Një 27-vjeçar që ishte deklaruar si i humbur nga vëllai i tij prej dy vitesh dhe për të ishte bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar, u gjet rastësisht teksa po kthehej në port me një nga tragetet e linjës Bari-Durrës. Policia Kufitare njoftoi se bënë kapjen e B. R., banues në Rrashbull, i cili iu nënshtruar hetimit të oficerëve për shkaqet e largimit dhe vendqëndrimin gjatë kësaj kohe. Nëpërmjet sistemit TIMS, u konstatua se 27-vjeçari figuronte i humbur. Denoncimi për të është bërë më 16 prill të vitit të kaluar, por largimi nga banesa ka ndodhur më 23 tetor 2012.
