Një ditë pasi me gjuhën e tij e nxirosi situatën e rendit për shkak të shpërthimit me tritol të një automjeti në ecje në një prej rrugëve të Vlorës, Berisha shkoi dhe u fut në det për të dhuruar rekordin e rradhës për qëndrim në ujë. Gabuan rëndë ata që menduan se kjo verë do ikte pa lajmin e bujshëm të minutave të shtuara nga veriori i spikatur për qëndrim në det, ndërkohë që kjo do ishte mëse normale për kohëzgjatjen e qëndrimit në pyll apo mal. Gabuan rëndë dhe ata që thanë me vete se, gjersa situata po bëhet çdo ditë e më e rëndë sipas gjykimit të Berishës, këtij nuk do i ha meraku shumë për rekorde noti apo llokoçitje në ujë, por do jetë në vijën e parë të frontit për ta ndryshuar këtë gjendje, së pakku me denoncime; e si qytetar i këtij vendi me jo pak peshë në zhvillimet politike edhe duke qenë në opozitë, do jetë i angazhuar maksimalisht në të mirë të vendit, e jo i okupuar me akte budallaqe egocentrike si ai i qëndrimit në ujë. “Rekordet” e tij gjatë viteve sa qe në pushtet, shiheshin më tepër si akte simbolike të përçimit të mesazhit se derisa kryeministri është i ngeshëm për të ndarë me popullin e tij idiotsira të tilla, atëherë punët në përgjithësi po shkojnë mbroth; por fakti që e vijoi këtë rit të marrëzishëm edhe dukë qenë në opozitë, ku sipas tij Shqipëria ka marrë udhën e dreqit, pluskimet e tij në ujrat e Jonit, e bëjnë më të pahonepshëm. Ai ka të gjithë të drejtën e Zotit për t`u larë, kredhur, notuar e qëndruar mbi ujë, sa t`i dojë kokra e qejfit, por fakti që një ditë lëshon alarmin se vendi po zhytet në kaos, e ditën tjetër u thotë njerëzve se theu një tjetër rekord qëndrimi në ujë, e bën më alarmante gjendjen e tij. Eshtë bash koha për të lëshuar sinjalin: ‘SOS!’
