Ajo që po ndodh me KQZ-në është shembulli i qartë që në Shqipëri po zhduket krejtësisht shteti. Kush e di konceptin e shtetit, e njeh edhe teorinë e institucioneve dhe rolin e tyre. Fakti që një kompetencë e një institucioni i kalohet një tjetri ku dikush ka mundësinë të marrë vendimin që dëshiron, do të thotë që institucioni nuk ekziston më. Nëse nuk ekziston institucioni, nuk ekziston as shteti. Ky “dikushi” në Shqipëri dihet kush është. Mua më vjen për të vjellë edhe ti shkruaj emrin.
Problemi tashmë është i qartë dhe i frikshëm: Institucionet po bien. Janë bërë njësoj si grupi parlamentar i PD-së. Ne nuk kemi nevojë të paguajmë si popull një grup të tërë parlamentar në PD, përderisa mund të paguajmë vetëm kryetarin e PD-së, sepse aty bëhet çfarë thotë ky i gjithëditur. Po kështu, nëse edhe institucionet janë kot, (si në rastin e KQZ-së) atëherë nuk kemi pse paguajmë si popull KQZ-në. Madje nuk kemi nevojë të paguajmë as Kuvendin, as Gjykatat, as Prokurorinë. Le të paguajmë vetëm rrogën e këtij “dikushit” që vetë vendos e vetë vulos dhe gjithë parazitët dhe dhjeramanët që kryesojnë “institucionet” e “shtetit shqiptar” nuk kanë pse paguhen. Të paktën në këto kushte do bëheshin ndoshta burra dhe do ti thoshin të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë.
Turp dhe faqja e zezë për një shoqëri me kaq pretendime ndaj vetes, bjerë nën diktatin e një njeriu të vetëm, që për më tepër është një ish-komunist nga më të rëndomtët, sot një mediokër tinzar dhe ordiner në krye të punëve të vendit. Të pranosh të qeverisesh nga një nivel i tillë, është poshtëruese, fyese.
Flas edhe për veten time. Kam ikur jashtë Shqipërisë për këtë shkak por kam bërë gabim. Jam treguar edhe unë një egoist frikacak. Kush nuk lufton kundër asaj të keqeje që ka mbërthyer atë vend të gjorë aty, nuk meriton nesër të pretendojë të drejta qytetare për fëmijët e tij.
Letër e nënshkruar: Ilir Aleksi, Montreal
