Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u bëri thirrje të shtunën nga Vlora të gjithë prindërve që janë duke menduar shkollimin e përshtatshëm të fëmijëve të tyre, që t’i hedhin sytë nga arsimi profesional.
Sipas ministrit Veliaj, në këtë periudhë regjistrimesh në shkollat e vendit, prindërit kanë mundësi të zgjedhin dhe të bëjnë dallimin midis një diplome dhe një arsimi që ofron punësim të sigurtë.
Këto deklarata Veliaj i bëri gjatë vizitës së tij në shkollën e mesme industriale “Pavarësia” në Vlorë, pjesë e turit promovues që ai po zhvillon nëpër të gjitha shkollat profesionale të Shqipërisë.
“Arsimi profesional është një arsim që ofron punësim. Punëdhënësi më i madh sot është privati, jo shteti. Privati nuk pyet i kujt je apo për cilën parti ke votuar, por pyet çfarë di të bësh me duart e tua”, u shpreh Veliaj.
Ai theksoi se një shkollë e tillë, si shkolla e mesme Industriale “Pavarësia” e Vlorës, është një destinacion ideal për çdo prind, i cili kërkon ta shohë fëmijën e tij të punësuar në fund të procesit arsimor.
“E kemi nisur këtë tur nëpër shkollat tona profesionale, si nevojë për të inkurajuar sa më shumë prindër që t’i drejtohen shkollave profesionale, kur vjen puna tek vendimmarrja për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, tha ai.
Veliaj shtoi se statistikat kudo në botë, por edhe në Shqipëri, tregojnë se kush ka arsim profesional është më i punësueshëm dhe më i punësuar se sa një kategori tjetër që ka ndjekur gjimnazin e përgjithshëm ose zotëron një diplomë si ato që janë prodhuar me shumicë në tetë vitet e fundit.
Shkolla e mesme industriale “Pavarësia” funksionon që prej 42 vitesh dhe degët që ajo ofron janë: teknologji informacioni dhe komunikimi, elektroteknikë, teknikë ndërtimi, termohidraulikë, mekanikë dhe automobila.
