Në fund letra ka firmën e presidentit të Benfikës, Luis Filipe Vieira dhe ky është teksti i komunikimit që klubi portugez ka patur për Juventusin: “Pushoni së biseduari me agjentin e lojtarit tonë Luizao, ose në të kundërt do t’ju denoncojmë në FIFA”. Në orët e fundit në klubin e rrugës Galileo Ferraris ka mbërritur një ankesë zyrtare nga ana e Benfikës, e cila i kërkon torinezëve që të ndërpresin në mënyrë të menjëhershme bisedimet me mbrojtësin brazilian, por me pasaportë portugeze, Luizao. Benfika, e cila ka deklaruar se nuk ka asnjë qëllim që të shesë lojtarin, nuk do të pranojë më që të lihet jashtë bisedimeve nga ana e Juventusit.
Ankesa – Lajmi i ankesës së dërguar nga Benfika për Juventusin është raportuar dje nga gazeta portugeze “O Jogo”, e cila citon burime brenda Benfikës dhe publikon një pjesë të letrës së firmosur nga presidenti Vieira. “Nëse nuk do të ndërprisni menjëherë komunikimin me agjentin e mbrojtësit Luizao, hapi tjetër i Benfikës do të jetë ai i prezantimit të një denonvimi në FIFA në bazë të paragrafit 3 të artikullit 18 të rregullores së FIFA-s, sipas të cilit një klub që dëshiron një lojtar të federuar si profesionist, duhet më parë të bisedojë me klubin e tij, duke paraqitur edhe një kërkesë dhe më pas mund të bisedojë me lojtarin.”
Historia – Në ditën e festës në Itali më 15 gusht, Juventusi hapi një front të ri në merkato: Luizao. Kujtojmë se klubi bardhezi është në kërkim të një qendërmbrojtësi për të zëvendësuar të dëmtuarin Andrea Barzalji. Bardhezinjtë kanë nisur kontaktet me agjentin e brazilianit, nga i cili kanë patur një gatishmëri maksimale, por projekti ishte që ta sillnin në Torino vetëm nëse Benfika do ta lironte nga kontrata me kosto zero. Nga ana e vet Benfika jo vetëm që ka refuzuar, por ka mbajtur një pozicion të qartë: “Luizao nuk shitet, është i pashitshëm”. Kjo është ajo që ka thënë presidenti i portugezëve në një intervistë për një televizion portugez. Tani historia rrezikon të përfundojë në zyrat e FIFA-s.
