Letër e nënshkruar
Daut Zeraj
Me fillimin nga puna të Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare një çështje e shumëdiskutuar sidomos nga opozita e sotme, ishte respektimi i ligjit Për Statusin e Nëpunësit Civil. Nisur dhe nga një prononcim i ministres zj.Harito për një rishikim të ligjit, vlerësoj se disa dispozita të tij duhen ndryshuar dhe të tjera duhen shtuar për ta bërë atë të thjeshtë në zbatim dhe në funksion të objektit dhe qëllimit të tij.
Kjo pasi Ligji nr 152/2013 dt30.05.2013 Për Statusin e Nëpunësit Civil në një vështrim të përgjithshëm më shumë krijon se i zgjidh problemet në emërimet dhe lëvizjet në administratën publike. Madje në pamje të parë të krijon përshtypjen se ligji është hartuar në mënyrë të tillë, qëllimisht nga mazhoranca e mëparshme për të garantuar vendin e punës të të emëruarve të saj.
Edhe V.K.M nr 171 dt 26.03.2014 Për Transferimin e Përhershëm dhe të Përkohshëm të Nëpunësve Civilë si dhe udhëzimi nr 3 dt 14.04.2014 i Departamentit të Administratës Publike nuk u japin zgjidhje disa çështjeve që lidhen me administratën publike.
Jo vetëm kaq. Ligji nuk i jep shansin asnjë nëpunësi që nuk është “me status”, megjithëse mund të jetë i punësuar në një funksion shtetëror të krahasueshëm me nivelin e lartë të administratës publike madje dhe brenda institucionit. Kjo ndodh edhe pse më parë mund të ketë përfituar statusin e nëpunësit civil. P.sh.një drejtor drejtorie në një institucion me status mund të emërohet përsëri në të njëjtin institucion në një funksion që nuk përfshihet në status. Pasi kalon dy vite ai humbet statusin dhe si i tillë, nëse përfundon puna në funksionin aktual nuk ka të drejtë të konkurojë jo më në pozicionin e mëparshëm, por as si specialist në të njëjtin institucion (!). E komplikuar, por edhe pa kuptim.
