Një tjetër afat i humbur, ose sipas grupeve pro-imigracionit, një tjetër premtim i “thyer”. Edhe pse siguroi në qershor se do të vepronte deri në fund të verës, Presidenti i SHBA-së Barack Obama njoftoi dje se do të presë që të përfundojnë zgjedhjet e komplikuara parlamentare në nëntor para se të marrë një vendim për masat ekzekutive (dekretet) që duhen marrë për të lehtësuar mungesën e një reforme emigrimi dhe të ndalojë dëbimet e emigrantëve pa dokumente. Justifikimi është “politizimi ekstrem” i çështjes në mes të kësaj panorame zgjedhore.
“Realiteti është se Presidenti duke marrë parasysh se jemi në mes të sezonit politik dhe për shkak të politizimit ekstrem të kësaj çështjeje nga ana e republikanëve, beson se do të ishte e dëmshme për politikën (e emigracionit) në vetvete dhe për perspektivat afatgjata të një reforme emigracioni që të shpallë aktet ekzekutive para zgjedhjeve”, tha një burim i Qeverisë në kushte anonimati.
Kongresi kthehet nga pushimet e gjata të hënën, por fushata tashmë ka filluar me ritëm të plotë. Obama dhe demokratët nuk e kanë fare të qartë se si mund të ruajnë shumicën në Senat, pasi kanë humbur para katër vjetësh kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Në ditët e fundit, disa senatorë demokratë si Al Franken, apo Bill Nelson shprehën shqetësimin se Obama mund të shpallë dekretin e emigracionit përpara zgjedhjeve. Senatori i pavarur, por që zakonisht voton me demokratët, Angus King e klasifikoi atë si “gabim”.
Edhe pse Shtëpia e Bardhë mohoi dje një marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis frikës së demokratëve të Senatit dhe vendimit të Obamës, pranoi se në muajt e fundit është “politizuar” akoma më shumë çështja sidomos në prag të krizës së krijuar në kufi me ardhjen e dhjetëra fëmijëve të padokumentuar nga Amerika Qendrore në fillim të verës. Edhe pse që prej atëherë situata është “përmirësuar dhe është reduktuar në mënyrë të konsiderueshme kalimi i të miturve, kjo nuk është kuptuar nga publiku dhe republikanët e kanë shfrytëzuar gjatë verës”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Ndoshta vonesa në urdhrat ekzekutive lehtëson demokratët, por zemërimi i lobistëve të cilët kanë kaluar vite duke luftuar për reformën e imigracionit, ose në mungesë të saj për një dekret presidencial për të ndaluar deportimin e emigrantëve pa dokumente , u ndje menjëherë.
Pyetjes se përse tani, pas kësaj shtyrjeje, njerëzit duhet t’i besojnë Obamas kur thotë se do të veprojë para fundit të vitit, Shtëpia e Bardhë i’u përgjigj, “Kur në fund të vitit (Obama) të kryejë veprimet (ekzekutive), njerëzit që dyshuan do të qartësohen”.
