Ministri i Çështjeve Sociale, Erjon Veliaj, ka provokuar një rikthim të vargjeve të njohura me theks proletar “të dielën u martove, të hënën në punë shkove!”, duke e zbatuar në praktikë, ndonëse në kohë të tjera. Pasi ka mbajtur për një natë kostumin e dhëndërit, Veliaj, i është rikthyer shpejt e shpejt këmishës mëngëpërveshur, për t`iu përveshur punës, sidomos në lëmën e promovimit të arsimit profesional. Nga lartësia e kalasë së Gjirokastrës ku vuri kurorë, zbriti poshtë, në terrenin e ashpër të gjërave, atje ku nuk ka shumë sebepe për “dasma” të hareshme. Tek shkolla e mesme profesionale ‘Thoma Papapano”, ai foli mbi formulën që do e çojë rininë, nga “diplomat fallso” që i shndërrojnë në parazitë, tek marrja e një profesioni që u jep bereqet. Berishës do t`i ketë shpëtuar ky fakt, se ndryshe, në vend që të fokusohej tek shpenzimet e dasmës, që i thotë aq më bindje, a thua se një kopje faturash i ka shkuar dhe atij, do zgjidhte të ngrinte akuza mbi shfaqje reminishencash komuniste, ku të sapomartuarit nxiteshin të hidheshin menjëherë në frontin e punës e prodhimit për të realizuar planin, pa u eglendisur shumë në dasma të stërgjatura. Parrulla “Të jetojmë me situatat!”, parathonte pikërisht këtë gjë, për t`u kompletuar më pas folklorikisht nga vargjet e mësipërme. Ja, ky ishte “mëkati” i madh i Veliajt, pak orë pasi u kurorëzua dhëndër: Një linjë devocioni e themeluar nga Birçja, i biri i Safa Ymerit tek ‘Malet me blerim mbuluar’, i cili u vesh partizan e iku në mal me shokët, mu të nesërmen e dasmës.
