Pse të ikurit po rikthehen?

anazapta

Nga Mira KAZHANI

Kur kam nisur ëndrrën time të gaze­tarisë, kishte shumë pak media tek të cilat mund të provoje shijen e pushtetit të katërt. Iu drejtova me­dias Koha Jonë që në atë kohë kishte një rrjet të plotë; Radio, gazetë, televizion. Në fakt unë qëllova në grahmat e fundit të Koha Jonë. Ajo kishte rënë në cilësi dhe ambicie dhe legjenda e saj po shuhej pak nga pak për shkak se Nikolla, “babai” i saj u bë deputet. Pikërisht kur duhej që televizioni, gazeta dhe radioja të bënin gaze­tari të mirëfilltë, ajo shkoi në buzëfaliment. Lesi i ra shkurt. E shiti!

Në të njëjtën kohë, gazeta Albania e drejtuar nga Ylli Rakipi nisi ftohjen me Berishën. Deri në atë periudhë, Albania njihej si “gazeta e Presidentit”, Rakipi kishte në gazetë thuajse gjithë informacionet e klasifikuara të shërbi­meve informative, gazeta me një format që sot nuk përdoret më shkëlqente në treg, në distancë nga disa përpjekje të tjera mediatike të atyre viteve. Nuk është rastësi që në vendin ku dikur ndodhej redaksia e Albanias së Rakipit pas LSI-së në zonën e Bllokut, sot ngrihet godina e madhe multifunksionale për banim, biznese dhe zyra, të gjitha në pronësi të Ylli Rakipit.

Por sapo Doktori i ktheu kurrizin mikut, këshilltarit dhe një bashkëudhëtari të gjatë në rrugën me dritëhije të viteve -90, (apo ndodhi e kundërta pasi pushtetin e morën socialistët?!) gazeta Albania, mbyllet! Edhe përpjekja për ta ringritur në bashkëpunim me Artan Dulakun, dështoi me sukses.

Koha dhe Albania ishin pra dy histori medi­ash të cilat dëshmuan se gazetaria ishte ende një ëndërr e largët.

Edhe sot që flasim, mediat janë të rreshtuara në pro dhe kundër qeverisë dhe këtu nuk shoh ndonjë fatkeqësi. Vlen të sqarohet se ky nuk është fenomen shqiptar. E tillë media është

kudo! Në Itali njihen gazetat pro e kundër Ren­zit, në Britani dihet kush sulmon Cameronin e kush e mbron, në ShBA njihet fryma e medias si televizive dhe asaj të shkruar që mbrojnë ose kritikojnë Obamën. E mora këtë shembull jo pa qëllim dhe nuk dua të qëmtojnë në këtë artikull busullën që duhet të ndjekin profesionistët shqiptarë të penës dhe mikrofonit. Nuk dua të ndalem as në profilet e jetës se dy personazheve publike të cilët i njoh nga afër dhe në dijeninë time, gëzojmë respekt reciprok. Nuk janë ata si individë thelbi, por kurba e jetës së tyre pub­like më çoi në ngasje për të hedhur dy rreshta për fuqinë e medias dhe arsyet pse të ikurit po rikthehen.

Me shitjen e “Koha Jonë”, Nikoll Lesi u bë deputet dhe veshi pushtetin e një kartoni të bardhë në parlament, por humbi pushtetin që kish tek të gjithë, dhe u përball me disa ngërçe të lehta financiare. Me pak fjalë Nikolla, nuk ish më ai i dikurshmi, kur falte 100 dollarësha tek porta e “Koha Jonë”; kur priste në zyrë politikanët e ditës; prezantueset bukuroshe të momentit; miset e vitit, ambasadorë e artistë nga të katër anët. Fundja, kush ishte Lesi në parlament? Gati-gati një lojtar pa nuhatje dhe pse jo, edhe pa fat! Pas shumë mundimesh e zhgënjimesh, Lesi i mbetur në udhëkryq pas zgjedhjeve të 23 qershorit, iu rikthye “Kohës” së tij të artë në kërkim të arit. Miku i vjetër Frangaj pranoi t’ja rikthejë gazetën ish të zotit (thonë me të njëjtin çmim që e bleu), dhe prej një viti Lesi punon çdo ditë vetë në redaksi. Bën telefonata sikur të ishte një gazetar i thjeshtë, përdor famën e tij për të patur ndonjë intervistë. Nuk besoj se e bën këtë për një rrogë, (se mesa di, Lesi merr disa qera me të cilat përballon shkollën e fëmijëve dhe jetën). Ai e bën me siguri, sepse kuptoi se Edi Rama kish të drejtë kur në një takim rastësor, thuhet se i paskërkesh rrëfyer një dialog me një mik anonim:

Miku anonim i Ramës: Mor Burrë, ç’rri me atë Nikollën?

Rama: Po rri se e kam mik!

Miku anonim: Po ç’mik e ke atë?! Nikolla kur duhet të shiste veten dhe të mbante gazetën, shiti gazetën e mbajti veten. Tani nuk i duhet më askujt!

Ylli Rakipi gjatë gjithë këtyre viteve ka shi­juar pushtetin e parasë e cila nuk i mungon dhe bën jetë prej pasaniku. Ka jetuar disa vite në Londër me familjen duke e lezetuar kryeqytetin britanik me të gjitha tabijatet e një bon viveur-i. Është rikthyer disa herë në Tiranë por veç disa daljeve në “Opinion”-in e Fevziut për analiza të çështjeve të ditës (por edhe për sportin, çështje mondane etj.) Rakipi ka përjetuar një pension të parakohshëm.

E kam takuar disa herë dhe e pranoj që ka batutë të këndshme, e vlerësoj për faktin që ndryshe nga shumë mëkatarë të tjerë, ai ka reflektuar dhe këtë e pranon hapur. Por kisha vënë re tek ai që nuk ishte i lumtur. Ishte në faj, ndoshta më shumë në një gjendje pengu, të midistë për median në Tiranë. Gjatë bisedave më ka folur shpesh për emisione që ndiqte gjatë kohës që jetonte në Londër. Shpresoj që ai nuk do lëndohet nga sinqeriteti im sot, sepse është gjëja e fundit që do doja t’i bëja një miku, por e di që ai është më perëndimor tashmë, dhe po flas hapur.

Unë dyshoj se e di arsyen pse Ylli Rakipi bëri çfarë është e mundur për t’u kthyer në krye të një media.

Ai është emëruar para pak ditësh Drejtor i Përgjithshëm i Ora News. Rakipi, nuk ka punuar asnjë orë të vetme në televizion, nuk besoj se ka njohjen e duhur të televizonit, por jam e bindur që merr erë nga kjo punë dhe sidomos, së bashku me një profesioniste të kalibrit Ilva Tare, ky televizion informativ do të njohë kulme. Çështjen e kam diku tjetër. Thellë në subkoshiencë, Rakipi është kthyer tek një ëndërr e humbur, që sot pretendon se ja vodhën dy miq njëherë e një kohë ose që u tregua neglizhent, jo me naivitetin e Lesit por në një formë a tjetër e humbi dhe ai. Ylli Rakipi nuk ka nevojë të punojë për para, se ato i ka prej vitesh me tepri siç ju thashë edhe më lart, por ai e kuptoi që nuk ishin paratë që ta shndërrijnë Yllin, në këtë qytet, sidomos tek Rogneri, Grandi, Sheratoni, 15 Katëshi e deri në Lalz.

Sado shumë të kesh, politikanët tanë që janë pothuaj shumica të kamur vetë, nuk kanë nevojë për të pasur. Nuk kanë arsye të hapin telefonin, të të ftojnë në ditëlindje, të të dëgjojnë me vëmendje edhe kur nuk të duan, simpatizojnë! Sot pushteti më i madh mbi pushtetin politik, është media!

Qoftë edhe gazeta më zhgarravinë, qoftë edhe gazetari më riosh që pret në shi tek dera e Kuvendit, ata janë në disa rrethana më të fortë se gjithë të pasurit e këtij qyteti që pijnë Moet Rose dhe puro buzë pishinës. Nevoja për pushtet, për t’u telefonuar, për t’u hapur telefonin, për të bërë presion, për t’u marrë me thashetheme, dhe për të qenë edhe ti qoftë edhe për 5 minuta pak… Fevzi.

Ata që qëndruan, rezultuan më të fortët, që nga gazetari më i fuqishëm e deri tek profili më minimalist i një reporteri. Të gjithë këta rezul­tuan më të fortë sesa Lesi, Rakipi, dhe një tjetër i rikthyer (thonë i uritur dhe i shqetësuar) Artur Çani në News 24.

Çani e ka nisur atë që mund të quhet me shumë dashamirësi karrierë në gazetari në një studio të vogël në rrugën Don Bosko, në një godinë të improvizuar me parafabrikate që asokohe dilte ne ekran me logon Gjeli Vision e që më vonë, u shndërrua në Vizion Plus.

Emisioni quhej Ajsberg, kishte pak a shumë formën dhe përmbajtjen e asaj që i njëjti Çan bën sot në News 24. Arturi përballë kamerës që flet dhe tregon dokumenta të mbushura me nënvizime e pikëpyetje.

E nisi me denoncimin publik të një “mjeku popullor” që shëronte gratë nga xhindet. “Xhindi” i suksesit të atëher­shëm me sa duket e ka rikapur Çanin sot, duke u rikthyer në vëmendje me dy “skupe”, një prej të cilëve (ai i avionit të Divjakës) me hije të forta manipulimi.

Çani u shkëput asokohe nga Ajsbergu i vet sapo arriti t’i rregullonte vetes një leje ndërtimi nga më problematiket e asaj kohe në Tiranë. Është “Vesa Center”, një qendër tregtare në Bllok, thashethemet për financat e së cilës janë pa fund.

Se sa sukses do kenë në këtë rikthim Lesi, Çani e Rakipi mbetet për t’u parë. Edhe në mos, kush më shumë e kush më pak që të tre ata kanë trashëguar nga një pallat mbi themelet e medias së dikurshme.

Një gjë është e sigurt, që këto janë 3 raste që nuk duhen anashkaluar edhe për të rikujtuar sesa e madhe, është forca dhe nervi i medias. Janë 3 rikthime të cilat konfirmojnë se ky zanati jonë nuk del kurrë nga “pjaca”.

E zezë mbi të bardhë, dy janë arsyet pse dikush rikthehet: –Ose një kredi që nuk po sh­lyhet, ose një pasuri që s’ka vlerë para telefonit që nuk ngrihet!

Share This Article
5 Comments
  • hahahha, sa te papame jeni.Dita vazhdoni keshtu, se njerzit duhen kujtuar.Po riciklohen personazhet chdo 3-4 vjet.

  • Tek permbledhja me perralla arabe “1001 nete” eshte perralla e e Aladinit dhe llamba magjike me xhindin.Aladini per te plotesuar deshirat e tija ferkonte llamben dhe urdheronte xhindin te punonte per t`ia plotesuar.Ne perralle xhindi ishte i pasur dhe Aladini u be i pasur prej xhindit.
    “Salberdini ” yne,tani qe po humbi pushtetin qeveritar dhe po shikon qe i rrezikohen pushteti i drejtesise,pushtetit presidencial po i del llustra,e te tjera,ferkoi llamben per te rikthyer xhindet qe krijoi me llamben qe i dha ne dore perpara gati nje cerek shekulli shitesi naiv (populli).Perse i krijoi keta xhinde ?Ketyre xhindeve ua di te gjitha celesat,se ai i krijoi,i krijoi per dite te mire e per dite te keqe.Ditet e mira,pa telashe kaluan per Salberdinin.Tani eshte rradha e xhindeve te punojne.

  • Po ckujtuan keta mo !!! Se do i shijonin te qete meleonat qe kane zhvate ? Po jo mor bir jo , kur keta mendojne se na e hodhen NA i fusim prap ne sherbimin tone , Po jo mor derman se nuk jane letra leket qe keta kane perfituar , cika cika do t’iua marrim shpirtin . Bej , shaka ! NA i kemi xhane tipa te tille !!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *