Disa prej statuseve që zënë hapësirën kryesore në rrjetet sociale, sidomos në këtë fillim shtatori, janë ato të pushimeve.
Pasi përfundojnë ato, një pjesë e madhe e njerëzve ndihen keq, madje u duhen disa ditë për të marrë veten dhe për t’iu rikthyer normalitetit. I njohur si sindromi i “pas pushimeve”, ky është një çrregullim që ka të bëjë saktësisht me përshtatjen dhe që mund të shoqërohet me simptoma të ndryshme deri në rifitimin e shprehive të zakonshme.
Të paktën ky është shpjegimi që japin studimet e ndryshme të bëra në të gjithë botën. Sipas psikologëve, vitet e fundit, stresi pas pushimeve është ndikuar edhe nga kriza ekonomike, pasi tashmë shqetësim nuk është vetëm përshtatja me ambientin e punës apo riorganizimi i rutinës në familje, por dhe stresi lidhur me vetë punën.
E vetmja këshillë që një mjek apo një psikolog mund të të japë, është që puna rinis më lehtë nëse ndryshon ritmin dhe shmang streset e tepërta.
Pas pushimeve, dua…pushim
Të rikthehesh në punë pasi ke pushuar, duket sikur është një sfidë më vete për këdo. Në vend që të gjithë të jenë më të kthjellët dhe produktivë, vihet re që ndodh e kundërta. Aq sa me të qeshur thuhet se duhen disa pushime pas pushimeve.
Të gjithë kemi kontakte me familjarët, miqtë apo të njohurit tanë, ku dëgjojmë prej tyre ankesat për një gjendje lodhjeje dhe depresioni pas kthimit në punë.
Pikërisht, lidhur me këto probleme është bërë një studim në Universitetin e Milanos, nga departamentit i Neuro-shkencës, ku rezulton se të gjithë të sapokthyerit nga pushimet janë tepër të lodhur, madje ata përdorin fjalën të “vdekur”.
Për këtë arsye, ata nuk ndihen të gatshëm për t’u kthyer në punë.
Dita e parë
Dita e parë e punës nis me një lloj stresi dhe mosdëshire për t’iu kthyer rutinës së përditshme. Të gjithë do të donin që të kishin edhe disa ditë më shumë pushime.
Prandaj, kudo mund të dëgjosh shprehje të tipit: “Mos ma ngarkoni mua këtë detyrë se është e vështirë”, “duhet të punoj edhe sot?” etj.
Me pak fjalë, ata që kthehen nga pushimet në ditën e parë të punës presin që kolegët apo shefi ta mirëkuptojë dhe të mos i kërkojë llogari për punë.
Shumica e të sapokthyerve, ditët e para të rikthimit në punë i konsiderojnë si një lloj ambientimi nga faza e pushimeve në përshtatjen me ditët e punës.
Vetë personat që sapo janë kthyer nga pushimet dhe sociologët pranojnë se është paksa e vështirë që të përshtatesh nga qejfi në pushime tek kërkesa e llogarisë dhe përgjegjësia në punë.
Por, sociologët e lidhin edhe me një fenomen tjetër, që është mënyra se si i kanë kaluar pushimet këta persona. Nëse kanë qenë aktivë apo pasivë.
Domethënë, çdo gjë varet nëse ata kanë pushuar apo kanë bërë pushime, të cilat kanë qenë shumë aktive dhe detyrimisht të lodhshme.
Prandaj, presupozohet se kur shkojmë me pushime duhet të pushohet dhe jo të qëndrojmë gjatë gjithë ditës të angazhuar me lojëra verore, qëndrim në diell apo not, dhe gjatë natës nëpër klube të ndryshme me muzikë të fortë dhe argëtim deri në orët e para të mëngjesit.
Mund të themi se kjo është edhe një nga mënyrat më të preferuara për të rinjtë, se si ata i kalojnë pushimet.
***
“Zgjidhni punët më urgjente e pastaj rutinën”
Duke u nisur nga studimi dhe nga ato se çfarë kemi parë dhe kemi komunikuar me të gjithë të sapokthyerit nga pushimet, “Dita” ka folur me psikologen Arlinda Selmani, e cila na shpjegon se si ndihen ata që i janë rikthyer punës. Përse krijohet një situatë e tillë dhe ajo që është më e rëndësishmja, si të veprojmë për ta shmangur këtë situatë. Selmani shpjegon se faktor ndikues janë mënyrat organizimit të pushimeve që kemi kaluar, lloji i punës, trajtimi në punë etj.

Arlinda, jemi në një kohë ku janë të shumta ata që sapo janë kthyer në punë, pas pushimeve. Cila është gjendja psikologjike e këtyre personave në ditët e para?
Ky është një problem që ka filluar të identifikohet së fundmi, dhe ky është një tregues i jetës stresuese është një tregues që njerëzit nuk bëjnë shume pushime të shkurtra gjatë vitit. Jeta dinamike, kapitaliste duket më tensionuese, madje edhe për vetë të vetëpunësuarit, të cilët nuk arrijnë të shkëputen dot për pushime, por dhe kur shkëputen, mezi i rikthehen punës.
Megjithatë për të dalë te pyetja juaj, edhe unë personalisht bëj pjesë tek ata njerëz që preken nga sindroma “pas pushimeve”. Dhe mendoj se shumë si unë ndodhen në gjendje të “dembelosur” për t’u rikthyer në punë. Truri, por dhe trupi teksa janë të shtensionuar dhe në një valë pushimi, u duhet pak kohë jo vetëm psikologjike, por dhe fiziologjike për t’ju rikthyer rutinës së përditshme. Prandaj dhe rikthimi në punë menjëherë pas pushimeve është shumë i vështirë, për shkak të pamundësisë për t’u përshtatur menjëherë, pra për të zhvendosur trurin në valën e punës.
Por rikthimi është i detyrueshëm, cili është reagimi i tyre në punë?
Në përgjithësi të gjithë presim që pas pushimeve të jenë më të çlodhur, por duket se ndodh krejt e kundërta, duket sikur janë më të lodhur. E reagimet ndaj kësaj situate janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga nervozizmi i pashpjegueshëm dhe për gjëra të vogla e deri tek refuzimi për të punuar. Dhe reagime të tilla janë në vetvete vështirësi për t’u përshtatur, pasi rikthimi në jetën normale pas relaksit buzë detit është në vetvete shumë më i vështirë se ç’mund të përfytyrohet.
Sipas jush, pse vjen gjithë ky stres pas pushimeve, ka një shpjegim më konkret?
Në psikologji, në fakt, ka qenë e njohur simptoma e depresionit pas pushimeve. Ky lloj depresioni nëse mund ta quajmë të tillë (pasi nuk duhet t’i frikësojmë njerëzit), është situatë kalimtare e cila ka të bëjë më një problem përshtatjeje dhe rikthimi në rutinë. Krijohet stres sepse krijohet nevoja për të përmbushur detyrat, por nga ana tjetër pamundësia për t’i përmbushur ato, prodhon tension. Duhet të theksoj se njerëzit të cilët kanë një punë me afate, dhe që u duhet të rikthehen menjëherë në punë e kanë më të vështirë të përshtaten. Pastaj duhet të kuptojmë diçka me rëndësi, njeriu nuk është makinë robotike ku mund të fikësh dhe të ndezësh çelësin e saj menjëherë. Sepse edhe pushimet për atë kategori që punon janë një lloj “fikjeje” nga rutina përditshme dhe “rindezja“ për të ecur përsëri e do pak kohë.
Shpesh thuhet se këta persona që ndihen të lodhur që në ditën e parë të punës janë dembelë…?
Nuk mendoj kështu, e gjitha ka të bëjë me përshtatjen, dhe ata që kanë aftësi të mira përshtatëse dhe nuk u duhet kohë për ta bërë këtë, e kapërcejnë lehtësisht këtë situatë. Nuk mund të themi që janë dembelë ata që pas pushimeve ndihen të lodhur sërish, vetëm nëse kanë bërë pushim tërë vitin e sërish ndjehen të lodhur, atëherë dhe mund ta themi që janë dembelë. (qesh)
Gjithsesi duhet theksuar se zakonisht muaji Gusht është një muaj i fjetur, e teksa të gjithë janë me pushime, është e pamundur të qëndrosh në zyrë. Ka të bëjë me predispozitën biologjike që kemi për të krijuar varësi ndaj mjedisit. Kur të gjithë janë pushime dhe ti do të bësh pushime, kur të gjithë punojmë edhe ti do të punosh. Pra ne i përgjigjemi ambientit që na rrethon. Me pak fjalë kur të gjithë janë pushim buzë detit apo majë malit është e pamundur të qëndrosh i veçuar aq me tepër duke punuar në zyrë. Do duhej motiv shumë i fortë për ta bërë këtë.
Si mund të dilet nga kjo gjendje, dhe cila do të ishte mënyra më e mirë për t’ju rikthyer jetës së përditshme të punës?
Këshilla më e mirë është që së pari të bëhen pushime të shpeshta dhe të shkurtra, pasi pushimet e gjata krijojnë një shkëputje të madhe dhe rikthimi është më i vështirë. Do ishte shume mirë sikur pushimet të mbylleshin 2-3 ditë para se të fillonte puna pasi në këtë mënyrë nuk përballësh menjëherë me tavolinën e zyrës, por i jep vetes pak kohë për t’u përshtatur. Gjithashtu, pas pushimeve bisedat me miqtë pse jo dhe bisedat rreth pushimeve ndihmojnë shumë për kapërcimin e kësaj situate.
***
Studimi
Pas pushimeve jemi “të vdekur”
Rikthimi në punë kthehet në një stres të zakonshëm dhe të përvitshëm për të gjithë. I njohur si sindromi i “pas-pushimeve”, ai është bërë kryefjalë edhe për një studim të fundit, të kryer në Itali, i cili ka rezultuar se pas pushimeve, jemi “të vdekur”… Studimi është kryer në Universitetin e Milanos, nga departamentit i Neuro-shkencës dhe ka nxjerrë disa nga shkaqet se përse ndodh kjo dhe nëse është e vërtetë apo gjendje e shtirur. “Ky është një çrregullim që ka të bëjë saktësisht me përshtatjen dhe që mund të shoqërohet me simptoma të ndryshme gjatë tranzicionit, në mes një periudhe të përshkallëzimit të tensioneve dhe rifillimit të shprehive të zakonshme”, shpjegon Claudio Mencaçi, drejtor i Departamentit të Neuro-shkencës në spitalin e Milanos. Duke shtuar se këtë vit, për më tepër, duke pasur parasysh dhe situatën delikate të referuar nga kriza financiare, për shumë njerëz kthimi nga pushimet është pritur më keq se më parë. Pasi, ai nuk ka qenë më i lidhur vetëm me mendimin për t’ju përshtatur punës apo riorganizimit e rutinës së familjes, por edhe me shqetësimet në lidhje me punën. Në kushte të tilla, aktivitetet njohëse mund të bëhen pre e anktheve. “Nervozizëm, lodhje e thellë, vështirësi në përqendrim, trazime gjatë gjumit, dhimbje koke dhe ndonjëherë humbje peshe janë disa nga shqetësimet klasike. Në zhvillimin e tyre luan një rol kyç edhe stresi”,- sqaron më tej eksperti Mencaçi, lidhur me këtë fenomen të përhapur më së shumti në muajin shtator.
***
Këshilla
Pyetja e bezdisshme: Ku i kalove pushimet?
Pas kthimit nga pushimet, përveç problemeve me ambientimin në punë, na duhet që t’u kthejmë përgjigje kolegëve për çdo detaj të pushimeve. Kjo është stresuese për këdo që do të kthehet në jetën e përditshme, por pa fraza të shpeshta që i dëgjojmë si refren për të gjithë të sapoardhurit. Ja disa shembuj: “Ku i kalove pushimet? Me kë i kalove? Sa shpenzove? A ishte koha e mirë? etj. Ndërkohë që të gjithë janë të “vdekur” nga pagjumësia, lodhja, nervozizmi, të cilat janë të gjitha simptoma të kthimit nga pushimet. Në shumicën e rasteve ndodh për shkak të ndryshimit të klimës, apo të relaksit gjatë pushimeve dhe përditshmërisë së ngjeshur në punë. Megjithatë, psikologët ofrojnë disa këshilla për shmangien e këtyre shqetësimeve. Mundohuni të ktheheni nga pushimet disa ditë përpara se të filloni punë në mënyrë që të mësoheni me temperaturat e ambientit dhe të ritmeve të qytetit. Nëse është e mundur, edhe punën niseni gradualisht. Në këtë mënyrë, do t’u duhet të shmangni edhe pyetjet. Miqtë, duhet t’i takoni para se të vini në punë dhe takimet me të njohurit mund t’i përfundoni po më përpara. Kjo do të ishte një mënyrë e mirë për të fituar kohë në mënyrë graduale dhe për t’ju rikthyer punës pa emocione bezdie.

