Monedha vendase humbet pikë ndaj dollarit

redaktor

Euro u forcua këtë javë në tregun vendas, ndonëse në bursat ndërkombëtare po këmbehet afër nivelit më të ulët të një viti. Shtatori nuk ka nisur i mbarë për monedhën vendase. Pothuajse gjatë gjithë javës leku ka shënuar rënie në raport me të dy valutat kryesore, euron dhe dollarin. Leku ka qenë veçanërisht i dobët ndaj euros, monedhës që ndonëse në bursat ndërkombëtare po kuotohet në nivelet më të ulëta të afër një viti, në Shqipëri po vijon forcimin. Një euro këmbehej të hënën me 139.44 lekë, për t’u forcuar më pas vazhdimisht gjatë javës, duke u mbyllur të premten me 139.65 lekë. Edhe dollari është rritur ndjeshëm në tregun vendas, duke u këmbyer në nivele rekord të premten, prej 107.8 lekë, nga 106.1 lekë, që kuotohej të hënën. Dollari ka arritur në nivelet më të larta prej shumë kohësh në tregun e brendshëm. Në bursat ndërkombëtare, euro po shkon drejt javës së tetë radhazi me rënie, duke shënuar periudhën më të gjatë me humbje, që kur monedha filloi të tregtohej në vitin 1999. Të premten, euro ndryshoi pak, pasi ra $1.2920 dje, niveli më i ulët që nga korriku 2013. Monedha e përbashkët ka rënë 1.3% këtë javë. Rënia e euros erdhi pas politikave ekstreme lehtësuese që u njoftuan dje nga kreu i Bankës Qendrore Mario Draghi. Në tregun e brendshëm, fortësia e euros shpjegohet me kërkesën e lartë për monedhën e përbashkët si rrjedhojë e rigjallërimit të tregtisë dhe rënies së ofertës për euro, pas mbarimit të efekteve sezonale nga ardhja e turzitëve dhe emigrantëve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *