Magani: Flamurtari është rivali kryesor i Tiranës

redaktor

Trajneri i bardhebluve, Gugash Magani garanton spektakël në supersfidën e kësaj fundjave Tirana-Flamurtari, që do të zhvillohet në orën 20:00 në “Qemal Stafa”. Trajneri peqinas, i cili ka drejtuar në të kaluarën edhe kuqezinjtë, parashikon një përballje të nxehtë, edhe në shkallët e stadiumit mes tifozerive respektive.

“Do të jetë një ndeshje me spektakël të garantuar. Tirana dhe Flamurtari kanë dy tifozeri të zjarrta, që do ta nxehin më shumë këtë ndeshje. Avantazhi i vetëm që kemi ne është vetëm fusha, megjithatë do të thosha se ky takim i ka të tre rezultatet brenda”, tha trajneri bardheblu në një prononcim për mediat.

Gilberto Fortunato deri pak muaj më parë idhulli i bardhebluve, është arma më e fortë e Flamurtarit në fazën sulmuese, por Magani beson më shumë te sulmuesi i tij Bushiç.

“Gilberto? Unë do të thosha Ilion Lika, që ka qenë pjesë e sukseseve të Tiranës. Pastaj meqë këmbëngulni për Gilberton unë po ju them Bushiç. Kam vlerësim maksimal për Gilberton, por besoj tek futbollistët e mi”, thekson numri një i stolit të Tiranës.

Bardheblutë e kanë nisur me shumë pretendime sezonin dhe si rival kryesor për titull, sipas Maganit do të ketë pikërisht Flamurtarin.

“Po e them troç, Flamurtari është rivali ynë kryesor për titull. E them këtë sepse ka lojtarë cilësorë dhe e njoh shumë mirë karakterin e tyre”, shtoi Magani.

Përsa i përket formacionit që do të hedhë në fushë Magani nuk dha detaje, por siguroi se do të ketë shumë pak ndryshime krahasuar me sfidën e parë me Apoloninë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *