Zoti i parave dhe peshorja e drejtësisë

redaktor

Aktualisht drejtësia shqiptare është përballë njërës prej çështjeve më të rëndësishme të saj, njëkohësisht më të bujshme. Ngjarja e Bankës Kombëtare Shqiptare dhe Guvernatorit të saj, duam apo nuk duam, tashmë i ka kaluar përmasat e një vendi, ajo është bërë guri i provës , jo vetëm për institucionet legjislative, por në tërësi për politikën shqiptare. Përmes këtij rasti mund të dëshmohet qartësisht në se ky vend është i kapur apo jo nga mafia e politikës dhe e financës, sa thellë janë shtrirë rrënjët e korrupsionit dhe të krimit ekonomik, në një vend të lodhur thellësisht nga skandalet. Ndoshta është rasti më tipik kur një shumësi njerëzore gëzohen nga një akt juridik, i cili, si mund të jetë fillimi, ashtu mund të jetë edhe akti i fundit i tij. Arrestimi i Guvernatorit dhe i Inspektores së Përgjithshme , qëndrimi i tyre në arrest, pra, si i thonë në paraburgim, nuk do të thotë se gjërat janë zgjidhur dhe se prej ditës së sotme gjërat do të zgjidhen si në mitologjinë e lashtë me “Lëmshin e Arianës”. Është shumë e mundur që gjithçka të mbyllet në këtë stad; pra që akuzat të bien pas pak ditësh, që në lojë të futen dirigjentë më të mëdhenj se sa një Gjykatë Fakti, se përmes rrjetit të gjingjonizmit shqiptar të shfaqen “Gjinër” e Gjonër” të tjerë, ndaj të cilëve, këto të njohurit, të duken si karkalecë.

Nuk dua të merrem sot me deklaratat budallaqe të Bashës, i cili, pas këtyre arrestimeve sheh vetëm dëshirën e pushtetit për të pasur në dorë Bankën e Shtetit apo për të kontrolluar financat. Një idiotësi e tillë i shkon për shtat ndonjë çunaku të lagjeve periferike, por kurrë nuk mund të jetë pjesë e një lideri që e kanë zgjedhur të jetë zëfolësi i opozitës. Njeriu që sheh kudo kapje, vënien nën kontroll të institucioneve dhe ëndërron protesta, për të qenë përsëri pjesë e vjedhjeve dhe e krimit, sado i mangët të jetë, duhet të ketë dikë që ta mësojë.

Problemi është më i madh se sa kaq. Fillimisht më duhet të bëj të qartë mendimin tim vetjak: Nëse Fullani dhe inspektorja e Përgjithshme janë arrestuar vetëm si rrjedhojë e presionit ndërkombëtar, pra nëse e gjithë kjo ka ardhur vetëm se bota kërkon një shembull të luftës kundër korrupsionit dhe kanë urdhëruar: Bëjeni; do të ishte në nderin e kujtdo të mos e bënte. Përse e kam këtë mendim? Lufta kundër korrupsionit, përvetësimit, vjedhjeve institucionale , kurrë nuk mund të jenë të efektshme vetëm nga urdhrat që vijnë nga jashtë, sado të mirëpritura janë “ardhjet” e tyre. Në se ndodh kjo, atëherë do të thotë se vetë ne, të zotët e shtëpisë, nuk kemi qenë në gjendje të ndërmarrim hapat e duhur; do të thotë se deri më sot kemi pasur ngurrimet tona ose kemi qenë pjesë e heshtjes; do të thotë se është vetëm një ciklon që do të kalojë, sapo bota të mësojë se e bëmë një hap. Ndërsa Shqipërisë, hapat i duhen, por më parë i duhet ndërtimi i një institucioni të ndëshkueshmërisë, i një sistemi vlerash kundër korrupsionit dhe vendosja në drejtimin e tyre të njerëzve të pakorruptueshëm, të cilët do e perceptojnë denjësisht besimin që u ka dhënë shteti.

Nëse do të duhej të kishte filluar procesi i pastrimit të korrupsionit dhe urdhri të vinte nga jashtë, shumë para Fullanit, do duhej të kishin qenë objekt i hetimit, gjykimit dhe dënimit, shumë të tjerë para tij, ish ministra e kryeministra, qeveritarë që lanë emrin e tyre në vjedhjet masive, në zhdukjen e qindra milionëve euro, të cilët, veç e veç, i kanë sjellë dëme shumë më të mëdha shtetit se i gjithë personeli i burgosur i bankës Kombëtare.

Ky proces që ka nisur, është i vështirë dhe i rëndësishëm për dy arsye themelore, ose më saktë, për dy shkaqe të mëdha të dukshme:

Së pari, si rrallë herë tjetër, do të jenë përballë njëri tjetrit Zoti i Parave dhe Peshorja e Drejtësisë. Deri më tani, thuajse në të gjitha rastet peshorja ka anuar andej nga kanë qenë paratë, por kjo ka qenë e heshtur, e fshehtë e dukshme,dhe e mbrojtur nga njerëzit brenda llojit. Fakti që Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk kishte as guximin të miratonte një kërkesë të natyrshme të prokurorisë ndaj një kolegu të tyre, si në rastin e Gjin Gjonit, dëshmon se kjo është një piramidë e lidhur fort me njëra-tjetrën. Pra, një fortesë , e cila, mjerisht, nuk është lehtë të merret. Mirëpo ky është një rast krejt i dukshëm: Janë vjedhur më shumë se 7 milionë dollarë, ditët për diell, në oraret e punës, nga njerëz që paguheshin për ta ruajtur e administruar, në katër vite resht, dhe të gjithë kanë bërë të paditurin. A do të jetë ky proces një gur i hequr nga fortesa e mbyllur e drejtësisë, e cila , deri më tash, si ka kërkuar të jetë e pavarur nga legjislativi apo ekzekutivi, nuk ka qenë e liruar nga zotërinjtë e parave? Vështirë të thuhet. Kam drojën se entuziazmi i njerëzve që kërkuan largimin e Fullanit dhe u ndeshën me burgosjen e tij, shpejt mund të jetë përkohshmëri dhe ata të jenë të zhgënjyer.

Akuzat që janë vendosur mbi Fullanin për shpërdorim të detyrës janë ato që ka përcaktuar prokuroria. Kjo është punë e saj. Mirëpo njerëzit presin më shumë se kaq: Presin të hiqen petët e lakrorit të lëvizjes së parave, allishverishet që janë bërë, presin përgjigje për shumë pyetje, por, përsëri druaj, se nuk do të marrin atë përgjigje që duan. Nëse institucionet e ligjit do të bëjnë këtë, atëherë ka filluar rilindja e tyre; nëse ata do të ndalen vetëm në atë që është shkruar deri më tani, atëherë e gjithë kjo do të jetë fillesa e një zhgënjimi të ri. Me akuza si të Fullanit mund të ndeshet çdo qeveritar i djeshëm. Rasti i tij u bë më mediatik dhe i bujshëm edhe nga trashja e konopit të llastimit prindëror; por edhe kjo nuk është gjë e re për familjet qeveritare, fëmijët e të cilëve prej kohe i kanë hipur shtetit në qafë dhe nuk i ulen atij.

Përballja e gjykatës me zotërinjtë e parave ka qenë gjithnjë një shfaqje e dyfishtë: Shteti ka humbur, gjykatësit e prokurorët kanë fituar. Nuk është e çuditshme, nëse tani janë vënë në lëvizje biznesmenë të fuqishëm, të lidhur me politikën, për të liruar vidat e gjyqësorit, sepse aty janë edhe interesat e tyre financiare, marrëveshje të fshehta, hesape të pambyllura, premtime që janë lënë në gjysmë.

Kjo përballje: Zoti i parave dhe Peshorja e drejtësisë do të jetë e para e hapur e këtij lloji.

Së dyti, kjo është tashmë një çështje që ka hyrë në gjakun e politikës, ndaj edhe do të vështirësohet. Ndoshta jam i gabuar, por të dhënat që më janë ofruar, dëshmojnë se edhe urdhri i arrestimit të tyre, Guvernatorit dhe Inspektores së Përgjithshme, është bërë përmes politikës. Prokurori i çështjes nuk është një hero: është një nëpunës i zakonshëm, i cili, ashtu si mbylli me urdhër çështjen Olldashi, ashtu hapi me urdhër çështjen Fullani, e nesër, prapë me urdhër mund të mbyllë edhe këtë.

Drejtësia tek ne, edhe në fillimet e saj, ka qenë nën diktatin e politikës. Ashtu është edhe sot; edhe nëse ajo kërkon të jetë një shumësi institucionesh të pavarura, çka ndodh rrallë, ajo bie pre e sundimit të politikës.

Edhe çështja e Bankës Kombëtare është një rast i tillë; në të cilin politika është zhurmuesja e saj. Në këtë bankë kishin gjetur folenë e tyre dhjetëra bij, bija, gra, mbesa, dhëndurë të politikës, dhe jam i bindur se vendosja e tyre ka qenë ose shkak i presionit të politikës mbi bankën, ose një masë mbrojtëse politike e bankës ndaj njerëzve të politikës. Tani, me këtë ngjarje, ajo merr përmasa të reja.

Ndodh kështu sepse njëra anë e politikës, ajo që ishte deri dje në pushtet, e ka parë bankën jo si mbështetësen e politikës bankare e financiare të shtetit, por si një portë ku mund të shfryhet oreksi i saj. Nga ku mund të zëvendësohen humbjet e saj dhe mund të financohen fushatat e dyshimta, brenda e jashtë vendit. Klasa politike që është sot në opozitë, ka drojën se mund të fillojë zgjidhja e lëmshit, pra të dëshmohet ajo që ka ndodhur me politikën monetare të shtetit; por edhe se ku e nga kanë vajtur paratë e tyre, të cilat nuk janë transferuar drejt ishujve magjikë me valixhe, por si transaksione financiare. Njëra portë ka qenë pikërisht kjo, banka e Shtetit Shqiptar dhe lidhëzat e saj, në të cilat, banka Kombëtare dhe ministri përkatës i Financave, Bode, kanë pasur ndikimin e tyre.

Gjyqësori, por edhe shteti, është përballë një sfide, përballë një enigme. Ose duhen zgjidhur deri në fund, ose të lihen mënjanë, dhe të mos bëhen shfaqje mediatike. Gjyqësori, në shumicën e tij është prej kohe për lënien e këtij procesi dhe përballjen me ligjin vetëm të peshqve të vegjël, të cilët janë edhe fajtorë, por jo të vetmit; dhe të anashkalojë problemet e mëdha. Ai, gjyqësori, po ashtu, është pjesë e vendosjes së politikës mbi ligjin, jo vetëm sepse e kanë pranuar këtë, por dhe sepse e kanë dashur. E kanë dashur për pozitë, për privilegje, për të rrjepur njerëzit rehat, për të ndërtuar vila, për të bërë “gratë” ose ” burrat”, investitorë të mëdhenj me para të pa adresuara etj.

Ndërsa shteti ka përpara betejën e parë të madhe të tij, por mjerisht ai nuk mund të jetë palë deri në fund. Dhe për të qenë palë në ndëshkimin e krimit ai duhet të ndërtojë strukturën e duhur ligjore, që i jep shtetit atë të drejtë që e kanë të gjithë shtetet perëndimore: Të jetë palë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Sipari u hap, personazhet janë në vende të ndryshme; disa në qeli, disa në vila, disa në ankth, disa në pritje. Të ardhmen askush nuk e di…Të shpresojmë se nuk do të zhgënjehemi.

Share This Article
7 Comments
  • Mire o Bedri qe nuk do te merresh me deklaratat “budallaqe” te cunakut Basha po te pakten merru me deklaratat e mencura te burrit Rama. Po sfilitesh ne artikuj kunder opozites e po te vazhdosh keshtu do te behesh i pabesueshem edhe per militantet me te verber.

  • Perse nuk shkruan njehere per Ilir Meten o Z Bedri? Nuk ecet perpara duke shkruar dite per dire per ish hajdutet. Shkruaj edhe per krye hajdutin qe eshte ne krye te parlamentit

  • C’pamje.
    Dy police,ne mes ti,me pranga.
    Ne mes teje dhe gjykatesit…..hekura.
    Governatori i bankes Shqiptare
    Cfare pamje.
    C’trishtim.

  • Ky eshte i semure komplet me siguri do te jete mergimtare se nuk e ka idene per cfare shkruan dhe cfare flet ky me duket se njef fare terrenin ketu ky din mire me treguar pralla me serb e fasllic e tjera.
    ju lutem mos komentoni ma se i rritet mendja.

  • Sa ma realste te jete nje analize, aq ma shume egersohen disa.Si here te tjera, zoti Islami percjell analize te sakte, edhe pse nuk na pelqen te dime ate qe eshte e vertete.Fullani do te dale prap, se ne gjykate eshte politika.gruaja e Fullanit eshte ne gjykaten e larte, nuk e len askush ne balte ate grue,sepse i ka rrenjet fort ne presidence.”Ai, gjyqësori, po ashtu, është pjesë e vendosjes së politikës mbi ligjin, jo vetëm sepse e kanë pranuar këtë, por dhe sepse e kanë dashur. E kanë dashur për pozitë, për privilegje, për të rrjepur njerëzit rehat, për të ndërtuar vila, për të bërë “gratë” ose ” burrat”, investitorë të mëdhenj me para të pa adresuara etj”. B.I.Keshtu shkruan autori. A nuk eshte e vertete.

  • E sakte si analize .Sigurisht qe eshte urdher nga bota .Sigurisht qe ka dhe mbeshtetjen e shtetit ,ose pjeserisht te nje rryme te caktuar .Ata qe kane rifutur ne qarkullim kto leke ,jane bere me te forte se shteti , kane dale jashte kontrollit dhe jashte sistemit qe po vete shteti ka ngritur .Ai sistem do i haje .Jo nuk do ngelemi aq te zhgenjyer Bedri ,do levizin ende shume gjera ,pikerisht nga ajo qe perendimi po kerkon .Mos prit qe neser te jene ne burg te gjithe ,se ata jane ca te avashte , por tallavaja e ktyre sidoqofte mbaroi .Bota u lodh me kta paperone , me kte shtet ku gjenden 55 multimiliardere .Ne baze popullsie ja kalojme Gjermanise .Kte kishte parasysh Saliu kur thoshte qe jemi vendi mbas Gjermanise 🙂
    Per te luftuar kete u duhen nderprer fondet , ku baronet e Lazaratit ,ata te vertetet ishin ne TR , leket qe gjoja Bitraj i paska lene ne kazino, jane qe nga kullat e pallateve te shemtuar e deri te tenderat shteterore ,i di mire nje pjese e medias ,se jane zhytur deri ne fyt brenda .
    nuk eshte aq e veshtire ti gjesh kto transaksione ,problemi primar eshte tu presin fondet ,qe kjo veprimtari kriminale te mos ushqehet .Ushqimi i tyre i sjell ne pushtet ,i con neper gjykata ,i ben ministra dhe kr kurVendi .Krimi ekonomik vret me shume se cdo gje tjeter .
    Nuk behet me 1 dite ,as me 1 vit .Por duhet te behet .
    Opinioni publik dhe ktu nuk eshte me ai qe ka qene , te kujtohet 21 janari ?
    te kujtohet perse u be ?
    moren 1 milion vota se ulerinin “drejtesi dhe poshte hajdutet ”
    Nuk ja lejojne dot vetes nje piramide pushteti si ai qe kishim !
    Ato 1 milione vota do kthehen ne mallkim per ta {gjysmat jane kthyer ,nqs nuk reagojne rrufeshem }

    Sallakja
    trishtim ?? trishtim per cfare ??
    e di cfare me trishton mua ne ate pamje ??
    2 oficere te gjyqesorit nga 150 kg njeri ,sepse Fullhajni e ka me te drejte ,
    se linte kateringu te dobesohej .
    Trishtimi eshte per ne ,qe jemi sa nje lagje e Romes dhe kemi ngele ne dore te ktyre ,
    trishtim eshte qe babai i Fullhajnit u denua si hajdut dhe fara e keqe pjell gjithmone
    Trishtim eshte qe sillet ende me arrogance ,qe ende eshte …i habitur pse eshte ne burg
    thua duhen shpallur heronj se kane 70 e me shume vite qe vetem e rrjepin kte popull
    18 universitete kane nderruarr femijet e tij ,18 , dhe u diplomuan te Qili ne TR
    Ky eshte trishtimi i vertete , qe jane arrogant dhe injorant ,dhe po ashtu riprodhohen
    Shpresoj qe prangat ti kete blere floriri dhe me gure zvaroski …do i kujtohet luksi i shfrenuar ,lakmia qe e solli ne kte dite ,paburrerria per te qene nje here te vetme i ndershem .Nuk ka aspak trishtim per hekurat para tij ,trishtim eshte qe nuk u vendosen me pare kto hekura ,dhe sidoqofte jo vetem per ate .
    eshte Maks Haxhia ,avokati i tij ai aty ,avv i zoti .

  • Sapo u arrestua Fullani,komentuesit nxituan ta nxjerrin te shtunen,meqe e shtuna ishte pushim,e siguruan se te henen ne mengjes shkon ne shtepi ku e prisnin gruaja dhe femijet.Kur mori arrestin me burg,akuzojne prokurorin se ja ka prere bileten fallco,Tani kane vene gruan e Fullanit(qe peshon 200 kilo),Ilir Meten,Jari presidentin,KLD,parate e Fullanit ne njeren ane te peshores dhe kodin penal,qe e denon Fullanin me 7 vjet burg,nga ana tjeter.Te shohim!Peshon me shume drejtesia apo Fullaneria!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *