Vetëm 10 ditë para referendumit për pavarësinë e Skocisë, sondazhet për herë të parë kryesohen nga përkrahësit e pavarësisë. Sipas një sondazhi të “YouGov” të publikuar në “Sunday Times”, votat pro pavarësisë arrijnë në 51% në krahasim me 49% kundër, duke përjashtuar të pavendosurit. Nëse do të merren parasysh të pavendosurit, votat pro janë 47% dhe ato kundër 45 %. Sondazhi, i pari i besueshëm, ku në avantazh janë përkrahësit e pavarësisë që kur filloi fushata, kërcënon me provokimin e një rrëmuje politike dhe ka gjeneruar akuza të ndërsjellta mes konservatorëve dhe laburistëve për ecurinë e “partizanëve të pavarësisë”. Një javë më parë, në sondazhet e “YouGov”, ata që kërkonin që Skocia të mbetej pjesë e Mbretërisë së Bashkuar ishin 22 % më shumë se ata që donin pavarësinë. Sondazhet filluan të ndryshojnë në favor të “pro-së” pas debatit ballë për ballë të datës 5 gusht mes liderit pro-pavarësisë të SNP-së (Partia Nacionale Skoceze) Alex Salmond dhe udhëheqësit të lëvizjes së unionit “Më mirë bashkë”, Alistair Darling. Me sondazhin e së dielës ku kryesojnë “partizanët e pavarësisë”, nervozizmi ka pushtuar politikanët britanikë. Një fitore e pro-së kërcënon me destabilizimin e Qeverisë në Londër dhe lë një situatë shumë të pasigurt për Kryeministrin, konservatorin David Cameron. I refuzuar nga ekstremistët në partinë e tij, Cameron do të përballet me një rebelim të vërtetë që do të kërkojë kokën e tij, pasi do të bëhet kryeministri që kryesoi shpërbërjen e një unioni që ka më shumë se 300 vjet histori. “Sunday Times” pohoi se disa ministra besojnë se Cameron duhet të largohet menjëherë nëse Skocia voton për pavarësi dhe siguron se ka lëvizje në grupin parlamentar që do të detyrojnë largimin e tij nëse ai nuk pranon të japë dorëheqjen. “Sunday Times” krahason Cameron me Lordin North, kryeministrin i cili dha dorëheqjen në vitin 1782, pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një mocion mosbesimi kundër tij për humbjen e kolonive në Amerikë. Sondazhi “YouGov” tregon se pas shtimit të atyre që kërkojnë pavarësinë fshihet mosbesimi i thellë ndaj politikanëve të Westminster dhe ushqehet mbi të gjitha nga votuesit e zhgënjyer laburistë që kanë ndryshuar në muajt e fundit votën e tyre. Sipas sondazhit, 35% e votuesve laburistë janë tashmë në favor të pavarësisë, pothuajse dyfishi i një muaji më parë. Në mesin e konservatorëve, vetëm 7% mbështesin pavarësinë dhe mes Liberal-Demokratëve janë 16%. Çuditërisht 18% e votuesve të SNP-së thonë se do të votojnë kundër pavarësisë. Një tjetër problem për Unionin është se fushata e tyre, e bazuar kryesisht në kërcënime për fatkeqësitë që do të pësojë Skocia nëse lë Mbretërinë e Bashkuar, është konsideruar negative nga 60% e të anketuarve dhe vetëm 31% besojnë se është në përgjithësi një fushatë pozitive. Ndërsa mesazhi i partizanëve të pavarësisë shihet pozitiv nga 69% të të anketuarve, krahasuar me 30% që e konsiderojnë atë negativ. Ky optimizëm i atyre që kërkojnë pavarësinë duket se ka depërtuar në elektorat. Testi i fundit me karakter negativ ishte fjalimi i Ed Miliband (Lideri i Partisë Laburiste), i cili gjatë fushatës së të shtunës paralajmëroi se nëse skocezët votojnë për pavarësi do të duhet të vendosin kontrolle kufitare me roje të armatosur midis dy vendeve, diçka që ata e refuzojnë. “Nëse nuk doni kufijtë, votoni për të vazhduar me Britaninë e Madhe”, u tha Miliband skocezëve.

I idinjoar klikova,se nuk e di dhe se kuptoi bota ca humbet apo ca fiton,po ashu dhe shqiperia,kete se kam te qarte fare.
Çfarë sipërfaqe ka Skocia? Më shkakton habi kjo gjë sepse e mendoja Britaninë shtetin më solid e unitar në botë! Tung!