Xhufi: Janullatos, njeri pa integritet dhe shkak konflikti mes Shqipërisë e Greqisë

anazapta

Ndërsa vazhdojnë polemikat për Shën Kozmain dhe kremtimin e 300 vjetorit të lindjes së tij nga Anastas Janullatos, Prof. Pëllumb Xhufi në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’ (ku edhe filloi debati) argumenton edhe njëherë se Kozma Etoli ishte një misionar grek kundër gjuhës shqipe dhe shkollave shqipe. Me këtë rast, Prof. Xhufi u përgjigjet kontestuesve të tij grekë, si ish-deputetit të Janinës Pantoulas. Interesant është argumenti i historianit Xhufi që në gjithë këtë histori, kryepeshkopi Janullatos po përdoret nga grekët si një tjetër casus belli kundër Shqipërisë dhe pse ai e ka humbur integritetin e vet, është bërë një element konflikti, dhe jo paqeje, në marrëdhëniet mes dy vendeve.

 

Profesor, ka rreth dy javë që vazhdon një polemikë lidhur me festimin e 300 vjetorit të lindjes së Shën Kozmait. A ia vlente gjithë ky debat?

Nga këndvështrimi i një historiani, por përgjithësisht edhe nga këndvështrimi i një intelektuali, çdo debat që i ndihmon daljes në dritë të së vërtetës, ia vlen të bëhet. Përsa më përket mua, “hyrja” në debatin mbi Kozma Etolin nuk është aspak “i motivuar politikisht” dhe nuk lidhet aspak me 300-vjetorin e tij, që u kremtua nga kreu i KOASH-it në 24 gusht të këtij viti. Kurioziteti shkencor më ka shtyrë drejt studimit të kësaj figure dhe për të kam shkruar një artikull të gjatë që në vitin 1995, të botuar në gazetën “Dita Informacion”, pasuar më vonë nga një studim shkencor, botuar po atë vit, dhe një tjetër studim më të thelluar në vitin 2006. Ndërkohë, gjatë hulumtimeve për qëllime të tjera në arkivat e huaja, jam njohur me një mori dokumentash të panjohura e të pashfrytëzuara për Kozma Etolin dhe një vlerësim paraprak të këtij dokumentacioni e bëra me një shkrim të botuar para pak ditësh në “Gazetën Shqiptare”. Ky material i ri ka bërë që të “shkundet” edhe ndonjë mendim i imi i hedhur në vitin e largët 1995 mbi Kozma Etolin, si p.sh. ai që lidhet me vlerësimin e tij si një “murg gjysëmanalfabet”. Në fakt, nga kjo distancë kohore, më rezulton se Kozma Etoli ishte një klerik mjaft i shkolluar e i sofistikuar. Ky korrigjim historik ishte i nevojshëm të bëhej, pavarësisht se nuk ndikon në dobësimin e konkluzioneve të mija të mëparshme, përkundrazi.

 

Ndër më të sulmuarit në këtë debat nga ana e Kishës keni qenë ju, pasi sipas disa ithtarëve të Kozmait, ju kini hedhur baltë mbi një shenjt. Më i ashpri në këtë qëndrim ka qenë Mihail Kr. Pantoulas, filolog – hulumtues, ish-Deputet i Janinës, ish-Kryetar i Komitetit të Miqësisë së Parlamentit Helenik me Parlamentin Shqiptar, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ndërparlamentare të Orthodhoksisë. Si jeni ndier kur lexuat replikën e tij?

Nuk e fsheh, në këtë titullaturë të tejzgjatur të z.Pantoulas, e kam të vështirë të kuptoj se ku fillojnë e ku mbarojnë filologu, politikani e besimtari ortodoks. Gjithsesi, dua të besoj se, si ish-Kryetar i Komitetit të Miqësisë së Parlamentit grek me Parlamentin shqiptar, z. Mihal Pantoulas e ka shfrytëzuar autoritetin dhe rolin e tij të rëndësishëm në funksion të forcimit të lidhjeve dhe të miqësisë mes dy popujve tanë. Në raport me këtë qëllim fisnik, debati apo edhe përplasjet tona politiko-akademike, kanë një vlerë fare relative. Gjithsesi, nuk mund të rri pa i thënë dy fjalë lidhur me polemikën e tij, botuar në gazetën “Dita”. Së pari, cilësimet e tij ndaj meje, si “vjedhës” e “mashtrues”, nuk i bëjnë nder një zotërie me karrierë e me tituj kilometrikë, ndaj bën mirë t’i fusë në xhep. Përtej kësaj, z.Pantoulas pretendon se qasja ime ndaj figurës së Kozma Etolit është tendencioze dhe e gabuar, pasi në trajtimin e tij jam nisur nga paragjykimi për ta “zhveshur nga mbulesa mitologjike”, me të cilin e kanë mbuluar rrëfimet popullore, kronikat kishtare dhe instrumentalizimet politike. Sigurisht, unë i kisha të gjitha elementët për të dyshuar se figura e Kozmait ishte ngritur më tepër mbi bazën e miteve, se të fakteve historike. Po kujtoj këtu vetëm njërin nga këta elementë, atë që ka të bëjë me idenë e përhapur gjerësisht në Shqipëri, lidhur me kinse hapjen e shkollave shqipe nga ana e Kozma Etolit. Jo vetëm kjo nuk rezulton nga shqyrtimi i materialit dokumentar, por përkundrazi, në një nga predikimet e tij më të njohura e më të cituara nga vetë historiografia greke (që, ndoshta padashur i ka “shpëtuar” vëmendjes së z. Pantoulas), Kozmai u kërkon banorëve të Epirit të hiqnin dorë nga përdorimi i gjuhës shqipe, si në kishë ashtu edhe në shtëpi, duke u premtuar faljen e mëkateve besimtarëve që do e dëgjonin fjalën e tij e nuk do flisnin më në shqip. Nëse z. Pantoulas nuk më beson mua, i rekomandoj të lexojë autorët grekë S. Papakyriakou, A. Giolas e plot të tjerë, të cilët unë i citoj me bollëk e pa i shtrembëruar aspak në punimet e mija. Ose, sa për të gjithë, le të lexojë një kolegen e tij filologe, Prof. A.Konstantakopoulos të Universitetit të Janinës, nga ku e kam marrë ad litteram citimin në fjalë (A. Konstantakopoulos, Ellenike glossa sta Balkania 1750-1850, Janinë 1988). Ja pra, kështu bie miti e Shën Kozmait që hap shkolla shqipe, dhe ngrihet profili real i murgut Kozma si kundërshtar i gjuhës shqipe dhe promovues i shkollës dhe i gjuhës greke. Në fund të fundit, ç’ka këtu për t’u skandalizuar? Kozma Etoli nuk bën asgjë më shumë a më pak, nga ajo që bënte pas një shekulli vetë Ministria e Arsimit e Greqisë, e cila, në vitin 1882, shtypte në Athinë një rregullore të posaçme për shkollën greke të fshatit shqiptar Nivan (Zagori), në të cilën u ndalohej rreptësisht nxënësve të asaj shkolle përdorimi i gjuhës shqipe, si në shkollë, ashtu edhe në shtëpi.

Një mit i rremë është, sipas nesh, edhe ai sipas të cilit Kozmai erdhi në Shqipëri me “frymëzimin hyjnor” për të ndalur procesin e islamizimit. Sigurisht, Kozmai ishte klerik, dhe si i tillë, kudo ku shkonte mbante meshë dhe përcillte fjalën e Zotit. Por kjo nuk mund të na shtyjë, të paktën neve historianëve laikë, të injorojmë dokumente të shumta arkivore, nga të cilat rezulton se Kozmai u përcillte besimtarëve fjalë “me dy kuptime”, shpesh herë me “përmbajtje të qartë politike” dhe se gjatë udhëtimit të tij në zotërimet veneciane, siç ishte qyteti i Pargës, ai shoqërohej nga turma të armatosura. Kështjellari venecian i Pargës dyshoi me atë rast se Kozmai ishte pjesë e një projekti të Portës e të dinjitarëve osmanë të Çamërisë, të cilët donin që gjatë predikimeve të Kozmait të shkaktonin trazira me njerëzit e armatosur të tyre, dhe kështu të realizonin ëndrrën e vjetër të pushtimit të Pargës. Interesante janë edhe të dhënat e reja që flasin për një angazhim të madh të Kozmait për të nxitur popullsinë ortodokse të trevave të jugut të emigronte në Akuilea të Italisë, aso kohe zotërim i Perandorisë Austro-Hungareze. Maria Tereza e Austro-Hungarisë, në marrëveshje me Patrikanën dhe me Portën, kishte pranuar që në Akuilea të krijohej një koloni e madhe me popullsi ortodokse të ardhura nga Epiri dhe në funksion të saj të rikrijohej edhe Patriarkati i dikurshëm bizantin i Akuilesë. Ne kemi treguar se vetë Kozma Etoli ishte i interesuar për këtë projekt, pasi shpresonte të vihej në krye të selisë së re peshkopale të Akuilesë (Maria Tereza kishte caktuar një pagë mujore prej 1500 asprash për peshkopin e ardhshëm ortodoks të Akuileas). Por ky angazhim i fundit “politik” (dokumentet veneciane e cilësojnë pikërisht kështu) e bëri atë përfundimisht armik të Venedikut, i cili nuk mund të lejonte që pranë Venecies të ngrihej një bazë e rrezikshme e sponsorizuar nga kundërshtarët e saj, Austro-Hungaria, Porta e Lartë dhe Patrikana e Stambollit. Kjo është edhe arsyeja e fundit, që e bindi Senatin e Venedikut të organizojë vrasjen e Kozma Etolit.

Sa për pohimin që Kozma Etoli erdhi në Shqipëri me ferman të Sulltanit dhe me mandat të Patrikut të Stambollit dhe se misioni i tij, krahas ndalimit të gjuhës shqipe dhe promovimit të asaj greke, synonte edhe qetësimin e popullsive kryengritëse shqiptare, këtë unë jam i fundit që e them. Dhe nëse unë jam përsëri i pabesueshëm, z. Pantoulas mund të lexojë historianët grekë, Zotos-Molossos dhe K. Sardeles (Agios Kosmas Aitolos kai Vorios Epeiros,Athinë, 1988, f. 512).

Të gjitha sa u mundova të them fare shkurt, i kam shtjelluar në shkrimin tim të fundit për Kozma Etolin, të botuar në “Gazetën Shqiptare”, datë 27 gusht 2014. Aty, skeptikët e shumtë mund të gjejnë edhe faksimilet e disa prej dokumenteve të panjohura, ku është bazuar ai shkrim. Dhe këtu përfundon edhe polemika ime me z.Pantoulas: misioni i historianit është ta ndajë të vërtetën nga mitet, qoftë edhe kur mitet “adhurohen” nga populli, siç thotë ai. Do të desha, me këtë rast, t’i kujtoj atij rastin e Hilarion Ruvaracit. Ky murg serb, dijetar i madh, ishte i pari që në shek. XIX hodhi poshtë mitet serbe për Kosovën, duke konkluduar se ato ishin gatuar në manastiret serbe nga murgjër fanatikë e injorantë. E pra, ky murg konsiderohet babai i historiografisë moderne serbe. Thënë kjo, nuk mund të mos shpreh zhgënjimin, që një person laik dhe i nderuar, si z.Pantoulas, nuk arrin të ndajë mitin nga historia dhe mundohet të më përgënjeshtrojë duke shpalosur arsenalin e njohur të rrëfenjave popullore apo kishtare apo, ç’është më e rëndë, duke përdorur ndaj meje fjalorin e pistë pagan.

Po atyre që ju kritikojnë nëpër blogjet online të gazetave, si do t’u përgjigjeshit?

Artikuj të përzgjedhur gazetash janë për mua kufiri nec ultrai shfrytëzimit të kapaciteteve elektronike. Nuk lexoj kurrë komentet. Veç të tjerash, më duhet të ruaj edhe sytë për të lexuar librat dhe dokumentet e vjetra, që janë objekti im kryesor i punës. Por, edhe për këtë problem, si për çdo çështje tjetër të historisë, dëgjoj e lexoj me shumë vëmendje fjalët e punët e kolegëve historianë, qofshin këta shqiptarë apo të huaj.

Ndërkaq, në këtë histori u përfshi dhe një gazetë autoritare greke si Kathimerini. Në atë gazetë dy ditë më parë, shkrimi fillonte me këtë frazë: Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas ndodhet në zemër të një “lufte të pistë”, të motivuar nga qarqet ekstreme nacionaliste dhe islamike. Sa e vërtetë është kjo që thotë Kathimerini?

Për t’i kthyer kusurin gazetës “Kathimerini”, po them edhe unë se me z. Janullatos në krye të KOASH-it, qarqet nacionaliste greke dhe “Agimit të Artë” paskan sajuar edhe një tjetër casus belli kundër Shqipërisë, përveç Ligjit të njohur të Luftës, që mbahet me pahir në fuqi. Në fakt, politika e Athinës e ka trajtuar kreun e KOASH-it si një lloj “guvernatori” grek të kishës shqiptare. Si i tillë, ai është “lulja mos më prek” në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe kushdo që guxon të shprehë ndonjë kritikë ndaj tij, duhet ta dijë se do përplaset me zemërimin e Greqisë së politikanëve, gazetarëve dhe klerikëve. Qëkurse ish-Kryeministri Micotaqis i bëri presion ish-Presidentit shqiptar Alia (e më tej Berishës), më 1991, për të pranuar diktatin e tij dhe për të vënë në krye të KOASH-it z.Anastas Janullatos, ky i fundit e ka humbur integritetin e vet, është bërë një element konflikti, dhe jo paqeje, në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kryepeshkopi është pasqyrë e një mëkati fillestar, është zgjedhur në atë post nën presionin politik të një shteti të huaj. Edhe nga vetë pikëpamja e së drejtës kanonike, zgjedhja e tij nuk ishte korrekte. Por, përpos kësaj, Hirësia e tij në këta 25 vjet ka pasur të gjithë kohën e nevojshme për të ndërtuar një raport miqësor me shqiptarët, ortodoksë e jo ortodoksë. Përkundrazi, karriera e tij tashmë e gjatë në krye të KOASH-it është shënjuar nga incidente, që kanë prekur keq ndjeshmëritë e shqiptarëve. Të gjithë e dinë implikimin e tij personal në skandalin e turpshëm të eshtrave të Kosinës, solidarizimin me pozicionet më ekstreme të nacionalizmit serb mbi luftën në Kosovë. Të gjithëve u kujtohen deklaratat e tij mbi “konfliktin etnik” që, sipas tij, rrezikonte të shpërthente në Shqipëri pas incidentit me të ndjerin Guma, deklarata të bëra vetëtimthi, pa pritur as vlerësimet paraprake të organeve të policisë e të prokurorisë. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të gjuhës së intolerancës e të urrejtjes që vetë Hirësia e tij përdor ndaj atyre që e kritikojnë, të cilët pa u vonuar i quan “komunistë”, “ateistë”, “armiq të ortodoksisë”. Epitete të tilla nuk dëgjohen e nuk duhet të dëgjohen nga goja e një kleriku të lartë që pretendon se sjell fjalën e Jezu Krishtit. E pra, në një shoqëri demokratike veprojnë ligje të tjera, ligjet e fjalës së lirë e të mendimit ndryshe, dhe z.Janullatos duhet ta dijë mirë se asaj nuk mund t’i imponohen dogmatizmi dhe bindja e verbër, që karakterizojnë mjedisin e tij kulturor. Ai meriton gjithë respektin e duhur për postin që ka në KOASH, por ai nuk është perëndi e nuk mund të jetë i paprekshëm, aq më shumë nuk mund të jetë një monument që ruhet nga shteti grek. Për rolin që ka marrë përsipër, ai duhet të mësohet të njohë më mirë shqiptarët (mundësisht, edhe gjuhën shqipe), të respektojë historinë, kulturën dhe ndjenjat e tyre. Dhe nëse ne që shprehim ndonjë pakënaqësi ndaj tij jemi, siç na thuhet, agjentë provokatorë apo zbatues axhendash komunisto-ateiste apo islamo-çifute, Hirësia e Tij le të përdorë virtytin e heshtjes, që shqiptarët e çmojnë shumë.

Profesor, vazhdimisht e vazhdimisht këtu në Shqipëri theksohet harmonia fetare. Mos këto kritika kundër Shën Kozmait dhe Hirësisë së tij Janullatos, e prishin këtë harmoni?

Shikoni, harmonia fetare është pjesë e ADN-së shqiptare, është vepër e mrekullueshme e tyre. Historia na mëson se klerikët e huaj ndonjëherë kanë ditur ta çmojnë e ta respektojnë këtë virtyt, duke lënë emër të mirë mes shqiptarëve. Por shumë herë e kanë shkelur me këmbë. Nëse do të ishte ndryshe, nuk do të kishte arsye përse Fan Noli të luftonte për një Kishë autoqefale, nuk do të kishte arsye përse klerikë të tjerë të shumtë ortodoksë, katolikë apo myslimanë u përplasën me qendrat respektive fetare në emër të një besimi, që ushqente dashurinë me njeri-tjetrin, dhe jo ndarjet që emisarë të huaj luftonin t’i mbillnin në emër të axhendave antishqiptare./XH.SH

 

Share This Article
4 Comments
  • shume bukur keshtu eshte kur kemi njerz te shkences pra edhe te historise me te vjeter qe demaskojne keta klerik qe mendojne se jane shqiptaret ata te shekujve te kaluar qe nuk kane njohuri per fete e armikut qe mendoje une duhet sa ma pere te largohen nga shqiperia pa marre parasyshe se ciles fe i takojne te gjithe ata qe punojne te ndajne shqiptaret nebaza religjioze jane armiq te shqiperise dhe shqiptarve kudo qe jane

  • Si cdo e keqe e instaluar ne shqiperi,Janullatos eshte neperka helmuese,qe futen cifti Ramiz Alia-Sali Berisha ne shtepine tone.Duke filluar me katapultimin e Sali Berishes ne krye te studenteve,me konfliktin e 2 prillit,me ligjin 7501 per vjedhjen e pronave,me mos-hapjen e dosjeve,me zbatimin e Katovices, eshte dora e ciftit te djajve,qe nen rrogoz jane marre vesh midis tyre per t`i punuar te zezen Shqiperise.Kryeministrit Rama i bie perseri barra te korigjoje edhe kete shejtanllek te dy komunisteve te fundit,ta perzere me hir ose pahir Neperken nga shtepia jone,

  • Me falni, cfar lloji “shkencetari” eshte Pellumb Xhufi qe na kapardiset si “professor”.
    A ka PhD? Ku, kur, perballe kujt dhe me c’teme e mbrojti “doktoraturen”????

  • Ajo qe u mungon grekeve qe ne formimin e shtetit te tyre eshte kohezioni kombetar.Ata nuk kane gjak(rrace) te perbashket(Jane shqiptare,vllehe,sllave,afrikane,greke)Nuk kane gjuhe te perbashket,nuk kane doke e zakone te perbashketa.Por kane fe te perbashket,edhe kete te imponuar pasi masakruan shqiptaret muslimane came.Shqiptaret jane popull me nje unitet rrace,gjaku,gjuhe,doke e zakone,por nuk kane fe te perbashket.Jane muslimane,katolike,ortodokse,bektashinj,unite,ungjillore,jehovaj,sufij,komuniste,saliste,fashist..Shumica jane pa fe fare.Shkenca e gjenetikes moderne i percakton rracat mbi ADN dhe jo mbi ngjyrat dhe sektet fetare.Sipas grekeve, nder dy vellezer shqiptare binjake,ai qe quhet Daniel,eshte grek,ai qe mban emrin e gjyshit dhe quhet Isuf,eshte turk.Sinqerisht dua ti pyes komentuesit e tyre,qe flasin per popull ortodoks:-Nje gomar i lyer me boje,a mund te quhet Zeber??!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *