Firma me sulmuesin kroat Tomislav Busic ishte një ndër goditjet më të rëndësishme të Tiranës në këtë merkato vere. Ish-futbollisti i Vllaznisë është aktivizuar titullar nga Gugash Magani në dy sfidat e para, por nuk ka mundur ta gjejë rrugën e rrjetës. Në konferencën për shtyp në ambientet e klubit kryeqytetas, Busic premtoi se do të kthehet shumë shpejt në nivelin e sezonit të kaluar, kur vishte fanellën e Vllaznisë. “Fillimi ishte shumë i mirë për Tiranën. Para se të niste sezoni ne kishim si objektiv t’i fitonim të dyja ndeshjet me Apoloninë dhe Flamurtarin. Tani duhet të ruajmë vazhdimësinë, pra të fitojmë edhe takimin e radhës. Nuk kam mundur të shënoj edhe pse në takimin e parë i kam pasur dy mundësi të mira. Gjithsesi në plan të parë është skuadra, sukseset e saj. Do të punoj fort në stërvitje që të gjej sa më shpejt rrugën e rrjetës. Do të më duhet thjesht të shënoj një gol për të treguar nivelin e vitit të kaluar”. Por si po e pret përballjen me ish-skuadrën e tij sulmuesi kroat?. “Për mua është një ndeshje normale. Kam luajtur një vit me Vllazninë, skuadër me të cilën jam ndier mirë. Atje kam shumë miq, i respektoj klubin dhe tifozët, por tashmë jam lojtar i Tiranës. Kam ardhur këtu për të fituar. Nëse shënoj, gjithsesi për respekt të atij klubi dhe tifozëve nuk do të festoj”. Pavarësisht startit me pikë të plota, sipas sulmuesit bardheblu duhet ende kohë për të parë Tiranën më të mirë. “Gjatë fazës përgatitore ne kemi zhvilluar ndeshje të mira, por në dy takimet e para të kampionatit kishim pak vështirësi. Në fillim të takimit me Apoloninë ne nuk po zhvillonim një lojë të mirë, por pasi shënuar gjithçka ndryshoi. Mendoj se vuajtëm presionin e fitores në dy sfidat e para, ndërsa tani mendoj se do ta kemi më të lehtë për të fituar. Nuk e keni parë ende Tiranën më të mirë”.
