Serbia thyen embargon me Rusinë, BE kritika të rënda  

redaktor

Konflikti në Ukrainë ka ekspozuar dhe një lloj problematike që BE po has me vendet kandidate, kryesisht me Serbinë. Kjo problematikë prek fushën e politikës së jashtme dhe konkretisht pajtueshmërinë me qëndrimet e saj, përballë sanksioneve ruse. Vendosja e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, si edhe ndalimi i importit nga Kremlini të një sërë produktesh ushqimore me BE-në, ka favorizuar Serbinë, e cila pavarësisht deklaratave zyrtare të fillimit të krizës, për pozicionim neutral në këtë konflikt, duket se po shfrytëzon hapësirën e krijuar.

Gjatë mbledhjes së fundit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, Brukseli ka paralajmëruar si vendet e treta, por edhe vendet kandidate të BE-së, që të mos shfrytëzojnë situatën e embargos ekonomike me Rusinë, në përfitim të interesave kombëtare. Thirrja ndaj vendeve kandidate sipas burimeve paraprake i adresohej Serbisë, e cila njihet për marrëdhënien tradicionale të veçantë me Rusinë.

Këto burime paraprake u konfirmuan edhe nga deklarata publike e kësaj të premte, e Kryeministrit serb Aleksander Vucic, i cili do të theksonte se Zv.Shefi i Delegacionit të BE-së, në Serbi, Oscar Benedict i kishte dërguar një rekomandim, ku e këshillonte të ndalonte futjen e masave të reja mbi rritjen e eksporteve në tregun rus. Por, kreu i qeverisë serbe Vucic, do të përgënjeshtronte informacionet në lidhje me këtë çështje, duke specifikuar se, kjo situatë nuk ka aspak lidhje me konfliktin në Ukrainë, se Serbia ndjek një politikë paqeje dhe se do të mbrojë gjithashtu interesat e saj.

Por, zyrtarët e lartë të BE-së, i kërkojnë Serbisë që të shfaqë pajtueshmëri me vendimet e politikës së jashtme evropiane. Tonet kërcënuese, shfaqen edhe teksa kërkohet nga Serbia, adaptim tërësor i politikës së jashtme të BE-së dhe se, në rast të kundërt, kjo do të ketë si pasojë reflektimin e saj edhe në progres raportin e ardhshëm të Komisionit Europian mbi Serbinë.

Por, ndonëse kryeministri serb Aleksandër Vucic, mohon thyerjen dhe shfrytëzimin e kësaj embargoje ndaj Rusisë, ai ka ironizuar imponimin e BE-së ndaj Serbisë, duke përdorur si argument faktin se, BE nuk është konsultuar aspak me Serbinë, kur vendosi futjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe kërkimi i solidaritetit nuk ka aspak kuptim.

“Nuk i kuptova fjalët “solidaritet me BE-në”. Solidaritet për çfarë, kur askush nuk na pyeti kur i vendosën sanksione Rusisë, as kur Rusia iu përgjigj duke vendosur kundër-sanksione ?A është e mundur që ne, që nuk kishim asnjë rol në këtë situatë, tashmë konsiderohemi të jemi përgjegjës nga të dy palët?” 

Por, të gjitha të dhënat në raport me përmirësimin e shifrave ekonomike në Serbi tregojnë se tashmë thyerja e embargos, ka sjellë përfitime të mëdha ekonomike për prodhuesit dhe kompanitë e ndryshme serbe.

Ndonëse diplomacia serbe deklaroi fillimisht mbajtjen e një pozicioni neutral, përballë konfliktit në Ukrainë, duket se qëndrimi i saj ka pësuar një lloj rrëshqitje e imponuar si nga marrëdhënia e ngushtë me Rusinë, por edhe nga përfitimet ekonomike, që gjeneronte thyerja e embargos ekonomike. Kjo po shkakton edhe përplasjen diplomatike me BE-në.

Por, në këndvështrimin e Beogradit, pozicioni neutral është ende në fuqi, pasi nga njëra anë Serbia ka refuzuar të mbështesë ndarjen e një pjese të territorit nga Ukraina, pra të Krimesë. Një pozicionim, që bie ndesh me interesat e Rusisë, e cila kundërshton njohjen e Kosovës dhe gjithashtu mbështet Serbinë në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Por, nga ana tjetër, Serbia ka refuzuar gjithashtu të marrë pjesë në sanksionet e vendosura ndaj Rusisë. Ky qëndrim i diplomacisë serbe u konfirmua publikisht edhe pas takimit të kreut të qeverisë Vucic, në muajin maj, me Komisionerin e Zgjerimit Stefan Fyle. Vucic do të deklaronte se :

Serbia mbështet integritetin territorial të çdo vendi, duke përfshirë edhe Ukrainën, por për hir të lidhjeve tradicionale me Rusinë, nuk dëshiron të vendosë sanksione kundër saj.”

Të njëjtin pozicionim konfirmoi edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic, i cili do të siguronte Ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergey Lavrov se, Serbia nuk do të shkonte kurrë kundër Rusisë, pasi kjo ishte një çështje morali dhe se, Serbia do të ngelej një mik besnik i Rusisë dhe nuk do të ndryshonte pozicionin e saj.

Por, situata nuk shfaqet kaq e thjeshtë, për sa kohë Serbia një vend kandidat i BE-së, aspiron anëtarësim të shpejtë dhe si rrjedhojë ka detyrimin edhe të njehsojë qëndrimin e saj me politikat e BE-së. Përplasja me politikën e jashtme të BE-së, do të ketë koston e saj, e cila do të reflektohet në vijimësi, nëse konsiderojmë edhe zgjatjen e mundshme në kohë të konfliktit në Ukrainë.

Serbia ka përparuar deri në këto momente, me një sukses të konsiderueshëm drejt integrimit evropian, duke çuar në çeljen e shpejtë të negociatave për anëtarësim. Ajo është vlerësuar nga KE, jo vetëm për plotësimin në kohë të kërkesave reformuesve, por edhe për mbajtjen e ritmit të reformave edhe pas hapjes së negociatave. Serbia vlerësohet gjithashtu nga KE, të ketë avancuar në një sërë fushash të kërkuara, që prekin sferën e sundimit të ligjit, gjyqësorin, politikat anti-korrupsion, luftë ndaj krimit të organizuar, pavarësi të institucioneve kyçe, lirinë e medias, politika anti-diskriminuese, mbrojtjen e minoriteteve dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Përplasjet e fundit me BE-në, në lidhje me thyerjen e embargos ndaj Rusisë, përtej pasojave që pritet të sjellin për Serbinë, shkaktojnë edhe një reflektim ndaj frazës së shkëputur të shefit të diplomacisë shqiptare se:

Shqipëria është një vend i cili me rigorozitet, gjatë gjithë periudhës së krizës në Ukrainë i është përmbajtur vlerave europiane, duke njehsuar qëndrimet e saj në politikën e jashtme. Në këtë kontekst, është e logjikshme, që të ketë një ndarje detyrash ndërmjet vendeve dhe një përcaktim luajal të rolit të secilit në këtë proces”.

Nëse, kjo frazë, nënkupton pikërisht këtë situatë, atëherë dalja e veçantë e kreut të qeverisë shqiptare, përkrah Kancelares gjermane Merkel, gjatë Konferencës së Ballkanit, që pritet të zhvillohet në Berlin, është domethënëse edhe e një mbështetje të qartë ndaj vendeve kandidate, që mbështesin pa rezerva politikat e jashtme të BE-së, sidomos në raste krizash dhe konflikti./im.ta/

 

 

 

 

Share This Article