T’i shtrydhim Naxhi Bakallët

redaktor

Profesor Demiri, ai që e njësoi veten me fjalën shqipe, u largua nga kjo botë. Ashtu si ai janë larguar në heshtje shumë të tjerë nga raca e atyre që lanë një shenjë mbi këtë tokë. Ishin figura të ndritura mbi dhe. Në kohën e tyre ama. Sepse ata po, që e patën kohën e tyre. I njihnin dhe i nderonin të gjithë. Ata ishin një sërë që vunë themele në shumë ngrehina në të cilat ne ende strehohemi sot, duke harruar se cilët qenë arkitektët, cilët qenë themeluesit.

Na duket sikur i kemi tonat natyralisht, ashtu siç kemi malet, fushat, detet. Por gabohemi.

Disa ngrehina që na japin identitetin si gjuha, historia e prejardhjes, fjalorët, veprat e klasikëve të përkthyera në gjuhën tonë, me të cilat kemi mbushur fëmijërinë e rininë tonë, pa të cilat nuk e di se si do ja kishim bërë.

Pa janë pastaj disa dete tingujsh me të cilat kemi qarë e kemi qeshur e që qëndrojnë në panteonin e muzikës shqiptare, se ende nuk ka lindur mëkëmbësi. Pa kemi ca kryevepra arti, monumente e murale të papërsëritshme, me të cilat ende mbushim axhendat e varfra të atyre pak guidave turistike.

Aty ca muaj më parë, po dëgjoja në një emision mbrëmjeje të vonë një burrë në moshë, që pa asnjë sforco e pa e kërkuar fjalën, buronte perla njëra më e çmuar se tjetra, duke e lënë disi jashtë rrjedhës drejtuesen e emisionit, e cila, sado e zonja që është, po e gjente duke u përpjekur të notonte me vështirësi në ujërat e tij.

Unë nuk e njihja atë zotëri, që dukej sikur kishte dalë nga sallonet e pikturave të Habsburgëve. E megjithatë, e gjeta edhe unë veten, ashtu si drejtuesja, në përpjekje të nxituar për të mbledhur sa më shumë nga ato perla që rridhnin pa pushim e iknin si uji nëpër duar, sepse të tjera vinin me rrymën.

Mbeta i mahnitur nga ajo kulturë transhendente në gojën e tij, nëpër të cilën gjuha shqipe transformohej në art edhe pamor. Unë po shihja me sytë e mendjes pikturat të cilat ai po i sillte në studio përmes fjalës. Mezi po prisja të mësoja emrin e tij. E më në fund, po. E si mund të ishte ndryshe.

Ishte i madhi Naxhi Bakalli, që e njihja sidomos nga muralja e Krujës, por që nuk e kisha parë asnjë herë në ekran. E le pastaj ta kisha dëgjuar. E dëgjova e ridëgjova në ritransmetim, e me vete nuk munda, e ende nuk mundem, t’i përgjigjem pyetjes: Si ka mundësi, që kemi kaq pak legjenda që ecin ende e nuk marrim sa më shume të mundemi prej tyre?

Si ka mundësi që mbushim gazeta e ekrane me çupërlina-mendjefyçka që u veshën apo u zhveshën në plazh, që blenë apo shitën porsh, që hypën apo zbritën në jaht, që nxorrën apo futën selfie-n e rradhës, që…

Si ka mundësi që unë shihja për herë të parë, dëgjoja për herë të parë, një artist edhe të fjalës, si Naxhi Bakalli? Rrallë kisha dëgjuar dikë të pikturonte me fjalë si ai. E mbajta vajzën pranë vetes në ritransmetim, që ta dëgjonte edhe ajo atë burim të rrallë arti. Se ndoshta nuk do e ketë më atë fat në jetë. Unë mezi e rastisa një herë. E Naxhiu do udhëtonte përtej detit, se ky vend nuk i kishte bëre fole.

Ky vend mesa duket e ka më kollaj të bëje fole për maskarenjtë. E kam falenderuar pa masë gazetaren e “Natën Vonë” që ma bëri të mundur.

Si është e mundur, pra, që po i lëmë këta gjigandë që mbinë për fat në tokën tonë, të na ikin pa i vjelë mirë? Pa i vjelë, them për interesin tonë, jo për të tyrin. Ata nuk kanë nevojë për ne. Ata janë thjesht të rrallë, e si të tillë, të çmuar. Po ne, si nuk mendojmë për fëmijët tanë? E ku do e gjejnë ata një brilant të penelit dhe fjalës, si Naxhi Bakalli, kur ai të jetë larguar nga kjo botë? A ka lindur ende ndonjë i dimensionit të tij? Nuk e di, nuk kam parë ende.

Sikurse iku Vaçja, pa lënë një të dytë si veten, siç iku Buza, Paskali, Aliaj, Shvarc tani Demiri, e shumë të tjerë.

Nuk di në e zë dot ende njëri vendin e tyre. Mund të jetë çështje e nostalgjisë apo e distancës së kohës që i pjek gjërat e i bën të duken më të arrira. Mundet. Po pse të mos i shfrytëzojmë e t’ua u marrim të gjithë polenin përpara se të ikin? Pse i mbushim ditët tona me lakuriqësitë e tallavasë që vetëm frymëzim nuk të sjell në jetë?

Kemi ende legjenda që ecin e marrin frymë. Eshtë ende Bakalli, Dhrami, Lalo, Dizdari, Krajka, Vathi, Kongoli, Agolli, Kadare e disa të tjerë, me të cilët duhet t’i mbushim sa të mundim ekranet, gazetat, skenat. T’i bëjmë të lënë sa më shumë nga vetja e tyre këtu tek ne, t’ua shtrydhim sa më shumë lëngun e artit që mbartin në vena.

Të ushqejmë me atë lëng fëmijët tanë, që të bëhen më të bukur e më të mirë. Se pastaj, korifejtë do ikin nga ne, e nuk do të kemi më ku t’i gjejmë, ku t’i pyesim, ku t’i dëgjojmë. Shumica e këtyre korifejve që na i lanë këto thesare, e për të cilët kujtohemi pak e më pak t’i falenderojmë, janë duke ikur nga kjo botë. Të tjerët janë në kilometrat e fundit të rrugës së jetës. Le t’i përdorim për të mirën tonë, përpara se t’i përcjellim me lotin e fundit, të harruar diku në thellësi të shpirtit tonë.

Se ai lot është ende aty për ata. Vetëm se ne nuk e dimë. Le te mos kujtohemi se çfarë humbëm kur t’i përcjellim në varrezat tona të pa-fisshme, e t’i varrosim, po gjetëm vend, mes llamarinave e baltës që rrethon të dashurit tanë atje. Po atje, mes atyre llamarinave që turpërojnë më shumë të gjallët, do kujtohemi për të disatën herë për qiparisat që mungojnë.

Se qiparisat janë qibarë, ata nuk bashkëjetojnë me dhunën e kangjellave e kateve të mermerit, me dhunën e parasë. Qiparisat bashkëjetojnë vetëm me hirin e shenjtë e të barabartë të ëngjëjve.

Qiparisat hijerëndë që duhet të vigjëlonin mbi të dashurit tanë, do mungojnë edhe për korifejtë.

Dhe për të disatën herë do të na vijë turp që nuk dijmë t’i nderojmë as në atë botë as në këtë botë. Hej, miq, është koha të mendojmë si të respektojmë dashuritë, ato mbi tokë e nën tokë.

Share This Article
21 Comments
  • Ah sa mire ke bere me kete shkrim. Ke gjetur temen e duhur-plage dhe e ke trajtuar shume thjeshte e bukur. Te lumte Ilir per qartesine dhe orientimin e drejte ndaj kultures se vertete qe na mungon kaq shume keto kohe. Tani eshte zevendesuar Naxhiu me Sokolin e Gaxhes e Vacja me Ciljeten. Ne fakt eshte perpjekje e deshtuar te zevendesohen. Ata jane ashtu sic thua ti KORIFEJ te pazevendesueshem. Ashtu do ngelen nne ndricimin e tyre te perjetshem. Urime edhe njehere per temen dhe ne pergjithesi per shkrimet qe ben.

  • “Të ushqejmë me atë lëng fëmijët tanë, që të bëhen më të bukur e më të mirë. Se pastaj, korifejtë do ikin nga ne, e nuk do të kemi më ku t’i gjejmë, ku t’i pyesim, ku t’i dëgjojmë…”
    Shume bukur. Shume bukur :'(

  • PROBLEMI QE KE TRAJTUAR ILIR META ESHTE I SAKTE DHE AKTUAL. PER FAT TE KEQ ASGJE NUK KA PER TU BERE PER TE NDRYSHUAR. GJITHE E KEQJA ESHTE VETEM TE POLITIKANET INJORANTE QE NUK DINE TE SHKRUAJNE AS SHQIP ME MIRE SE NJE FEMIJE I KLASES SE PARE. SI MUND TE SHPRESOJME VIZION E KULTURE NGA KJO FARESOJ?!!!!!

  • Nje shkrim i mrekullueshem per nje Artist te Madh. Sa te tille kane ikur ne parajse dhe sa pak qe i kemi te gjalle,i detyrojme te degdisen jashte. O,kuje per nje komb! Politikanet shqiptare,kjo fare perverse deri ne kufinj cmendurie,keta vrases te pashpirt,nuk mund te merren me keta korifej si Bakalli,bile edhe kur merren jane cinike kriminel(Edi Rama permendete breket e te madhes Violeta Manushi, ndersa Sal Vicidoli respekton Çiljeten).
    Nderim per ty gazetar qe shkruan per keta Ndere te Kombit.

  • respekt te vecante per kete mrekulli.
    ju lumte pena
    dhe mendja
    e nje shpirti fisnik
    per vlerat me fisnike te kombit
    ku sot ne nje trubullire te etheshme
    e pa kuptim te jetes
    ku per disa kuptim,
    ka vetem per pasuria
    e pa dashur percmojme keto vlera te thesarit popull.
    duke mos u kushtuar atyre vend ne takime ne universitete, shkolla
    ekrane tv,per
    jeten e veprat e tyre
    por vetem kujtohen ne shuarjen e jetes.
    kjo kotesi e mendimit te harruar te politikes vulgare
    se
    ata kane veprat e tyre.
    ata na kane lene veprat e tyre,
    E ne i mbajme ne shpirtrat tona,
    E ne i mbajme per ndricimin e vlerave tona
    E ne i ruajme dhe i kujtojme
    nga biblotekat tona.
    respekt per te gjithe vlerat kombeare
    qe jetuan per te punuar per kete vend
    Dhe pa dashur me vjen ne mendje edhe kjo perle

    Dritero Agolli

    Ketu s’do jem do jem larguar
    Ne toke I tretur si te tjeret
    Ne kafenene e preferuar
    Nuk do me shohin kamarieret

    Dhe neper udhet ku kam ecur
    S’do ndihet kolla ime e thate
    Mbi varrin tim do te rrije I heshtur
    Nje qipariz si murg I ngrate

    Ti do trishtohesh atehere
    Se s’do me kesh ne dhome te gjalle
    Dhe kur ne xham te fryje ere
    Do qash me eren dalengadale

    Por kur te jesh merzitur shume
    Ne raft te librave kerkome
    Aty do jem I fshehur une
    Ne ndonje fjale a ndonje shkronje

    Mjafton qe librin pak ta heqesh
    Dhe un do te zbres do t’vi prane teje
    Ti si dikur me mall do qeshesh
    Si nje blerim pas nje rekeje
    respekte edhe njehere ILIR

  • Po e ke fjalen per Muntaz Dhramin, ai eshte gjalle, kolos fare i papertuar qe nuk ka cfare i ben gjylja e murtaja e jo me padituria, shperfillja e te paditurve qe bejne “politike”.

  • Perfitoj nga rasti te pershendes piktorin e mirenjohur Naxhi Bakalli, me te cilin kam pasur rastin, fale bujarise se tij, te bashkepunoj.
    Gazmiri

  • Po Kristaq Dhamo, nje nga themeluesit e Kinostudjos, regjizorin e filmit te pare artistik shqiptar “Tana” ne 1957 e te shume filmave te tjere, ju ka rene ndonjehere ne mendje? Gjalle e keni, sa here ne Nju York e sa here ne Tirane.

  • Te lumte djalosh. Sa keq qe mendje kaq te kthjelleta jane te ralle. Jetojme 24 ore ne dite, ne mes te banalitetit

  • Ne jemi ai vend e ai popull ku i dituri s´ka gjetur kurrë preh, atij ose i është ´´prerë koka apo gjuha, ose është dëbuar e detyruar të syrgjynoset´´. Shqipëria si “Guri i Sizifit”…Edhe sot e gjithë diten gjoja jemi në demokraci dhe aspirojmë të bashkohemi me Evropen mendja intelektuale nuk dëgjohet paguhet kaq pak dhe vendos paganizmi ynë mesjetar që sundon në çdo qelizë dhe kjo është shumë domethënese, sepse ky popull I shumevuajtur nga shpellat mezi doli në kodrina-fshatra dhe jetoi atje deri tani dhe sapo ka rënë në qytet rreth 50 % e popullsisë dhe kjo do shekuj të marrë formën parveny të qutetarisë. Tek ne ende lulëzojnë pesë anarkite e Nolit: anarkia fetare, anarkia shoqërore, anarkia morale, anarkia patriotike dhe anarkia e idealeve. Asnjë vend në botë nuk është zhvilluar dot pa vënë në ballë intelektualët. Dhe historiografia jone ka qenë përherë e pavëmëndshme ndaj “figurave dhe heronjve të vërtë kombëtarë apo dhe ndaj “punëtorëve pa bujë” qe kan bërë vepra të vyera për këtë vend dhe komb, për indipendencën, gjuhën dhe dinjitetin tonë, që as u permendet emri. Sepse në traditën e saj, të herëshme e të mëpasme, ka qenë kryesisht madhështimi i kaçakut, komitit, atentatorit, “atij që t’i numëron shtatë në ballë”.

    Tek ne të bën përshtypje që mitingjet e partive mbushen plote bile eshte skandaloze që sheh në këto mitingje dhe brezin e ri që dhe ai shpreson nga partitë të zërë vend pune d.m.th. dhe ky brez pret “të marre ate qe s’i takon” përmes partive dhe jo të ti vënë gjoksin punes apo shkolles dhe te prese konkurimin në një ekonomi tregu dhe të jenë dinjotozë. Në fushata kudo degjon ende brohoritje si ato të djeshmet: “parti Enver jemi gati kurdoherë..”. Kjo është skandaloze. Skënderbeu në kuvendin e parë që ka bërë me shqiptarët ne Kruje me 1443-shin, dhe këta duke brohoritur i janë avitur piedestalit të tij, ju drejtua atyre duke thënë ”Unë erdha për tu dhënë shtysë përpara por tani e kuptoj se ju paskeni nevojë për fre’ “ !Jemi ne ata që ndonëse meritonte lapidar F. S. Noli, që kur pasi e mundën dhe e ndoqën pashallarët e bajraktarët më 1925-ën e percollën vetem një grusht njerëzish, saqë ai i mërzitur dhe i indinjuar më shumë se nga humbja duke iu drejtuar tokës shqiptare, thonë se tha ´´Skllevër, bij sklleverish ju kurrë s´keni për ta merituar lirinë´´!
    Dhe vite e shekujt kan kaluar dhe ende kjo Shqypni s´po bëhet dot se sé lënë vet Shqiptarët e pamësuar me rregull e pa asnjë vetëdije publike të arrirë. Ndoshta dhe ngaqë ky popull i shkretë me kulture baritore s’ka mësuar fare nga historia e tij. Qe ky popull që e la ne rrugë dhe e përfollen vetëm 5-vetë Nolin e humbur më 1925-ën dhe ai i pezmatuar si asnjëhere tha” Skllevër, bij-skllevërish, ju kurrë s´kini për ta merituar lirinë”. Por nga ana tjeter nga rraca jone kan dalë dhe njerëz të shquar dhe të ditur, që nga ata me emër në botë, por dhe ata që u vetmohuan për ideal dhe prosperietet por në përgjithësi këtu ka prevlauar e keqja sepse ata që dine por s´kan rrinë e bëjnë sehir.
    Në këtë vend vëretet ka patur burra të mëdhenj dhe që kan bërë xheste historike që nga ai i Ismail Qemalit (që pas tij e përdhosi vendin Haxhi Qamili, siç përdhosi Sali Berisha demokracinë tone sui generis, duke kaluar nga feudalizmi ne socializëm dhe . menjëherë në demokraci/kapitalizëm) dhe deri tek mijra intelektualë dje dhe sot të flijuar për ideal. Por në përgjithesi mendoj se në këtë vend asnjëherë s´po i vihet pika mbi “i” gjërave dhe flasim e shkruajmë dhe loja-vandale vazhdon rituali apo avazi i vjetër, dhe vendi i lihet viktime e asaje mendesi qe “sa të mendohet i mënçuri budallai mbaron punë”. Dhe kjo me kujton hosanate panegjirike Solonian, glorifikimi deri në ekstazë i absolutizmit shtetëror, lindja dhe zhvillimi pakufij i fetisheve, hyjnizimi i kultit të njëshit, mistifikimi i të vërtetave historike, robotizimi i trurit intelektual përms inkuizicionit të mendimit të lirë, këto përbejnë tek ne edhe sot e gjithë ditën frymën e ritualit të vjetër të substratit gjiriz, mbi të cilin lëshojnë rrënjë dhe harlisen për bukuri të gjitha llojet e gjëmbaçeve dhe hithrave prej nga do të mund të ushqehen të gjitha segmented e turbullirave të llahtarshme shoqërore.
    Në këtë vend dhe sot e kësajë dite sundon hipokrizia dhe arroganca e injorancës – siç e quante atë Mikelanxhelo që në sh. XV-të. Ndaj foli dhe Zarathustra i Persisë thotë Niçja 3000 vjetë më parë per tu bërë dinjitoz dhe i vetëdijshëm i mjeri njeri dhe ne ende s’kemi kuptuar e zbatuar asgjë nga dija dhe përvija njerëzore se kodet dhe idetë primordiale dhe dijen hyjnore pak e njohin. Kush u kujtua të vërë pikën mbi i’ e të vlerësoj figura të tilla nga tonat të denjigruara apo lëna ende në hije që janë ende gjallë e enden të injoruar mes nesh që rendin të etur vetëm për pushtet e para dhe shtojnë numrin e sojsëzve në këtë vend të pa dinë e pa iman.
    Ç’do popull ka qeverinë që meriton’, thotë një thënie e vjetër. Dhe nuk është rastësi që pas 100 vjetesh shtet ne kemi rënë kaq poshtë sa të kemi një qeveri me në krye Sali Berishën, që flet që prej 20-vjetesh vetem broçkulla dhe ka bërë aq zullume në kete vend si ajo e ’97-ës që jo kryeministër por as qytetar i këtij vendi s’e meriton, po meriton ta shpallesh si subjekt retroaktiv të ligjit të lashtë Grek të Ostracizmit, ta dëbosh nga vendi se përdhosi gjithça, shtetarinë, drejtësinë, politikën, ekonominë, shkencën, kulturën, historinë, shtetin të tërë, administratën shtetërore dhe s’ka burrë nëne që pas tij ta sjellë më në vete këtë vend.
    Dhe shpresa e vetme sot është opozita jonë që do jetë qeverisja e nesërme që ka shansin dhe obligimin në këte zgrip PD-istësh të ndërtoj një program të qartë dhe të vërtetë ringritjeje kombetare së pari të dinjitetit të këtij vendi dhe krahas kësajë të ekonomisë, të popullit të thjeshtëe i cili zvarritet që prej 100 vjetësh dhe 20 vjetësh demokraci.
    Në një takim me intelektual që u zhvillua më 11 Janar 1991, në Institutin e Lartë të Arteve, shkrimtari i madh disident Kasëm Trebeshina kur foli për qeverisjen tha: Qeverisjsa e vendit, është një amanet i lashtë.”Qeveriseni mirë popullin se përndryshe ai ç´do invazion të huaj do t´a quaj çlirim”-ka thënë 3500 vjet më parë mbreti Hemurabiu i Asirisë/Babilonisë së lashtë. Për lëvizjen studentore të Dhjetorit dhe Partinë Demokratike, ai tha ´´Lëvizja studentore është ende para nesh si një afresk i lartë mural dhe ne nga që jemi shumë afër tij nuk e shohim dot se sa i lartë është, do të duhen vite e kohë që të shohim e kuptojmë madhështinë e sajë´´. Dhe ja pas 20 vjetesh ajo shkoi huq përfundoi nën kthetrat e Sali Berishës që s’ndin për njeri sot dhe fjalen demokraci s’e njeh se nga bie me shtëpi. Ndërsa në një miting të PD-së ne opozitë të v. 1992 Kasëm Trebeshina, duke parë sjelljen prej Ponç-Pilati të Sali Berishës i tha “ ti s’bën dot demokraci ty të ka vdekur foshnja në lindje” (në fakt ka pas dashur ti thotë e ke vdekur foshnjën në lindje-se ai vet e përdhosi fillimin dhe po shënon sot fundin e PD-së, por haraç të madh do paguaj shumë Shqipëria dhe populli shqiptar nga ky njeri primordial).

    Por me sa duket ne mbetemi viktimë e përherëshme e vetëvehtes, si gjithmonë, që durojmë kur duhet ngutur e ngutemi kur duhet duruar, luftojmë dhe bejmë zhurme kur duhet ndenjur urtë dhe rrimë suqut kur duhet thënë açik fjala për ta kuptuar mirë dhe populli se ç´po ndodh në këte vend përpara se të jetë vonë dhe jo post-mortum dhe le të dallohen pastaj ato që duhet të ´´ikin´´ ose të paktën të rrinë ´´urtë´´.
    Solla këtu disa momente e nënvizime historike, as për të treguar erudicion as për të bërë retorikë, por për të kërkuar më shumë dinjitet në këtë vend, se me njerez dinjitoz bëhet pastaj kombi dhe shteti dinjitoz, dhe për ata që i thonë vetes intelektual, me shumë mendime e pjesmarrje në jetën publike dhe politike, se përndryshe do të na sundojë përjetesisht mbretëria e bufave, prevalenca e mediokërve, që kjo Shqipëri e vogël sot me krye n’hi që është si “Vezë e Kolombit” të mos mbete përjetësisht “Guri i Sizifit”.

    • faleminderit Ilir Metaj per kete shkrim. nuk te njoh, por nga fakti qe more kete inisiative apo kurajo per te prekur kete ikone, Naxhi Bakallin, po me dukesh se dhe ti ke madheshti qe i shkon asaj te Naxhiut tone Tiranas.

  • Shume i nderuar do mbetesh me kete shkrim, gazetari Ilir Metaj. Naxhi Bakallin e kam njohur kur erdhi ne Kruje bashke me shoket e tij dhe bene pikturat murale ne Museun e Skenderbeut. Shume te resopektuar. Populli i Krujes i nderonte me shume respekt,pasi qendruan me muaj te tere ne Turizmin e Qytetit. Por une do te permendja, krahas emerave qe permenden shume komentues edhe piktorin Myrteza Fushekati, piktura e te cilit deri vone per shqipnjen shqiperi ndodhej ne Museun Historik, apo piktorin tjeter Shyqyri Sako, apo Foto Stamon e shume te tjere qe do te mbeten krenaria e artit shqiptar. Nderime i dashur gazetar dhe e nderuara gaeta “Dita”

  • Pershendetje Ilir, nje shkrim qe duhet te na zgjoje nga gjumi politiko-letargjik.
    Kemi vite qe perballemi me ofensiva te pavlera mediatike, ai/ajo (i) tha…, ajo u xhvesh, ai u nxeh…., ata u lidhen…., ata u zgjidhen………
    Sa kohe kemi humbur, sa vlere na kane ikur nga vemendja, nga jeta? Nuk besoj se e kemi bere nga mosdija apo injoranca. Nese bejme nje analize te atij shkaterrimi qe ka ndodhur tek ne, do pranojme se ka qene nje aksion i qellimshem, i dirigjuar nga dikush dhe i zbatuar nga njeri.
    Duke lexuar shkrimin, dhe njekohesisht duke e njohur Naxhi Bakallin Ju pershendes dhe ju falenderoj.
    Uroj qe sa me shpejt te zgjohemi nga vorbulla ku na kane hedhur ata qe nuk na duan.

  • “Nesun profeta e amato nela sua patria” do te thone latinet,asnje profet nuk morri dashuri ne atdheun e vet ,keshtu ka ndodhur ne shekuj, kjo ndodh dhe tani ne kohet qe jetojme.Kjo shoqeri eshte molepsur ne menyre te tille qe eshte veshtire te eci ne raport me kohen ne rreugen e drejte. shkruesi i ketyre rradheve para pakvitesh ka pareTe ndjerin dhe te nderuarinPRof. Akademik Shaban Demiraj te ecete me bicikleten e tij per ne pune ne akademi kur perpara tij i del nje BMV X5 drejtuar nga nje çunak, bos nga parate dhe tangerlleku qe desh e perplasi ne trotuar Akademikun.Nje meteor ,nje profet i mendimit dhe i shkences,me nbje rroge shteti qe e nderon gjithe elita e Evropes desh iku nga nje adoleshent me xhepat plot me euro ose dollare . .Dhe varret e korifejve jane te thjeshte,ndersa banditet, vrasesit, drogmenet i kane me catira dhe salltanete qe pas vitesh e vitesh brezat do te thone , qe keta jane ata qe nderojne kombin, eshikon si behet historia, i nderuar lexues.Ata qe shpien perpara boten, shoqerine jane mendjet e ndritura, frutet i gezojne maskarenjte. nje zoteri aty me larte ka komentuar gjate dhe mire ka bere, ,po si nuk thua nje laf or derezi qe kemi nje parlament me kriminele e trafikante, dhe nje qeveri me nje drogmen i vertetuar, ne krye, mer nje shpure rreth vetes qe skane haber nga qeverisja, dhe profesoret dhe akademiket rine e mendojne,kur kjo shoqeri do te ngrihet mbi tiranet qe e kane kapur per fyti. me njerez me diplloma te blera, mire bejne qe po mbyllin ca universitete, por a e di z. K.Minister qe me keto diplloma i ka ne parament ne qeveri dhe ne administraten shteterore, ky eshte modeli qe do te ecim perpara? turp e faqe e zeze, Ky vend nulk behet perderisa e keqja ka marre dhene.,

  • Nje shkrim brilant,te faleminderit z.Metaj.Sa korifej te gjalle kemi akoma?Kush i nejh?Kam pasur fatin te bisedoj me njerin prej tyre,te madhin Besim Zekthi,Kur e ke prane dhe e degjon kur flet,ai te “merr gojen” sikur ta merr ujku.U zot cfare mrekullie eshte te bisedosh me ate burre.I tille ishte dhe professor Shabani, artisti i madh Piro Mani,regjizori Kulla Kineasti Anagnosti,akademiku Mentor Permeti,poeti Xhevair Spahiu pa harruar te medhenjte Agolli dhe Kadare,te madhin Rexhep Qosja,te pa arritshmin Arben Xhaferi e shume te tjere qe nuk kam mundesi t’i permend.Nuk e kuptoj se c’qe ajo kohe qe nxorri ne dreite keta korifej.Merakun e kam se a do te kemi me te tilla talente ne te ardhmen si komb?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *