“Dhe në s`keni armë, gjeni/ia rrëmbeni atij qeni!”, janë këto vargje të njohura të një krijimi poetik të ricikluar nga sënduku i krijimtarisë së socrealizmit, me tematikë luftën nacionalçlirimtare. Janë vargje që në realitetin e sotëm global, ngjajnë shumë patetike dhe jashtë kohe, sepse mënyra për t’u pajisur me armë kalon në të tjera rrugë, ku o blihen në tregjet e destinuara për këtë punë, ose të dhurohen nga ndokush që ka interes që ti të jesh luftëtar i denjë që qëllon drejt e në mish. Kjo ka bërë që, pas vargjeve të mësipërme, të jetë më aktuale se kurrë batuta e njohur nga filmi ‘Këshilltarët’: “Po ju nuk keni pse na i merrni, ne jua japim vetë!”. Si shembull i freskët për këtë, po shërben fakti që Shqipëria po u dërgon armë luftëtarëve kurdë, të cilët po përballen me famëkeqët e ISIS-it. Interesant do ishte fakti që pas armëve, të na kërkohej dhe të çonim dhe çorape leshi për “partizanët” kurdë, meqë po vjen dhe dimri. Në eposin e nacionalçlirimtares, armët gjindeshin vetë, “duke ia rrëmbyer qenit”, ndërsa buka (me një grusht miell të mbetur në magje) e veshja (ku vend kryesor zinin çorapet e leshit), siguroheshin nga populli. Luftrave të sotme, u mungon ky epos; janë prozaike deri në neveri.
