“Qirinjtë” e nevojshëm të bashkëjetesës

redaktor

Besimtarët katolikë në Durrës, i kanë kushtuar një natë me lutje viktimave të shkaktuara nga ISIS, i ashtëquajturi Shtet Islamik i Irakut dhe Shamit. Por mes dritës së dhjetra qirinjve ndezur për shpirtërat e tyre, ka qenë vetëm portreti i gazetarit James Foley, që u ekzukutua me prerje koke ditë më parë. Eshtë në nderin e një komuniteti besimtarësh që mos bëjë dallim në viktima, kushdo qofshin ata dhe për çfarëdo arsye patçin dhënë shpirt nga dhuna vrastare; dhe kështu është dhënë lajmi, që edhe pse është veçuar Foley, lutja është drejtuar për të gjithë viktimat. Por ka diçka që nuk shkon. Veçimi i Foleyt, do kishte përligjur vetëm në rast se ekzekutimi i tij do ishte për arsye të pastra fetare, apo nëse i ndjeri do kish patur ndonjë fije lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët. Foley vërtet ishte një i krishterë, por jeta iu morr si gazetar dhe si peng politik. Nga ana tjetër, prej ISIS-it, vërtet po përndiqen, po vriten e po masakrohen njerëz të besimeve të tjera dhe për arsye besimi, por në këtë morri viktimash, një numër jo i vogël është dhe ai i vetë myslimanëve. Inisiativa të tilla janë vërtet për t`u vlerësuar si të barsura me mesazhe ndërgjegjësimi e në funksion të paqes, por që të ngjisin mirë në realitetin tonë, duhen gjetje që t`i përgjigjen këtij realiteti. Ne jemi një vend që, shyqyr Zotit jetojmë në paqe me njëri-tjetrin paçka besimeve të ndryshme; dhe kjo duhet ruajtur e ushqyer dhe më tepër. Dhe në aktivitetin e përshpirtshëm të komunitetit të besimtarëve katolikë të Durrësit, duhej theksuar dhe ky fakt: që mes viktimave që meritojnë një qiri e një lutje, janë dhe ata qindra e mijra sivëllezer fatkeqë myslimanë. Po, për këtë ja vlen të transferosh një realitet të huaj e me shumë të panjohura si ai i Irakut dhe Sirisë, në zemër të tokës shqiptare. Për arsye tjetër, nuk ka ndonjë vlerë. Madje mund të bëjë dëm. Padashje, sigurisht!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *