Kur Portugalia e tij u eliminua nga Kupa e Botës, në mendjen e Kristiano Ronaldos u fiksua një objektiv shumë i rëndësishëm për t’u realizuar gjatë kësaj vere. Pavarësisht temperaturave të larta, luzitani është munduar të shijojë pushimet bashkë me të dashurën dhe miqtë e ndërkohë është përgatitur me vendosmëri për ta lënë pas dëmtimin, që të jetë në fushë për Superkupën e Europës. Nga stafi mjekësor ka patur zëra që nuk e kanë rekomanduar praninë e yllit portugez ndaj Seviljas, megjithatë Kristiano do të jetë titullar të martën. Ky është vendimi është kanë marrë bashkarish nga trajneri Ancelotti dhe sulmuesi. Superkupa e Europës është trofeu i vetëm që mungon në palmaresin e pasur të Ronaldos dhe për këtë arsye ai ka punuar intensivisht me fizioterapistin, si dhe është stërvitur pa pushim që të jetë në Kardif. Kjo finale pa dyshim që është shumë e rëndësishme për Realin e Madridit, por më emocionuese do të jetë për uellsianin Garet Bejl, i cili do të luajë për herë të parë në shtëpi si lojtar i “Los Blancos”. “Kur mora vesh se Superkupa e Europës do të luhej në Kardif, mendova se duhet të fitonim patjetër në Champions League. E gjithë familja dhe miqtë e mi do të jenë aty. Do të jetë një ditë shumë e veçantë dhe emocionuese për mua”. Bejl është i vendosur që me rikthimin në qytetin e lindjes të provojë edhe një herë se sa shumë vlerë ka për Realin e Madridit. Në vitin e tij të parë, uellsiani i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë duke u treguar deçiziv në shumë takime e sidomos në finale të rëndësishme si ajo e Champions League apo në Kupën e Mbretit.
