Policia asgjësoi ditën e djeshme rreth 1837 rrënjë kanabis sativa të mbjella në 6 dynym tokë pyll pa pronar, në zonën e Skurajve në Kurbin.
Burime zyrtare thanë se lënda narkotike u lokalizua rreth orës 13:00. Policia e Lezhës, përmes një komunikate për shtyp, bëri me dije se kishte marrë sinjalizime me herët për parcelat e mbjella në zonën e pyllëzuar dhe organizoi një operacion të befasishëm.
Nuk ka ende autorë të identifikuar për kultivimin e lëndës narkotike dhe po grumbullohen informacione nga banorët.
Sipas autoriteteve lokale, kjo është sasia më e madhe e korrur në këtë qark përgjatë këtij viti, pasi Lezha ka shumë pak raste të evidentuara të parcelave me hashash.
Asgjësimi i lëndës narkotike u bë në vazhdim të aksioneve që Policia e Shtetit ka ndërmarrë kundër kësaj dukurie të paligjshme.
