Pas tre viteve mungesë në kategorinë superiore Elbasani rikthehet në elitë, me një përballje të vështirë në debutim, ndaj kampionëve të Skënderbeut. Verdheblutë kanë kohë pa shijuar aromën e superiores dhe dëshira për të bërë mirë është e madhe. Kapiteni Erjol Merxha shpreh kënaqësinë e këtij rikthimi të Elbasanit në mes më të mirëve të futbollit shqiptar, duke bërë të ditur se skuadra është e përgatitur të qëndrojë gjatë aty.
“Është kënaqësi rikthimi në Kategorinë Superiore dhe mendoj se e meritojmë. Ne jemi stërvitur dhe përgatitur për të qëndruar në elitë edhe pse për momentin nuk jemi mirë nga ana financiare”, deklaroi Merxha për “Supersport”.
Rikthimi pas mungesës 3-vjeçare vë përballë kampionët e katërfishtë të vendit Skënderbeun, skuadrën pretendente për të fituar sërish titullin kampion. Për kapitenin Merxha shanset janë të barabarta, edhe pse kjo sfidë luhet në “Qemal Stafa”.
“Është ndeshje e fortë pasi ata janë katër herë kampionët. Nëse do të luanim në fushën tonë nuk do ta diskutonim fitoren, ndërsa në ‘Qemal Stafa’ mendoj se shanset janë të barabarta”, theksoi veterani.
Fillimi i këtij sezoni do ta shohë Elbasanin të luajë larg shtëpisë në javët e para, në pritje të ndërtimit të stadiumit të ri.
