’i bërë publike dhe për të vepruar publikisht. Fshehja pas faktit se të gjitha këto janë institucione të pavarura është një alibi e turpshme, sepse askush nuk është i pavarur për të vjedhur shtetin e tij, për të krijuar oligarki mafioze financiare dhe të krimit të organizuar. Në se qeveria nuk e bën këtë, atëherë le të na thotë përse ka ardhur në pushtet…
Rruga e dytë është ajo berishiane. Rruga e mbulimit të krimit, jo fshehtas, jo pas dekreteve, jo pas heshtjes, por ballas, fort, këmbëngulës. Këtë e bëri Berisha. Ai, edhe një herë, tregoi se di të mbrojë të vetët,që i shërbejnë, fort dhe me agresivitet, si ka bërë gjithnjë në karrierën e tij politike dërmuese. Berisha bëri atë që nuk mund të bënte asnjë njeri me mend dhe që nuk lëviz përmes halucinacioneve politike e njerëzore. Ai, deri tani, është i vetmi që mbrojti haptas krimin që ka ndodhur dhe për më tepër, e quajti heroizëm sepse krimi u zbulua nga vetë banka dhe u denoncua po nga ajo. Por kush tjetër mund të zbulonte krimin, vjedhjen, kur banka ishte kthyer në një kështjellë “të pavarur”, ku hynin të gjithë zogëzat, zonjëzat, kunetërit, kunatat, krushqitë e politikës dhe që kishin krijuar një qerthull mafioz, të padukshëm, por luksoz? Kush do ta bënte denoncimin, nëse nuk do e bënin ata që e kishin detyrë të tyre? Ata e fshehën për katër vite gjithë çfarë kishte ndodhur, e fshehën me veprimet e tyre, me meskinitetin e kushërinjve dhe kushërirave, me rrjetin e rehatshëm që kishin krijuar, me rrethin që lëvizte sa tek njëri tek tjetri. Në se nuk do të bënin denoncimin do të ishin tri herë fajtorë; herën e parë sepse lejuan krimin, herën e dytë sepse e fshehën krimin dhe herën e tretë, sepse nuk e denoncuan atë.
Nëse qeveria do të mbajë qëndrimin berishian, kjo do të thotë se ky vend ka mbaruar përfundimisht.
Rruga e tretë që mund të mbajë qeveria është ajo e presidentit të vendit, Nishani. Nuk e besoj se ai njeri do të jetë ndjerë ndonjëherë më keq (relativisht) se sa në këtë rast. Nga njëra anë është gruaja e tij, pjesë e bankës, ku shkoi fshehtas, pasi braktisi një institucion; nga ana tjetër është shefi i tij real që mbron krimin krejt haptas. Ana e gruas, që është edhe ana zyrtare e bankës, i thotë të heshtë; ana tjetër, ajo e shefit, i thotë të flasë. Nishani ka folur disa herë në këto muaj, më së shumti ka folur kundër qeverisë, edhe kur ajo ka qenë dashamirëse me të, edhe kur ajo ka qenë mohuese e tij, edhe kur ajo ka qenë e heshtur ndaj veprimeve presidenciale. Qeveria e sotme i la hapësirë atij për të bërë lojën e vet, gjithnjë brenda një sinori kushtetues; por ai në se do të rrinte vetëm aty nuk do të ishte thjesht një kapter i politikës berishiane. Nishani është njeriu që ende, para se të fillonte punë qeveria, mblodhi këshillin e tij të luftës kundër qeverisë dhe i tha “rezistoni”. Ai bëri thirrje të ketë qëndresë ndaj qeverisë, sepse kjo qeveri, ende pa ardhur është antidemokratike dhe këtë na e sqaroi edhe zonja Nishani kur u largua për arsye “demokratike” nga puna e saj. Nishani deri tani nuk ka dhënë asnjë sinjal për ngjarjen e bankës, e cila është vazhdë e asaj që ka ndodhur prej shumë kohe në këtë vend, por që herë pas here nxjerr majat e saj. Po të flasë Nishani do të duhet të thotë edhe burimet e pasurisë ë tij, si shkollohen fëmijët e tij, si Eriku i fullanëve apo ndryshe; kush i investon studimet e fëmijëve të tij në shkolla jo të lira jashtë shtetit, do të duhej të fliste edhe për pasurinë e mikut të tij, e cila ishte marramendëse vetëm në pjesën e dukshme. Nishani heshti deri tani, do të heshtë edhe më tej. Ai ndodhet mes dy zjarreve: të familjes që i thotë: Hesht; dhe të shefit që i thotë se duhet të flasë.
Nëse qeveria do të ndjekë rrugën e Nishanit , atëherë fare lirisht njerëzit mund t’i thonë: ne e kemi një kapter të politikës, një njeri pa ide, pa vizion, pa dinjitetin e një burri shteti. Nuk na duhet edhe një i dytë, edhe nëse është më i gjatë se sa ai, edhe nëse është më i mençur se sa ai, edhe në se është më i fuqishëm se sa ai. Një kapter ëndrrën më të madh e ka të bëhet nënoficer, ndërsa vendit i duhet një njeri që të vendosë. A do e ketë? Unë besoj se, po. Koha është të dëshmohet.

O DITA !
Ngelet duke i bere reklame indirekte Berishes dhe ca zorzopeve qe i vine rrotull tij !
A ka mundesi te mos ja shohim surratin ketyre ca vite te pakten ne gazeten tone ?!!…
Nxirrni cfare te doni, fundja dhe foto bosh, vetem keta nuk i shohim dot. E kuptojme qe ju intereson te qendroje ne lojen politike Berisha, per arsye te perseritjes se fitores se thelle ne zgjedhjet e ardhshme, si ajo e qershorit te vitit te kaluar, por kjo ka per te ndodhur, edhe pa Berishen protagonist ne PD. Madje edhe ne 2021 do te fitoje koalicioni i majte, jo se dua une, madje une nuk dua te fitoje asnje force politike, nga kjo klase politike e ndotur me poshtersira pa fund, por ja qe kjo eshte E VERTETA! Dhe E VERTETA eshte kokforte !
kete Nishanin mos e nxirrni me se me duket sikur lexoj ndonje gazete arabe
Ka dhe Shqipëria një gjoja President që e ka vendosur Salih Krimineli, por i shkreti është një sakat mendor e fizik që nuk lidh dot as brekët e veta.
Vendin nuk e shpeton me asnje nga partite politike !Partite politike ne shqiperi kane te gjitha te njejten targe ate te PPSH, jane i njejti brume dhe e njejta maja…Mushkonja ka ndruar vetem gomarin!
Nëse qeveria do të ndjekë rrugën e Nishanit , atëherë fare lirisht njerëzit mund t’i thonë: ne e kemi një kapter të politikës, një njeri pa ide, pa vizion, pa dinjitetin e një burri shteti. Nuk na duhet edhe një i dytë, edhe nëse është më i gjatë se sa ai, edhe nëse është më i mençur se sa ai, edhe në se është më i fuqishëm se sa ai. Një kapter ëndrrën më të madh e ka të bëhet nënoficer, ndërsa vendit i duhet një njeri që të vendosë. A do e ketë? Unë besoj se, po. Koha është të dëshmohet.(BI)
Kesaj pyetje ti pergjigjet qeveria…njerezit po presin
Sa mjeran ky Isufaga! Nishani na qenka problemi edhe per fullanin. Ketu na fle e keqja. Pse ore kaq te babezit jeni per te sulmuar te djathten. Po te kujtoj isufaga se per xhuken e pasurise rama qe nuk e donte e shkarkoj ne menyre rrufe. Shkeli kushtetuten,ligjin. Nuk pyeti per asgje. Te mendosh se kjo xhuka eshte nje instituciion disa here me pak i rendesishem se sa guvernatori. Rama ketu thote prokuroria hetimi faktet. Ka nxjerre edhe ca mjeran te flasin kundra tij e dners avete takohet kokem me koke. madje edhe me llallen. Ka mundesi ti kete prmetuar per te mos e shkarkuar ne kembim te miliona eurove dhe po per ta shkarkluar po ve ne jete metodat e komunizmit. Po jua kujtoj Naten futnuin sigurimsit arme ne kishe dhe e kontrollonin ne mengjes. Prifti arrestohej pa e ditur se pse.Ketu fullani e di pse edhe pas kesaj metode. Kur u arrestua Kadriu i Sigurimit(miku i babait te rames) qe bente kerdine ne gjyjge hetime e mjete e forma kriminale te asgjeimit te njerzve kundeshtare ne shqiperi Enveri beri ne mbledhje ku kishte pergatitur skenarin er godityjes nga poshte. Nder tr tjera kadriut i tha E degjon Naunka Bozon(nje idiote) Kadriu ja kthen Po nanunka eshte Naunke e une jam Kadriu. Po ai u pushkatua nga baza(nenkupto partia) Keshtu duket se po pergatitet edhe shkarkimi ne mos dorheqja me fitrma deklarata te socialisteve per ter na i shitur si parimore. O isuf aga te lutem beju serioz se nuk i ha njeri keto. Me e pakta mos u prezanto si idiot. Bej rames ndonje sherbim servilizmi a prej komunistti ku te mos e marre vesh njerzia. Njerzity qe perdoren jane njerzit me te keqinj ne kete bote
Kaq të paaftë jemi ne shqiptarët për të linçuar Berishën dhe berishizmin. Kaq i fortë ky i paudhë sa ta bëjë zap tërë vendin për viti me rradhë edhe pse abuzon tmerrësisht me pështetin?! Si duket fijet e mafjes gjenden përtej oborrit berishian dhe janë ato që e mbajnë gjallë me oksigjen një monstër kombëtare siç është ai.
Ka edhe nje mundesi te katert, e cila cuditerisht per mendimin tim do kenaqe te gjithe lojtaret, me perjashtim te publikut. Por qe ky i fundit dihet tashme sa peshe ka (ndoshta se aq meriton….?!). Ndermarres prodhimi jam dhe si i tille nuk kam kohe te ndjek tragjikomedine e politikes shqiptare, thjeshte jam i vemendeshem qe ky teater te mos me demtoje drejt per drejte si dhe disi nisur nga e ardhmja e femijve te mi. Imagjinoni ju pra, qe me kaq pak kohe ne dispozicion, per mua eshte krejt evidente qe kryeministri, ne bashkepunim me njrezit e galaksise e UET dhe me mbeshtetjen e njerit prej grupeve mediatike me te fuqishme (fokus group me duket se quhet) kane projektuar tek Civici figuren e ardheshme te guvernatorit. Behet fjale per vazhdimesi, prandaj them dhe qe i ve dakort te gjithe. Nga ana tjeter pikerisht nderprerja e vaxhdimesise do ishte kalimi i provimit me te rendesishem moral i kesaj qeverie, imagjio pastaj nese si guvernator te emerohej nje under 45-vjecar, interesi publik do bente Bingo!!
I nderuari Bedri! E kuptoj shqetesimin tend dhe ke te drejte! E kuptoj se Ti e di forte mire qe corapja filloi te cqepet!E kuptoj se per kete te gjatin nuk ka kthim prapa,qe Ti e di mire!E kuptoj edhe kete se kur shkruan per kapterin,shkruan me pertaci sepse nuk ja vlen,por duhet! Vetem nje gje do te kerkoja Une dhe shume te tjere……A ka mundesi te publikosh dosjen e ketij mustaqe mutit????? Une dhe shume te tjere e dime se cili eshte,por shume shqiptare nuk e njofin dhe e quajne vertet president,prandaj ben te mundur dhe postoje misionin e tij.Me rrespekt ndaj teje ne emer te shume shqiptareve!
M`u bene lemsh te tria rruget,por sidomos ajo e para,nuk po ja gjej fillin!
Bedri o derezi ! Thuaj qarte se cili duhet te jete qendrimi i Qeverise se shtetit shqiptar dhe a petputhet qendrimi i kesaj qeverie me detyrimet ligjore te saj ! Shkurt , shqip dhe ne rast se jo , cilat jane pandehmat sipas teje !
“Nxjerrja” e Çeverise si me te “mire” duke e krahasuar me antishqiptare te egër dhe te deklarar dhe provuar si Berishoviçi dhe Nishaniçi , eshte nje tentative turpi nga ana jote !
po foli ai psikopati president e nxjerr sala ne pension