I dashur lexues! Ky kongres i mbetur në projekt, (1916) ishte nismë e disa rretheve politike shqiptare me Aqif Elbasanin në krye, për një kuvend patriotik që do të ripohonte pavarësinë e Shqipërisë dhe do të krijonte një qeveri shqiptare. Kongresi ishte thirrur në kushtet e Luftës së Parë Botërore kur Shqipëria ishte e pushtuar nga forca të armatosura të dy grupeve të mëdha ndërluftuese, dhe do të hapej më 16 mars në Elbasan, që ndodhej nën territorin e pushtimit austro-hungarez. Në këtë tubim ishin thirrur të merrnin pjesë përfaqësues shqiptarë nga krahinat nën pushtimin austro-hungarez, nën atë italian, bullgar, por edhe përfaqësues nga Kosova. Pati madje përgatitje për pjesëmarrje edhe nga diaspora shqiptare në Zvicër, Rumani e Bullgari. Gjithsesi, autoritetet pushtuese në Elbasan vendosën ta bllokojnë, pasi binte ndesh me projektet aneksioniste të Austro-Hungarisë.
