Mërgimtarët në Greqi, përballë Skilës dhe Karibdës

redaktor

Letër e nënshkruar nga Abdurahim Ashiku

Të kalosh kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë, veçanërisht në pikun e lëvizjeve, pushimeve verore apo festave të fundvitit, është si të kalosh midis legjendës së “Skilës dhe Karibdës”, midis shkëmbinjve detarë që lëvizin në sigurinë se ato do të të kapin në një përplasje të dhimbshme. Në ditën e fundit të gushtit udhëtova me familje nga Tirana në drejtim të Athinës. Autobusi ishte komod dhe me shërbimin e kulturuar të shoferëve. Shërbimi ndërqytetës, edhe në saj të konkurrencës është në rritje.
Në rritje duhet të ishte edhe shërbimi policor dhe doganor në pikat e kalimit kufitar.
Shpesh ankohemi për vonesa në pikat e kalimit kufitar grek ku “prishja e kompjuterëve” është lakimi i të gjitha rasteve. Nuk do të ndalem tek “ata”, por tek “ne”. A është shërbimi policor dhe doganor në pikëkalimet kufitare shqiptare në lartësinë e kohës?
…Më 31 gusht, në orën 22.00, pas pesë orësh udhëtim nga Tirana, autobusi ynë u vu në radhë në sheshin e gjerë të Kakavisë. Përpara nesh ishin gjashtëmbëdhjetë autobusë mbushur plot me pasagjerë, diku me rreth tetëqind pasagjerë: burra, gra, fëmijë, pleq, të sëmurë, invalidë… Pyes një punonjëse të policisë se me sa sportele punohet. Më thotë me TRE sportele në dalje dhe me DY në hyrje. Pyes një punonjës të doganës se me sa grupe shërbehet në kontrollin doganorë të bagazheve të pasagjerëve. Më thotë, me NJË. E ndërsa shërbimi policor ecën më shpejt, shërbimi doganor, vetëm me një grup kontrolli, zgjat shumë. Tri orë qëndrim në pritje të kalimit kufitar nga ana jonë. Më pak se një orë në pritje të kontrollit policor dhe doganor në anën tjetër të kufirit… Të shtatëqind kilometrat që e ndajnë Tiranën nga Athina i përshkuam për 17 orë! Nuk e di nëse Ministria e Transportit, enti që jep lejet e udhëtimeve e ka në vlerë të vet harmonizimin e orareve të nisjes së autobusëve. Nuk jemi për eliminimin e kontrollit policor dhe as për atë doganor, por a nuk nuk mund të ketë një harmonizim? Kemi mall të vijmë, por vuajtjet e rrugës na e heqin. Shpresojmë që dikush nga qeveritarët do të ketë sy për të lexuar dhe veshë për të dëgjuar legjendën e ditës të “Skilës e Karibdës” moderne.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *