E pajtojnë si taksi në plazhin e Durrësit, por më pas e marrin peng duke e lidhur, kërcënuar dhe në fund grabitur me armë. Është dashur një aksident rrugor gjatë arratisë, që 3 agresorët tashmë të identifikuar, nga Laçi, të zbulohen dhe shpallen në kërkim nga policia e Durrësit.
Një prej tyre u arrestua pasditen e djeshme dhe 2 të tjerët janë ende në kërkim. Vetë taksisti V. Gj., 56 vjeç, banues në Durrës, ka rrëfyer minutat e terrorit të përjetuar, duke dhënë edhe dëshmi për autorët që nuk i njihte dhe ishin të pamaskuar. Ai është hedhur nga taksia dhe më pas u la i lidhur afër Thumanës, teksa mjeti “Benz” u gjet i aksidentuar pak kilometra më tej.
Policia tha se i arrestuari është Marjan Gjoka, 24 vjeç, banues në Laç, me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vjedhjeve dhe grabitjes. Dy emrat e bashkëpunëtorëve nuk u publikuan për shkaqe hetimore.
Ngjarja
Ka qenë vetë dëshmia e taksistit 56-vjeçar dhe më tej aksidenti i ndodhur që ka zbardhur gjithçka. Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së enjte, tre të rinjtë që janë hequr si pushues që kishin qëndruar deri vonë në lagjen nr. 13 Plazh të Durrësit, kanë pajtuar afër Plepave një nga taksitë.
Kanë kërkuar pikërisht mjetin “Benz” metalizato, me targa DR2459E të drejtuar nga V. Gj., banues në këtë qytet, që punonte si taksist, por jo me targa të verdha. Tre të rinjtë, mes të cilëve edhe i arrestuari Marjan Gjoka, 24 vjeç, nga Laçi, i kanë kërkuar shërbim dhe koston e udhëtimit.
Pasi kanë rënë dakord për udhëtimin drejt Laçit, janë nisur. Por pikërisht, kur kanë kaluar fshatin Rashbull, një prej agresorëve, i armatosur, ka kërcënuar taksistin që të ndiqte itinerarin që do i thoshin. Në këto momente edhe e kanë lidhur brenda makinës deri në Fushë-Krujë. Aty, me pistoletë te koka e kanë detyruar të hidhet nga mjeti, përsëri i lidhur, duke e lënë në mes të rrugës dhe natës.
Ndjekja
Por arratisja e tre grabitësve që i morën makinën, portofolin dhe sendet personale taksistit, nuk ka zgjatur shumë. Vetëm pak kilometra më tej, afër Thumanës, ata u përfshinë në një aksident duke dalë nga rruga në shpejtësi dhe goditur mbajtëset anësore.
Të trembur edhe nga ndjekja e policisë, janë larguar me vrap. Policia e gjeti makinën të dëmtuar në pjesën e pasme të saj dhe nga verifikimet e kryera dhe gjurmët e gishtrinjve u identifikua shumë shpejt një prej agresorëve, që kishte precedentë penalë.
Taksisti ka ndihmuar grupin hetimor për të zbardhur ngjarjen, duke dhënë detaje rreth autorëve dhe paraqitjen e tyre. Rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme, Marjan Gjoka u lokalizua dhe arrestua në qytetin e tij, ndërsa 2 shokët e tij u shpallën në kërkim. Ndaj tyre rëndon akuza e “grabitjes me dhunë” dhe “armëmbajtjes pa leje”.
