Maqedonia dhe bllokimi i perspektivës së saj evropiane prej afro një dekade, po ekspozon një problematikë, e cila ka rivënë në dyshim përzgjedhjen e kritereve nga BE dhe politizimin e mundshëm të tyre. Nën kuadrin e kriterit të fqinjësisë së mirë, diplomacia greke ka arritur të zhvendosë problemin kombëtar në nivel evropian, nëpërmjet përdorimit të pushtetit që i jep statusi i vendit anëtar, duke penalizuar në këtë mënyrë Maqedoninë. Por, çfarë po ndodh aktualisht dhe përse integrimi i disa vendeve kandidate po bllokohet në faza të ndryshme të saj, thjesht nga vullneti i një vendi anëtar ? Cili është mekanizmi që lejon këtë zvarritje politike, deri në bllokim dhe si është e pozicionuar BE përballë këtij fenomeni?
Logjika e debatit që prek këtë temë ka një përqasje politike-juridike. Nga njëra anë mekanizmi i vendosjes së kritereve, ka përfshirë edhe vendosjen e një kushtëzimi, që bazohet në principin e fqinjësisë së mirë, që duhet të përmbushet nga vendet kandidate. Nën këtë hapësirë, vendet anëtare kanë sjellë në nivel evropian, problematikat e ndjeshme kombëtare në marrëdhëniet dypalëshe. Synimi është zgjidhja e këtyre problematikave nëpërmjet hapësirës politike, që krijon formati favorizues i kriterit të fqinjësisë së mirë dhe sigurisht edhe pushteti i vendeve anëtare të BE-së. Por, përpjekja për zgjidhje nën një format politik, evropian, sigurisht që ka ekspozuar edhe zhbalancimin e ekuilibrit në trajtimin e çështjeve përballë vendeve në konflikt. Çështjet me karakter thellësisht juridik, nuk mund të trajtohen thjesht politikisht, me ndërmjetësime dhe nën presionin e pushtetit të vendit më të fuqishëm.
Pikërisht këtu bazohet dhe thelbi i shqetësimit juridik. Principi i fqinjësisë së mirë, ka kuadrin e tij ligjor në ligjin ndërkombëtar dhe futja e këtij principi si një nga kriteret për anëtarësim, ka sjellë një shmangie nga kuadri ligjor ndërkombëtar, për të shkuar drejt një zgjidhje me karakter politik në nivel europian. Mirëpo zgjidhja nëpërmjet instancave juridike, është rruga e vetme jo vetëm për zgjidhjen e duhur ligjore, por edhe për garantimin e barazisë mes palëve, gjë të cilën formati politik nuk e mundëson. Kjo i ka dhënë një mundësi reale vendeve anëtare, që të tentojnë nëpërmjet presionit të integrimit të mëtejshëm, të zgjidhin çështje me karakter tejet nacionalist, në një nivel politik evropian. Kjo konfirmohet edhe nga fakti që në të dy rastet si Sllovenia dhe Greqia nuk kanë preferuar zgjidhje juridike nga juridiksioni ndërkombëtar, por kanë preferuar zgjidhje politike në nivel evropian, nëpërmjet presionit të integrimit, ndryshe nga Kroacia ( në parim ishte pro) dhe Maqedonia (ankimoi çështjen në GJND).
Kriteri i fqinjësisë së mirë, është shndërruar gradualisht në një mjet të pastër politik për zgjidhjen e interesave kombëtare. Kjo ka sjellë edhe nacionalizimin e politikave të zgjerimit të BE-së, pasi vendet anëtare po arrijnë të bllokojnë për interesa tejet kombëtare, perspektivën europiane të vendeve kandidate.
Rasti i Maqedonisë
Ndonëse Maqedonia ka marrë statusin e vendit kandidat që prej vitit 2005, ajo nuk ka mundur të hapë ende negociatat për anëtarësim, pasi Greqia nëpërmjet fuqisë së saj diplomatike dhe nëpërmjet hapësirës, që i jep kuadri i fqinjësisë së mirë në politikën e zgjerimit në BE, ka arritur të fusë çështjen e zgjidhjes së emrit, si një prej kritereve që duhet plotësuar. Pra, edhe pse Komisioni Europian i ka rekomanduar Këshillit për të pestën herë, (2009, 2010, 2011, 2012, 2013) hapjen e negociatave me Maqedoninë, Këshilli nuk pranon të shprehet mbi këtë çështje.
Para marrjes së statusit të vendit kandidat, Këshilli i BE-së në vendimin e tij (14 qershorit 2004) të partneritetit me Maqedoninë, ndërsa specifikon prioritetet në fushat kyçe, për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, në paragrafin mbi Bashkëpunimin Rajonal dhe Ndërkombëtar, nuk e parashtron aspak si kriter, çështjen e emrit me Greqinë.
Ekspozimi i këtij fenomeni fillon menjëherë pas dhënies së statusit të vendit kandidat, për të cilën Greqia votoi pro.
Elementi që tërheq vëmendjen është se, pavarësisht se literatura akademike merr si pikë referimi të ndryshimit të qëndrimit të BE-së, ndaj çështjes së emrit, momentin e pas refuzimit të ftesës së Maqedonisë për në NATO (2008), ajo që konstatohet është se edhe në dokumentet e Këshillit të BE-së (2006) kjo pikë figuronte ndër kriteret që Maqedonia duhej të përmbushte. Në vendimin e Këshillit të 30 janarit 2006, çështja e emrit me Greqinë figuron e vendosur në kapitullin politik, nën specifikimin e Çështjeve Rajonale dhe Detyrimeve Ndërkombëtare.
“ Garantimi i bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, kryesisht duke dyfishuar përpjekjet për të gjetur me Greqinë, një zgjidhje të negociueshme dhe të pranueshme nga të dy palët, në lidhje me problemin e emërtimit të vendit, në kuadrin e rezolutave 817/93 dhe 845/93 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara”.
(…)
Pra, edhe pse midis Greqisë dhe Maqedonisë ekzistonte një kuadër ligjor nën “Marrëveshjen e Përkohshme” (1995) se palët nuk do të pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësime në organizata rajonale dhe ndërkombëtare (neni11/1) duke nënkuptuar anëtarësimin në BE dhe NATO, duket se, BE nuk e konsideron aspak bazën ligjore të kësaj marrëveshje. Të paktën këtë konfirmojnë përpilimi i dokumenteve të saj në lidhje me kriteret, që duhet të përmbushë Maqedonia.
Edhe vendimi i Këshillit më 18 shkurt 2008, pak para mbajtjes së Samitit të NATO-s në Bukuresht në fillim të muajit prill 2008, specifikonte ndër kriteret mbi Çështjet Rajonale dhe Detyrimet Ndërkombëtare, detyrimin për gjetjen e zgjidhjes mbi çështjen e emrit me Greqinë duke shtuar edhe frazën mbi evitimin e çdo lloj veprimi të dyshimtë, që mund të përkeqësojë këto marrëdhënie.
“ Të sigurojë krijimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, kryesisht duke dyfishuar përpjekjet për të gjetur me Greqinë, një zgjidhje të negociueshme dhe të pranueshme nga të dy palët në lidhje me problemin e emërtimit të vendit, në kuadrin e rezolutave 817/93 dhe 845/93 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe të evitojë çdo veprim të dyshimtë që mund të dëmtojë këto marrëdhënie.”
(…)
Edhe konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së (dhjetor 2013) ripërsërisnin nyjen bllokuese, çështjen e zgjidhjes së emrit me Greqinë.
Dy janë elementët më të rëndësishëm, në rastin e Maqedonisë, që tërheqin vëmendjen në politikat konkrete të BE-së: mosmarrja parasysh e bazës ligjore nën kornizën e Marrëveshjes së Përkohshme të nënshkruar mes Greqisë dhe Maqedonisë (13 shtator 1995) për mos pengim të palëve për anëtarësime në organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Kjo konfirmohet nga ekzistenca në dokumentet e Këshillit (2006) pikërisht të kësaj pengese, zgjidhjen e çështjes së emrit. Pra, nëse BE do të bazohej në këtë kuadër ligjor tashmë të vendosur mes dy vendeve, nuk do të nxirrte si pengesë të anëtarësimit të mëtejshëm të Maqedonisë, çështjen e zgjidhjes së emrit.
Elementi i dytë ka të bëjë gjithashtu me thelbin e mos marrjes parasysh të bazës ligjore të Marrëveshjes Greqi-Maqedoni. Edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dënoi Greqinë për shkeljen e Marrëveshjes, kjo nuk u shoqërua me asnjë lloj reflektimi në pozicionimin e BE-së. Pra, ky moment, mund të shërbente edhe për dhënien e një impulsi të ri në pozicionimin politik të saj, përballë dy vendeve, duke marrë si shkas argumentimin juridik të GJND-së, shkeljen e Marrëveshjes nga ana e Greqisë, që solli si pasojë pengimin e mundësisë së anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Nëse ky argument mund të përdorej, BE do të pozicionohej e ekuilibruar politikisht dhe juridikisht, përballë përplasjes së Athinës dhe Shkupit zyrtar. Pozicionimi asimetrik i BE-së, nuk ndihmon pozitivisht në zgjidhjen e çështjeve sipas parimit të barazisë, por mund të kontribuojë në përforcimin e mëtejshëm të hapësirave nacionaliste, duke ndikuar në ekuilibrin e paqes dhe sigurisë në rajon. A mund të flasim për një dështim të filozofisë së BE-së, mbi aplikimin e kriterit të principit të fqinjësisë së mirë? Sipas këndvështrimit juridik, sigurisht që po, pasi kjo ka sjellë shmangie nga legjislacioni ndërkombëtar. Edhe sipas këndvështrimit politik, kjo filozofi mund të konsiderohet e dështuar për sa kohë mekanizmi që aplikohet, përcjell mbartjen e standardeve të dyfishta përballë historikut të zgjerimit, është i paqartë në mënyrën e tij funksionuese dhe ka sjellë si pasojë një nacionalizim të panevojshëm të politikave të zgjerimit në BE./im.ta/
