Oficeri i SHISH nuk pranon dorëzimin

redaktor

Agjenti i SHISH, i cili akuzohet për vrasjen e pronarit të servisit Florian Selmani te Fusha e Avioacionit mëngjesin e së shtunës, refuzon të dorëzohet në polici. Negociatat që vijojnë prej më shumë se 48 orësh nuk kanë arritur të bindin oficerin që të përballet me ligjin. Megjithëse krerë të lartë të Policisë së Tiranës, por edhe eprorët e tij në SHISH, kontaktuan familjarët që të bindnin Mzhikën, negociatat dështuan. Pritet që 45-vjeçari të reflektojë dhe të pranojë të dorëzohet duke e klasifikuar krimin si një vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes. Selmani u vra pas një sherri për gomën difektoze të makinës së Mzhikës, i cili pretendoi se pas çarjes së saj rrezikoi të bënte aksident me familjen. Debati degjeneroi në kërcënime dhe dhunë fizike, derisa oficeri shkoi në shtëpi, mori armën e shërbimit dhe qëlloi me dy plumba 33-vjeçarin në sy të vëllait të tij.

Më shumë se 20 persona janë shoqëruar në polici deri ditën e djeshme, për të dhënë dëshminë e tyre në lidhje me vrasjen e pronarit të gomisterisë. Xhevahir Mzhika, oficer i SHISH është ende në arrati, ndërsa operacioni për kapjen e tij ka vijuar edhe gjatë natës. Largimi i autorit të krimit në këmbë nëpër rrugicat e “Fushës së Aviacionit” në Tiranë, ka bërë që të humbë shpejt gjurmët dhe për pasojë të vështirësojë edhe kapjen e tij nga policia.

Ndërkaq mësohet se vëllai i viktimës Florian Selmani, ka shpëtuar për mrekulli nga plumbat, pasi punonjësi i SHISH ka qëlluar në drejtim të të dy vëllezërve për t’i vrarë pas sherrit banal. Sipas policisë, fillimisht Xhevahir Mzhika është goditur me mjete të forta nga dy vëllezërit Selmani dhe më pas është larguar, duke u kthyer i armatosur dhe ka qëlluar mbi 33-vjeçarin nga Saranda, që prej disa muajsh ushtronte këtë aktivitet privat në kryeqytet.

Burime të policisë zbulojnë se shkak i ngjarjes së rëndë ka qënë një aksident i lehtë që oficeri i SHISH ka pësuar pranë Kthesës së Kamzës, ndërsa ishte nisur për pushime me familjen e tij. Gjatë udhëtimit ka plasur njëra prej gomave, që kishte riparuar një ditë më parë në servisin e vëllezërve Selmani dhe për pasojë familjarët e tij kanë marrë plagë të lehta. Kaq ka mjaftuar që Xhevahir Mzhika të fajësojë pronarët e servisit dhe të konfliktohet me ta, duke kërkuar edhe dëmshpërblim.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *