(disa detaje mbi aleancat fluide të grupit parlamentar çam)
REDAKSIONALE
Shpëtim Idrizi është shfaqur triumfator në dukje në mbylljen e këtij sesioni parlamentar. Partia e tij propozoi një sërë amendamentesh për Reformën Territoriale të cilat u pranuan të gjitha pa përjashtim nga mazhoranca e majtë dhe u votuan. Votimi i këtyre amendamenteve jo vetëm përforcoi idenë se çamët kishin arritur objektivin e tyre pragmatik elektoral në këtë reformë, por nga ana tjetër e bënë dhe më të “natyrshme” një aleancë të tyre me mazhorancën. Amendamentet e tyre u pranuan, PDIU bashkoi votat me mazhorancën për t’i votuar, bashkimi i votave ndodhi, ndaj dhe akulli “u thye” me procedurë me akt. Tashmë qarkullon ideja se PDIU me potencialin e 5 votave të saj parlamentare është një fasho e mirë në blindimin e mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama. Por del se situata mund të mos jetë siç duket. Ndonëse të 5 deputetët çamë kanë votuar reformën territoriale, ndonëse Idrizi mori meritat e kësaj marrëveshjeje, në kryesinë e udhëheqësit të saj, tek çështja e numrave dhe e kontrollit dhe influencës së numrave në parlament, Idrizi rezulton se nuk gëzon kontroll mbi 4 votat e tjera të deputetëve çamë, këta të fundit, duket se kanë kërkuar “garanci personale” që e tejkalonin kryetarin.
Pak flirt që me sabah
Sinjalet e Shpëtim Idrizit për një afrim me mazhorancën e majtë nisën që në ditët e para pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Koalicioni PS-LSI nisi funksionimin e tij diku nga muaji Shtator 2013, pasi Berisha konsumoi dhe dy mujorin tranzitor të dorëzimit të qeverisë. Por që më datën 26 Gusht 2013, ende pa nisur qeverisja e të majtëve në një intervistë të botuar në shtyp, Idrizi dha sinjalin e parë publik.
“Kemi krijuar aleanca para zgjedhjeve mbështetur mbi një set parimesh që lidheshin me forcimin dhe ekzistencën e PDIU-së dhe respektimin e programit të saj. Ne s’i kemi borxh askujt, ndaj jemi të lirë në përcaktimet e qëndrimeve tona, bashkëpunim e mbështetjen për këdo për çështjet e integrimit, avancimit të kauzave të të gjithë shqiptarëve e jo vetëm në “Shqipërinë politike”, – shprehej Idrizi. Ky ishte sinjali i parë publik nga Idrizi për të majtën, një sinjal që jo publikisht u amplifikua më tej me qindra telefonata, takime, dreka e darka me persona të rëndësishëm të së majtës për të parë mundësitë e bashkëpunimit. Demokratët e Berishës ishin në dijeni të të gjitha këtyre kontakteve dhe e dinin se Idrizi ishte shumë pranë për ta hedhur hapin. Ata e njihnin atë, jo vetëm e kishin pasur katër vite në koalicion por e garantuan dhe si deputet duke e bërë kandidat të PDIU-së por në listën e sigurt të PD-së. PD-ja doli e humbura e madhe nga zgjedhjet e 23 Qershorit, votat i kishte krejt të pakta dhe me kursim. Sinjalet e Idrizit i cili si i pari i PDIU-së kontrollonte 5 vota, nuk ishin për tu neglizhuar. Por Idrizi i vijoi sinjalet flirtuese me të majtën dhe i intensifikoi së tepërmi gjatë muajit Dhjetor 2013. Ai kërkoi garanci se disa drejtorë dhe zyrtarë shtetërorë të emëruar posaçërisht prej tij në kohën e Berishës, “të liheshin të qetë” gjatë qeverisjes socialiste. Ky ishte momenti kut nga demokratët i erdhi një shenjë paralajmëruese.
“Kam një tip, Qifin në Elbasan.. Do bëhet Qifi deputet, e kupton ti ça bëhet?Kisha një profesor atje, po aha nuk ishte gjë. Me të fortë fitohen zgjedhjet, nuk fitohen zgjedhjet me profesora…”, – shprehej Shpëtim Idrizi në konfidencë për deputetin e PDIU Aqif Rakipi, ndërsa priste fillimin e emisionit “Opinion” ku dhe ishte i ftuar. Mirëpo kamerat dhe mikrofonët ishin në punë njësoj, ndonëse emisioni nuk kishte nisur. Këto filmime të emisionit u shfaqën në ditët e para të janarit të këtij viti në “Klan”, duke i dhënë dhe një sinjal të qartë Idrizit: “Mbaje menderen drejt me ne, e dimë që s’po lë gur pa lëvizur për t’u hedhur majtas”.
Por Idrizi dukej se i kishte idetë e qarta, ai ishte shprehur që më Gushtin e vitit 2013 se nuk i kishte borxh askujt. Nuk do të vononte shumë që të bënte dhe ekspozimin e parë publik.
“Kryeministri Edi Rama së bashku me aleatin e tij, kreun e Kuvendit Ilir Meta kanë preferuar ta ndajnë drekën e të mërkurës me kreun e PDIU-s, Shpëtim Idrizi.
“Kjo drekë është përshkruar nga burime pranë qeverisë si “informale”. Ftesa duket se ardhur nga kryeministri Edi Rama pasi është zhvilluar në ambientet e vilës qeveritare me numër 31, në qendër të Tiranës. Pavarësisht se burimet qeveritare e përshkruajnë drekën si informale, koha kur u organizua dhe vendi në këndvështrimin politik merr një domethënie të veçantë. I ftuari në tryezën e Ramës, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tashmë ka dhënë shenjat e para se ai mund të kthehet në një faktor kyç në zhbllokimin e situatës bojkotuese nga opozita të Komisionit Parlamentar për Reformën Administrative. Ndoshta edhe mund të ketë qenë temë primare e bisedës pasi mjafton që një prej 5 deputetëve të PDIU-së, pjesë e opozitës, të ulet në Komisionin e Reformës Administrative atëherë krijohet kuorumi i nevojshëm për ta avancuar atë.”, – kështu raportonin mediat më datën 12 Shkurt të këtij viti, dy ditë para Shën Valentinit, Shpëtim Idrizi kishte kaluar në aksion, por ishte një aksion dhe takim që e kishte bërë thuajse me mungesë të plotë dijenie të 4 deputetëve të tjerë të PDIU-së, ndaj dhe nga ky takim ai doli me një fitore dhe me një humbje. Fitorja e tij ishte gjetja e kauzës për të nisur negociatat me të majtën, Reforma Administrative dhe roli përcaktues i PDIU në formimin e kuorumit. Humbja i erdhi nga reagimi i 4 deputetëve të vet, Tahiri, Muhedini, Mamo, Rakipi. Ata u ndjenë tërësisht të përjashtuar nga ky veprim i Idrizit dhe nga ai moment mosbesimi mes grupit u intensifikua, katër deputetët e kapën lojën e Idrizit sikundër kuptuan se ai preferonte të fliste në emër të tyre pa ua marrë shumë dorën. Ndaj dhe të katërt nisën të luanin për veten, duke synuar të mos ishin thjesht numra, por të luanin fort, duke shfrytëzuar hapësirat dhe zonat e influencës dhe brenda së majtës, por duke mos harruar dhe detyrimet që kanë andej tej, nga Berisha.
Katër deputetë të pavarur…
Shpëtim Idrizi nuk i ka nën kontroll katër deputetët e vet. Ata përfaqësojnë në këtë moment katër individë që më së shumti po luajnë si deputetë të pavarur dhe po i kërkojnë garancitë direkt tek Rama ose Meta ose në njerëz të afërt rreth tyre, pasi e dinë mirë se Idrizi në çdo rast të kalimit në kampin e majtë, do sigurohet që t’u bëjë vend dhe t’u japë ofiqe njerëzve të tij të besuar, që janë lidhje e tij shoqërore kryesisht dhe mund t’u rezervojë deputetëve vetëm ndonjë influencë modeste. Dashamir Tahiri dhe Tahir Muhedini janë dy deputetë të PDIU-së që kanë lidhje dhe marrëdhënie të vjetra me Partinë Demokratike dhe sidomos me Berishën personalisht. Në paketën fluide të interesave politike shqiptare, mund të tingëllojë si e çuditshme të thuash se ata e kanë bezdi rreshtimin majtas, por e vërteta është se të dy këta deputetë ndihen më komodë me një parti çame të koalicionuar djathtas. Por duke parë degradimin dhe pafuqinë në rritje të PD-së dhe paktet pragmatiste të Idrizit, ata kanë gjetur një pikë bashkimi me të majtën: LSI. Të dy këta deputetë mësohet se kanë krijuar dhe intensifikuar kontaktet me drejtues të LSI-së, në përpjekje për të garantuar influencën e votës së tyre dhe duke dhënë sinjale të qarta se bashkëpunimin mund ta pranojnë por jo me kushte të diktuara nga Shpëtim Idrizi në emër të tyre. Nga ana tjetër deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, ka një kanal komunikimi me disa deputetë socialistë, një ndër ta dhe Tom Doshi, ndërsa Rakipi nëpërmjet këtyre kanaleve ka çuar gjithashtu mesazhin se për të nuk mund të negociojë Idrizi. Në ë njëjtën linjë veprimi duket dhe deputeti i Fierit për PDIU-në Omer Mamo. Nga sa më sipër del e qartë se potenciali i 5 votave të PDIU-së i përfaqësuar nga Shpëtim Idrizi, në fakt nuk përbën një potencial solid, aktualisht 4 prej votave janë vota nën influencën direkte të mazhorancës së majtë dhe përfaqësojnë ndër të tjera dhe 4 vota tërësisht mosbesuese ndaj kryetarit të tyre. Nuk do ishte aspak çudi që në një situatë dhe rrethanë oportune, në Kuvendin e Shqipërisë të ndodhë dhe ndonjë fenomen i cili nuk ka ndodhur më parë: Kalimi i deputetëve të PDIU drejt ndonjë grupi tjetër parlamentar, të PS-së ose LSI-së.
Patenta, miniera…”vende pëllumbash”
Nga Aida Nako
Në Prillin e vitit të kaluar PDIU nisi negociatat për koalicion parazgjedhor me PD-në. Kryesia e PDIU-së mandatoi kryetarin Shpëtim Idrizi, për të negociuar me kreun PD-së, Sali Berisha, lidhur me aleancën para zgjedhjeve të 23 qershorit. PDIU e kishte kushtëzuar aleancën e saj me miratimin e rezolutës çame, një javë para takimit, Kuvendi njoftoi se ajo ishte miratuar në vitin 2004, por nuk ishte botuar në Fletoren Zyrtare. Kaq mjaftoi që PDIU të hapte dritën jeshile për vazhdimin e koalicionit me Berishën, për ta formalizuar. Por duket se Idrizi përtej “hallit të rezolutës”, kishte dhe disa halle të tjera në këtë takim. Ai që prej vitit 2010, kur lidhi koalicionin me PD-në, u komentua gjatë sidomos për “kapjen” e drejtorisë së patentave, duke i dhënë partisë çame një profil prej “kap ç’të kapësh”, ndërsa në fakt kauza e kërkonte me doemos përfaqësimin në rangje të larta të diplomacisë shqiptare ose në pozicione kyçe të selive përfaqësuese diplomatike në SHBA apo gjetkë. E megjithatë, përpara 23 Qershorit 2013, në muajin Prill, Idrizi i dha dhe një shtysë tjetër, taktikës “kap ç’të kapësh”.
Minierat dhe AKBN
Në muajin Prill 2013, Partia për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, nisi një fazë të fortë negociatash me demokratët për të “kapur” sa më tepër nga drejtoritë e lëna nga drejtuesit e LSI-së në disa ministri në Shqipëri. Idrizi ka mundur të sigurojë drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore(AKBN), një drejtori kyçe për licencat në sektorin energjetik dhe të shfrytëzimit të karrierave, por përveç kësaj drejtorie, PDIU ka mundur të marrë edhe RISHMI-n, i cili është reparti përgjegjës për inspektimet në biznesin prej miliona eurosh të minierave. Edhe ky post është një nga ata që konsiderohen “vend pëllumbash” për vetë faktin se licencon ose penalizon në biznesin fitimprurës por edhe shumë të korruptuar të minierave në Shqipëri. Negociatat mes palëve nga ana tjetër vijonin edhe për 6 drejtori të tjera. Idrizi ja përtoi marrjes së këtyre posteve dhe për PDIU-n 6 muaj, deri në Shtator, duket se ishte një kohë e mjaftueshme për t’iu “gëzuar” këtyre drejtorive të reja. Ajo që bën çudi është fakti se ndërsa po luftonte me këmbë e duar për të siguruar sa më shumë poste në qeveri dhe nëpër ministri, pas ikjes së drejtorëve të LSI-së, Idrizi paralelisht jepte edhe sinjale solidariteti dhe afrimi me opozitën, sidomos pas qëndrimit të kësaj të fundit në raport me rezolutën çame të propozuar nga PDIU.
Rezoluta si amanet
Rezoluta e PDIU mbështeti në muajin Prill 2013 përfshirjen e çështjes çame në programin e Rilindjes. Kreu i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, tha asokohe se e vlerëson hapjen e liderit të opozitës ndaj çështjes çame. Idrizi u shpreh se draft-rezoluta e propozuar nga PS-ja shkon në të njëjtën linjë me projektin e PDIU-së në tre momente: Mbështetja në të drejtën ndërkombëtare dhe traktatin e fqinjësisë së mirë, faktin që çështja duhet adresuar politikisht me instrumentet europiane, si dhe detyrimin që qeveria të raportojë dy herë në vit në Kuvend për adresimin diplomatik të çështjes. Idrizi u bëri thirrje të gjitha partive të angazhohen për konsultime të hapura në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, në lidhje me rezolutën që ai ka paraqitur para disa javësh. “Pavarësisht se për partinë tonë çështja çame është boshti kryesor i ekzistencës si parti, ne e kemi bërë të qartë që në fillim dhe gjej rastin sot ta ritheksoj, se ne rezolutën nuk e kemi parë asnjëherë si një dokument ekskluziv të partisë sonë por si një dokument konsensual të gjithë klasës politike. Prandaj i bëj thirrje të gjithë partive dhe deputetëve të kësaj legjislature që t’i përshpejtojnë hapat dhe të miratojnë atë,si një tekst të mirëpranuar nga të gjithë që adreson siç duhet çështjen çame”, tha Idrizi asokohe. Nisur nga deklarata në fjalë duket sikur PDIU ka dy boshte, një të kauzës çame që mbetet programor, parimor, “draftor” por është dhe boshti i drejtorive “vend pllumash”, i cili duket si bosht më konkret dhe ku Idrizi i ka më të qarta idetë.


Cam, cek, cifut….Cami pabese me thike ne brez…
Sa ngjitet nje macd ne xham aq behet mik nje cam…