Dërguar me SMS
në numrin e redaksisë
Shkrimi i zj.Melonashi flet shkoqur për hallin e saj, por që është ose mund të bëhet halli e problemi i shumë shqiptarëve. Falenderoj gazetën “Dita” për botimin e shkrimeve të tilla nga populli i thjeshtë. Këto që lexova sot tek “Dita” i shkruan naftëtarja shqiptare, punëtorja e flakur në humnerën e madhe të papunësisë. I ka vuajtur mbi kurriz e varfra edhe diktatin e pronarit arrogant me lidhje të forta, edhe mungesën e drejtësisë, dhe i drejtohet tani me zemër në dorë kryeministrit shqiptar, duke i kërkuar mbajtjen sa më parë të premtimeve elektorale, pa i kursyer edhe vlerësimet e saj modeste për hapat e para, për arritjet e para drejt ndryshimit të vërtetë, drejt drejtësisë së vërtetë.
Duke mos pasur asnjë mundësi tjetër për ta ndihmuar këtë bashkëatdhetare në hallet e saj të përditshme e të familjes së saj, shpreh solidarizimin tim të plotë me kauzën e saj dhe mbështes plotësisht thirrjen e saj. Një thirrje kam edhe unë, populli punëtor por edhe intelektualët t’i bashkohen zërit të saj, veprimit të saj, thirrjes “Duam drejtësi dhe e duam tani!”
Nga Bashkim Pitarka
