Temperaturat më të nxehta kjo verë, po i regjistron jo në të dhëna klimaterike, por në ato epshore, politike dhe erotike bashkë. Në të parën, është opozita e përfshirë në një dalldi akuzash nga më bajatet në arsye dhe formulim, mjaft të mbajë ndezur afshin opozitar çdo ditë e çdo orë; në të dytën, po janë ca zyrtarë, që hiç nuk po e përmbajnë veten sapo përballë u del ndonjë shtat e portret gruaje, sado e lodhur të jetë e pa kurrfarë linjash provokuese, të paktën sa për t`ia përligjur deri diku mëkatin.
Të lodhura ato, e të lodhur ata. Ja, së fundi, është dhe një kuadër policie në veri, që nuk i bën ballë tundimit për ta ngjyer në pjatën e huaj, pa marrë mësim prej sishokut të tij në jug. Kush ja ka me inat kësaj qeverie, nuk ka ngurruar të shohë pas këtyre akteve, aktivizimin e sekretarëve të dikurshëm lapërdharë, pa din e pa iman, sipas modelit të shokut Sabah tek filmi “Parrullat”. Edhe pse në realitet ndodhnin këto, propaganda e artit të shtatë nëpërmjet filmave të Kinostudios, ofronte jo pak receta morale, por dhe materiale denoncuese, në raport me dobësinë njerëzore përballë seksit.
Tek filmi “Përballimi”, ku pothuajse gjithë linjën ideore e shoqëron, në njërën anë nxirrja totale e ish klasës sunduese dhe bishtave të tyre – siç quheshin ndryshe – e në anën tjetër shndritja e udhëheqësve të rinj komunistë, ndodhet personazhi i Kleas, një gruaje të pispillosur të ardhur nga klasat borgjeze, e cila është përdorur dhe në funksion të këtij diferencimi bardh e zi. Xhezua, një matrapaz dhe aspak dashamirës me pushtetin e ri, dorëzohet një çast përpara provokimeve të Kleas, aq sa harron dhe thesin me grurë, gjënë më të shtrenjtë që posedonte në pangopsinë për para dhe pasuri.
“Thesin aga!”, ia kujton borgjezja rënë nga vakti, teksa e fton në shtëpi me ofertën për t’i dhënë një palë çizme gjahut të burrit. Shprehja e saj molepsëse “hajde se do ta rregullojmë!”, shoqëruar me një të shkelur të syrit, e bëri sa një grusht gjithatë burrë, nga pesha e rëndë e tundimit erotik; një gjë që, sipas moralit të fabulës, vetëm një armik i regjimit mund ta bënte.
Nga ana tjetër, është sekretari partisë, Martin Kreka, që në një ballafaqim me të njëjtën grua, jo vetëm që nuk jepet për asnjë çast përballë provokimeve të saj në gjuhë e gjeste, por dhe i jep munxët, burrërisht. Nuk janë partitë e qeverisjet, por janë kohërat ato që bartin gjithnjë “Xhezot” e “Martinët” e vet./Ermir Hoxha
