Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NJMLF) realizoi dje shkatërrimin e 906 pajisjeve të konfiskuara gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë periudhës prill-qershor 2014 në sektorin e lojërave të fatit. Në njoftimin zyrtar të kësaj njësie, qartësohet se konfiskimi u krye pasi subjektet e këtyre pajisjeve nuk dispononin nr. NIPT, nuk ishin të pajisura me lejen e ushtrimit të aktivitetit dhe çertifikatën përkatëse. Më herët, në muajin mars 2014, NJMLF shkatërroi 680 pajisje të konfiskuara në aksionet e mëparshme. Në total për 6-mujorin e parë 2014, janë konfiskuar gjithsej 1586 pajisje lojërash fati. “Këto rezultate vijnë, jo më si pasojë e aksioneve masive, të cilat sollën stabilizimin e tregut, por e goditjes së përqendruar në pikat e lojërave të fatit në çdo qoshe të vendit, të cilat ushtronin aktivitet në kundërshtim me ligjin”, -deklaroi drejtorja e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, znj.Luneda Sufali. Sipas saj, kontrollet do të vijojnë normalisht, sipas planit të masave, deri në vendosjen e rregullit ligjor në sektorin e lojërave të fatit. “Rezultate pozitive kemi edhe në mbledhjen e të ardhurave, ku në muajt e fundit, regjistrojnë rritje me 80-90%”, deklaroi Sufali për mediat. Ajo u ndal edhe tek ligji i ri, i cili pritet të finalizohet këtë muaj. “Prej disa muajsh, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe ministritë e tjera, po punojmë për ligjin e ri, duke u bazuar tërësisht te standardet europiane. Brenda muajit shtator pritet të përfundojë dhe padyshim, konsiderohet ‘goditja’ finale ndaj informalitetit dhe ekspansionin që kishte përfshirë prej vitesh tregun e lojërave në vendin tonë”, përfundoi Sufali.
Kontrolli i NJMLF në shifra për janar-korrik
- 46 masa Administrative Gjobë në vlerë totale 240.000 dollarë;
- 521 masa Administrative Konfiskimi;
- 947 pajisje lojëra fati të konfiskuara.

Prandaj po ndryshojne ekuilibrat ne biznesin e lojerave te fatit. Ore dini gje po cunave te Arta Dades si po ju ecen biznesi i ri me lojerat e fatit?