Bujqësia, barazohet TVSH-ja në blerje dhe shitje

redaktor

Sapo ka hyrë në fuqi vendimi që barazon TVSH-në në shitje dhe në blerje për prodhimet bujqësore, ose e thënë me qartë që ka të bëjë me kompensimin e barrës së kësaj takse që fermerët përdorin për blerjet e tyre. Këtë fakt e bëri të ditur dje Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, gjatë një takimi që kishte me përfaqësues të shoqatave të fermerëve.

Ai kërkoi prej tyre që të pajisen me faturat tatimore të shitjes për çdo transaksion që bëjnë, pasi tani nuk ka më asnjë arsye pse të penalizohen. “Që nga ky moment, prodhimet bujqësore shqiptare, tregtohen, eksportohen dhe grumbullohen me 14% më pak të kostos, gjë që i vendos ata në një konkurrencë të lirë dhe të ndershme me prodhimet e importuara”, u shpreh dje Panariti.

Sipas ministrit, “kjo është një masë jashtëzakonisht e rëndësishme lehtësuese fiskale për prodhimet bujqësore, që u shkon direkt si përfitim prodhuesve, agropërpunuesve, grumbulluesve, shpërndarësve dhe eksportuesve”.

Tashmë, theksoi Panariti, pas heqjes së TVSH-së do të rritet numri i sipërmarrjeve që do të regjistrohen duke i dhënë fizionominë europiane bujqësisë shqiptare. Ministri Panariti deklaroi se eksportet bujqësore u rritën me 10% deri në fund të muajit qershor në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po kështu sipas ministrit një nga sektorët që do t’i jepet prioritet, do të jetë dhe ai i prodhimit të bimëve medicinale, ku një nga laboratorët e parë që do të hapet me parametra bashkëkohor do të jetë në Shkodër.

Kush është objekt kompensimi?

Sipas udhëzimit për këtë vendim që disponon gazeta Dita, thuhet se ky regjim ka për qëllim të kompensojë barrën e TVSH-së që fermerët kanë paguar për blerjet e kryera të përdorura për prodhimin e produkteve bujqësore.

Objekt i skemës së kompensimit do të jenë fermerët që zhvillojnë aktivitetin e tyre në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore, pyjore dhe peshkimi si veprimtari për prodhimin e produkteve bujqësore bimore ose shtazore në kuadrin e aktiviteteve të përcaktuara.

Sipas udhëzimit fermerët që i nënshtrohen kësaj skeme konsiderohen ajo kategori e prodhuesve bujqësore të cilët nuk i nënshtrohen regjimit normal të TVSH-së për arsye se aplikimi i regjimit normal të TVSH-së krijon vështirësi administrative. Po kështu çdo fermer që i nënshtrohet këtij regjimi, në mënyrë të vullnetshme mund të zgjedhë t’i nënshtrohet regjimit normal të TVSH-së, duke iu nënshtruar çdo të drejte dhe detyrimi për regjistrim, deklarim, llogaritje dhe pagesë të TVSH-së sipas përcaktimeve ligjore.

 

Si mund të përfitohet nga skema e kompensimit?

Udhëzimi sqaron se kush janë kategoritë e fermerëve që përfitojnë të drejtën e kompensimit të TVSH-së.

Kështu fermeri përfiton të drejtën e kompensimit për sa kohë qarkullimi vjetor i tyre bazuar në shitjet e kryera për produktet bujqësore kundrejt personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit, sipas vleres totale të furnizimit të shënuar në fature, nuk tejkalon kufirin minimal të përcaktuar të regjistrimit për TVSH-në.

Fermerët që janë objekt i skemës së kompensimit duke filluar nga hyrja në fuqi e ligjit duhet të pajisen me një numër identifikimi (NIPT), lëshuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore ku ushtron aktivitetin fermeri.

Çdo fermer i pajisur me Nipt për të përfituar nga kjo skeme, nuk i nënshtrohet detyrimit për deklarim të TVSH-së.

 

Aktivitetet bujqësore që kompensohen nga barra e TVSH-së

1. Kultura:

a) bujqësia e përgjithshme, përfshirë vreshtarinë;

b) pemëtaria (përfshirë olivokulturën) dhe hortikultura (perimet, lulet dhe bimët zbukuruese), edhe në serra;

c) prodhimi i kërpudhave dhe i erëzave, i farërave dhe filizave;

ç) mbarështimi i shtretërve të fidanishteve.

2. Blegtoria, në lidhje me kulturën e tokës:

a) mbarështimi i kafshëve;

b) i shpendëve;

c) i lepujve;

ç) i bletëve;

d) i krimbit të mëndafshit;

dh) i kërmillit.

4. Peshkimi:

a) peshkimi në ujërat e ëmbla;

b) rritja e peshkut;

c) rritja e midhjeve, rritja e stridheve, rritja e molusqeve dhe e krustaceve;

ç) mbarështimi i bretkosave.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *