Në edicionin informativ të një prej TV-ve tona kombëtare, koka e lajmit që paraprinte kronikën mbi një masakër të rradhës së ISIS në Irak, kishte dhe frazën ‘kthim në mesjetë’, kjo, në funksion të paraqitjes sa më dramatike të asaj se ç`po bën një i ashtëquajtur Shtet Islamik i Shamit dhe Levantit.
Në rastin konkret, thuhej se ishte kryer një masakër kundrejt një popullate jomyslimane, e cila nuk kishte pranuar të ndërronte fe, pra të bëhej myslimane.
Por në tekstin e kronikës, nuk shtjellohet, e madje as përmendej më, se për ç`arsye ishte përdorur ‘mesjeta’ në tekstin e kokës së lajmit. Pa ndonjë ngarkesë të caktuar pezhorative, në fjalorin historik Mesjeta është një periudhë e caktuar e historisë njerëzore, me datim e ngjarje të përcaktuara, ku thjesht luan rolin e një referimi kohor. Ndërsa kur merr ngarkesa të tjera, sidozot negative, shërben si referim për një kohë të trazuar me zhvillime, që parë nga stadi i tanishëm, ngjajnë tejet absurde; si fjala vjen kryqëzatat apo inkuizicioni.
Por ja që këto të fundit, nuk kanë lidhje me ISIS-in, të paktën në motive, se ndoshta në ushtrim dhune po. E nëse do niseshim për ta emërtuar si mesjetar çdo akt dhune sot në botë, që në fakt vuan nga mizori të shumta po aq sa në mesjetë, kjo nuk ka pse përdoret vetëm në rastin e krimeve të ISIS-it, por dhe fjala vjen, të Izraelit, ndonëse nuk përdoren shpatat por bombat. Keqkuptimi tjetër prej përdorimit pa vend të një termi si ‘mesjetë’, me vokacion që nis nga kohorja e vijon me një kuptimore të zgjeruar, ka të bëjë me motivin e krimeve të ISIS-it, që është mosndërrimi i fesë.
Mesjeta si periudhë, njeh luftra me motive fetare, e në to, dhe masakra me të njëjtin motiv, (kemi dhe Sebrenicën e kohëve moderne), por nuk njeh të tilla nga inati se përse nuk e ndërron fenë. Përndryshe, përdorimi i ‘mesjetës’, duhej të shoqërohej dhe me një rast konkret marrë nga ajo periudhë, për të qenë sa më i plotë dhe i justifikueshëm. Eshtë njësoj si të thuash se teksti i kokës së lajmit ishte tejet mesjetar, ndërkohë që në mesjetë nuk ka patur as televizione, as redaksi, me redaktorë, as gazetarë, e aq më pak kokë lajmi!/Ermir Hoxha
