Një dashamirëse më shkruante ndër të tjera: “…dhe veçanërisht vjershat e juaja më pëlqejnë shumë. Por, çuditem se si ju nuk jeni poet!?.. Unë besoj se kur të vini në Elbasan, do ta shpallni veten poet… Duhet ta shpallni…”.
Natyrisht leximi i parë edhe i shpejtë më bëri qejfin dhe më giciloi, por pastaj, mbeta. Ç’domethënë kjo: “Ta shpallni veten?” Sidomos kjo e dyta: “Duhet ta shpallni”? Si dhe pse duhet ta shpall vetveten unë vetë poet? Në Elbasan fjala “shpall” përdoret për një paraqitje përpara të tjerëve me përmasa të llahtarshme. “Na e shpalli” – thuhet. Me fjalë të tjera, “na futi llahtaritë”.
“Ç’filozofon ti more?! – ma ktheu një mik kur bisedonim, – mirë të ka dhënë ajo mikesha. Ta shpallësh veten poet që ç’ke me të. Ç’je ti, më i mirë se të tjerët apo më kaqoli? Të gjithë këtë punë bëjnë: Shpallen. Të do b…. të bëhesh poet e shkrimtar? Shpallu dhe u bëre. Me të “shpallura” dhe “vetëshpallur” janë bërë doktorë, profesorë, inxhinierë, gazetarë, artistë, analistë, shikas, disidentë dhe antikomunistë, kërcimtarë, akademikë, politikanë, ministra, kryetar partish, të persekutuar, kompozitorë, regjisorë, shkencëtarë, gjuhëtarë, kampionë, ore edhe…kozmonautë. Zotrote, nuk e sheh se sa është qorrollitur i llahtarisur ky popull nga shpalljet e të shpallurve? Thërriti ore mendjes. Hajde, shpallu aty edhe luaji fenë… Punë e madhe”.
Ama çë?! Sa tituj, dekorata, çmime janë shpallur dhe vetëshpallur për vepra dhe për kontribute që nuk i njeh asnjë? Kur e urova një regjisor dhe shkrimtar shumë të njohur për titullin Mjeshtër i Madh, më falenderoi dhe pastaj shtoi: “Atë ditë kur mora titullin, bashkë me mua po këtë titull e mori dhe… Të kujtohet? Ai amatori. E merrja si aktor të jashtëm në estradë shpesh si figurant ose për role pa peshë. Ti më njeh. S’kam qenë kurrë ziliqar. Por ndjeva një boshllëk, një zhvleftësim që… Po ç’të bëjmë? Ka dhëndrrin deputet”.
Me sa di, çdo vit mbijnë nga shkollat e “larta” nja 1300 apo 1400 doktorë shkencash. Mirë që mbijnë, po ku korren? Ku shihen e ku gatuhen? Kë ushqejnë? Në një TV personi që jep lajmet mban titullin “profesor”! Para se të bëhen “intelektualë” shumë e shumë njerëz “vetë-shpallen”, pastaj, nëpër zyra “zyrtarizohen” dhe…bëhen. Targat “Dr.” dhe “Prof” që vihen përpara emrave mund t’i dhurojë edhe zyrtari i zyrtarizuar, por edhe mund t’i blesh kudo. Edhe kjo është një “arritje” e demokracisë. Jam i bindur që në nivele super ndërkombëtare, zemë vendin e parë…
Po ndere? Ohhhh… Qytetar nderi. Nderi i rrethit, i krahinës, i qytetit, i lokalitetit, i katundit dhe ndonjëherë, Nder dhe i Kombit?! Dhe shpesh këtyre “të nderuarve”, nderin nuk jua nderon as lagja e vet… Po me këtë ndarjen e re territoriale?! O perëndi. Prite kur të shpallen dhe vetëshpallen edhe Nderet e Rajoneve dhe Qarqeve… S’besoj të ketë vend në këtë rruzull që quhet botë që të na e kalojë për talentet e vetëshpallur dhe VIP-at e shpallur në të gjitha fushat, pllajat, lëndinat e më the të thashë.
Dihet, rreziku i shkatërrimit, deformimit, shtrembërimit të vlerave të kulturës, arsimit dhe edukatës nuk vjen nga që injoranca dhe paaftësia kërkojnë dhe bëhen aleat me pushtetin. Jo. Rreziku është kur pushteti bëhet aleat me injorancën dhe paaftësinë. Jo vetëm që vlerat zhduken, por as që bëhet më fjalë për vlera. Sepse niveli i krijimit ka përballë edhe një nivel gjykimi. Një nivel që e mban të mos derdhet jashtë shtratit të tij. Dhe ky nivel gjykimi ka zbritur aq poshtë, sa niveli i krijimit ka përmbytur dhe ka krijuar moçale ku gëlojnë tërë pjellat e moçalit. Ndaj… A nuk ka ardhur koha që të shpallet një shpallje për kalimin në sitë, se për sitë s’kemi këllqe, por së paku në shoshë të “të shpallurve dhe të vetëshpallurve”?
2 Comments

Ky fenomen ka qene dhe para ’90, qe “meritat” jepeshi me tarafe partishmèrie, kush i lèpihej me shume shokève te partis, merte.role dhe “merita”…, por sot kjo gjè ka shperthyr e “lulezuar” keqas e ne mynyrè skadaoze! Te gjithe vetem poVETSHPALLEN!, dhe po propozohen po nga njerzit e politikes dhe po dekretohen nga Presidenti!
Morèn “merita” dje e po rrembejnè “merita” dhe sot….
Por sot e ka mar ferra uratèn akoma pèt mè keq, se pothuajse nuk ka mè Art!
O Mit’hat! Une jam coban me berra ketaj nga malet. Por dy klase shkolle i kam bere, se keshtu ishte koha. Madje per te bere dy klase me larte duhet te kaloje ne brime te gjelperes. Vertet edhe atehere ka patur raste por nuk ka perbere fenomen, sikurse me te drejte shkruan Cerma. Ja te them une nje gje: Mesuesit i thoshnim mesues, pedagogut te universitetit- Pedagog. Ndersa sot edhe zyshes se klases se pare, qe nga i pari e deri tek i fundit, i therrasin :”Profesore” E c’te keqe ka sot ti thuhet apo te vetthuesh “poet”, “shkimtar”, “Profesor”……. Asgje e keqe apo jo(!?) Jemi demokraci e nuk pranojme kandar (mos ma marresh per ke-kandarin e Cajupit) per te peshuar e matur.