Materialet plastike, problemet në aftësitë seksuale dhe tek fëmijët

anazapta

Objektet plastike në përgjithësi janë toksike për t’u prodhuar, toksike për t’u përdorur dhe toksike për t’u shkatërruar. Ato  ashtu ndikojnë dhe në shfaqjen e devijimeve fizike dhe të sjelljes së fëmijëve.

Vepror Hasani

“Në fillimet e tyre prodhimet plastike ngjallën entuziazmin e shumë njerëzve për disa cilësi pozitive të tyre, lidhur me komoditetin dhe lehtësinë e tyre në përdorim, – shpjegon për lexuesin e gazetës “Dita” prof. as. dr. Eqrem Meçollari. – Sot, – shton ai, – prodhimet plastike gjenden kudo dhe janë bërë pjesë e pandarë e jetës dhe veprimtarisë së njerëzve. Por në vendin tonë, ku njerëzit nuk janë mësuar t’i hedhin ato në vendet e caktuara, ato tashmë janë bërë problem kaq i madh ndotjeje, sa është shumë e vështirë, por jo e pamundur që të shmangen. Me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë shkencëtarët kanë gjetur fakte se prodhimet plastike mund të fshehin një kosto për shëndetin tonë”.

“Disa plastika  të zakonshme lirojnë kimikate të dëmshme në ajrin, ushqimet  dhe pijet tona. Ndoshta ato nuk mund të shihen me sy ose të shijohen, por kur vaktet tona të ngrënies shërbehen në plastikë, ka të ngjarë që ne të hamë nga pak plastikë për çdo vakt. Përtej rreziqeve shëndetësore të menjëhershme, përdorimi në rritje i plastikës është duke shkaktuar një ndotje të madhe të qëndrueshme.

“Sendet plastike kanë qëndrueshmëri të lartë ndaj faktorëve të ambientit të jashtëm dhe ato qëndrojnë në atë gjendje dhe pas copëtimit të tyre. Edhe në rastet e djegies së tyre, ato shkatërrohen me vështirësi, teksa çlirojnë kimikate toksike. Hedhurinat e prodhimeve të ndryshme plastike grumbullohen në hapësira  gjigante të mbeturinave në dete e oqeane, duke shkaktuar ndër të tjera, gëlltitjen e copave plastike toksike nga peshqit në një masë të tillë, e cila së shpejti do t’i bëjë ata të pasigurt për t’u ngrënë nga njerëzit”.

Më konkretisht, si ndikojnë këto materiale te shëndeti i njeriut?

Ne, qysh nga mëngjesi, gjatë gjithë ditës dhe bile dhe kur shkojmë të flemë, jemi në kontakt me objekte të shumta plastike që na rrethojnë, por asnjëherë nuk i bëjmë vetes pyetjen nëse këto objekte plastike të zakonshme  kanë ndonjë  efekt  negativ mbi shëndetin tonë ose për shëndetin e fëmijëve tanë. Kimikatet toksike të përdorura në prodhimin e plastikës, të tilla, si: Bisphenol (BPA), të cilat janë të pranishme në jetën tonë dhe aktivitetet e përditshme, kanë  efekte të dëmshme në zhvillimin dhe rritjen natyrore  të njeriut, shpesh të njohura si përçarje endokrine.

Kimikatet që gjenden në ekranet kompjuterike dhe ndenjëset e makinave, perdet e dushit  dhe shampot, shishet plastike me ujë etj, na ekspozojnë ne dhe sidomos fëmijët tanë, para rrezikut të vonesës zhvillimore dhe pengesave riprodhuese, duke përfshirë dhe rënien e aftësisë seksuale  dhe ndjeshmëri të lartë ndaj disa sëmundjeve kanceroze.

Për gratë shtatzëna dhe me fëmijë në gji, për të rinjtë, si dhe për zhvillimin e fëmijëve, këto ekspozime mund të kenë ndikime serioze, duke përfshirë ristrukturimin e rrugës së  zhvillimit dhe duke i bërë fëmijët të ndjeshëm ndaj tumoreve të ndryshme. Po ashtu ndikojnë dhe në shfaqjen e devijimeve fizike dhe të sjelljes së tyre. Objekte plastike në përgjithësi janë toksike për t’u prodhuar, toksike për t’u përdorur dhe toksike për t’u shkatërruar. Në  industrinë tekstile 60 për qind e të gjithë prodhimit të polyethelene terephthalate (PET) shkon për prodhimin e fibrave dhe vetëm 30 për qind për prodhimin e shisheve.

Si mund të minimizohen efektet negative?

Për të ulur sa më shumë të jetë e mundur efektin negativ të përdorimit të tyre duhet që të bëjmë zgjedhje më të sigurta. Puna e parë që duhet bërë, është veprimi për zvogëlimin në shkallë sa më të madhe të përdorimit të sendeve plastike. Ato duhet të zëvendësohen me alternativa natyrore, si: tekstilet, druri, qelqi, çeliku etj.

Gjithashtu, duhet të pakësohen sa më shumë ose të eliminohen fare paketimet me materiale plastike. Kur jemi të detyruar të blejmë sende plastike, duhet të zgjidhen produktet që mund të riciklohen apo mund të ripërdoren. Përveç kësaj, duhet të njihet natyra e sendeve plastike.

Shumica e prodhimeve plastike të përdorimit të përditshëm kanë një kod rrëshirë me një simbol në formë trekëndëshi me “shigjeta ndjekëse”, i cili në mes mban një numër. Ky simbol zakonisht gjendet i shënuar në etiketë në pjesën fundore të produktit. Ky simbol është krijuar në vitin 1970, me rastin e kremtimit për herë të parë të “Ditës së Tokës” dhe sot përdoret si kod ndërkombëtar. Gjithashtu, ekziston një kod ndërkombëtar dhe për materialet e tjera si për letrën, metalet, drurin, qelqin etj. Simboli tregon se produkti është i riciklueshëm. Treguesi më i rëndësishëm i këtij simboli është numri brenda tij, i cili tregon klasën e përgjithshme të rrëshirës që është përdorur për fabrikimin e objektit. Më 1988, Shoqata e Industrisë Plastike i ndau ato në mijëra tipe plastike në 7 grupe .

Çfarë duhet të dijë një qytetar për të respektuar kodin?

Nga shtatë tipet e përcaktuara, vetëm dy prej tyre “Polyethelene terephthalate” (PET), e njohur si tipi 1 dhe “High Density Polyethelyne” (HDPE) ose tipi 2 janë tipike të grumbullueshme dhe të përpunueshme. Disa prej këtyre rrëshirave nuk janë të riciklueshme plotësisht, si tipi 6 dhe 7 ose janë rrallë të riciklueshme.

Duhet që të respektohet kodi i riciklimit (1-7) në produktet plastike. Nëse ato nuk janë të etiketuara,kërkoni nga prodhuesit e tyre për t’u treguar në lidhje me përdorimin e tyre. Blej produktet më pak toksiket (2 HDPE, 4 LDPE, dhe 5 PP). Përpiquni të shmangni 3 PVC-të, 6 PS, dhe 7 polycarbonate. Në tipin 9 ose ABS përfshihen ABS (Acrylonitrile Butadiene stirenit), SAN (Styrene Acrylonitrile), Acrilick dhe polyamide.

Këto plastika mund të jenë një alternativë e sigurt, sepse ata janë zakonisht shumë të qëndrueshme dhe rezistentë ndaj nxehtësisë të lartë dhe lëshojnë më pak toksina të dëmshme. Defekt i tyre është se ata nuk janë zakonisht të riciklueshme dhe disa kanë nevojë për kërkime shtesë të sigurisë së tyre. Plastikat e reja me bazë bimore, biodegraduese  si PLA (Acidi  Polylactic), gjithashtu i përkasin kësaj  kategorie.

Kur nuk arrijmë t’i shmangim dot këto sende, çfarë do të rekomandonit ?

Për të qenë më të sigurt për shëndetin, duhet që të blihen dhe të ruhen ushqimet  në enë qelqi, qeramike ose kontenierë çeliku. Nëse përdoren enë plastike për ruajtje, duhet të siguroheni që ushqimet e nxehta të jenë ftohur para vendosjes së tyre në enë. Duhet theksuar se ushqimet yndyrore dhe acide ndihmojnë  lëshimin e toksinave, kështu që për këto lloj ushqimesh duhet të përdoret detyrimisht enë prej qelqi.

Enët plastike nuk duhet të ngrohen dhe nuk duhet të përdoren në mikrovalë. Të shmanget sa më tepër të jetë e mundur përdorimi i enëve plastike që nuk kanë identifikim, në paketimin e ushqimeve dhe pijeve të ndryshme. Shishet plastike dhe kutitë e ruajtjes së ushqimeve  që janë të veshura, të  gërvishtura ose nuk mund të identifikohen, duhet që të riciklohen ose të hidhen jashtë.

Gërvishtjet bëhen baza  e shtimit të bakterievet dhe porta e mundshme për lëshimin e toksinave helmuese. Mund të zgjatet jeta e objekteve plastike duke i larë ato me kujdes me një sapun të butë.

Çfarë mund të na thoni për lodrat plastike që përdorin fëmijët?

Për biberonët lodër të fëmijëve duhet të gjenden zëvendësuese të sigurt për gojën e fëmijëve tuaj. Kur konstatohet se ndonjë orendi plastike lëshon një erë të dallueshme, duhet zëvendësuar me një objekt të sigurt ose hidheni jashtë në plehra për të larguar erën e saj.

Lodrat më të sigurta për fëmijët  janë ato të bëra nga druri dhe tekstilet natyrale si pambuku organik ose leshi. Shmangni lodra dhe biberona të bërë nga Polivinilkloruri (PVC) dhe shishe fëmijësh të bërë nga plastika polycarbonate. Këto plastike përmbajnë kimikate të dëmshme në veçanti.

Cilat do të ishin disa nga këshillat që nuk duhen harruar?

Në vend që të blini ujë në shishe plastike, përdorni ujin e rubinetit tuaj në një shishe uji prej çeliku  inoks për ta mbajtur me vete gjatë lëvizjeve të përditshme. Për të mbështjellë ushqimet, përdorni  letër ambalazhi, letër dylli apo çanta celuloze. Për të bërë pazarin përdorni çanta prej pëlhure. Duke reduktuar përdorimin nga ana juaj të plastikës, reduktoni ndotjen që i jep fund kontaminimit të ajrit që thithim, të ujit që ne pimë, dhe të ushqimit që ne hamë.

Për një shëndet më të mirë duhet të zgjidhen ushqime të freskëta, të ngrira dhe të thata dhe jo ato që janë të konservuara. Shumica e kanoçeve metalike janë të veshura me një rrëshirë plastike që përmban hormonin  disruptor të BPA-së. Shmangni produktet prej vinyli dhe lëkure fallco (PVC). PVC është i njohur si “helm plastik”, sepse ai çliron kimikate jashtëzakonisht të dëmshme gjatë prodhimit dhe djegies së tij dhe nuk riciklohen.

Ai gjithashtu ka shumë aditivë shumë të rrezikshme, si plumbi, kadmiumi dhe phthalates që i lëshon jashtë. Mirë është të mos përdoren takëme plastike për ushqimin tuaj, por enë dhe pajisje porcelani, qelqi, metali, druri dhe materiale të tjera natyrale. Mundohuni të gjeni materiale natyrore kur jeni duke blerë sende dekoratave, orendi, si dhe mallra të tjera shtëpiake. Problemet e prodhimeve plastike janë në rritje dhe komplekse, të cilat së bashku, përbëjnë një sfidë serioze për mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Prandaj, të gjithë duhet të bëhemi pjesë e zgjidhjes së këtij problemi duke shmangur sa më shumë të jetë e mundur objektet plastike.

Pra, duhet që të respektohet  kodi i riciklimit (1-7) në produktet plastike. Nëse ato nuk janë të etiketuara, kërkoni nga prodhuesit e tyre për t’u treguar në lidhje me përdorimin e tyre. Blej produktet më pak toksiket (2 HDPE, 4 LDPE dhe 5 PP). Përpiquni të shmangni 3PVC-të, 6 PS, dhe  7 polycarbonate.

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *