Dhimbjet e kokës, simptomat që shoqërojnë 4 llojet më të shpeshta

redaktor

Përjetimi i dhimbjeve të kokës është ndër shqetësimet e shpeshta me të cilën përballemi gjatë përditshmërisë tonë. Këto dhimbje mund të shfaqen në forma nga më të ndryshmet, duke nisur nga dhimbjet e stadeve të lehta që mund të frenohen me përdorimin e një qetësuese, si dhe atyre të stadeve më të rënda që kërkojnë trajtim specifik. Lokalizimi i vendit ku shfaqet dhimbja identifikon edhe llojin e kokëdhembjes. Mjekët sqarojnë se katër janë grupet më të shpeshta të dhimbjeve të kokës. Në rastet kur pacienti përballet me dhimbje të forta, të cilat shfaqen në ballë, dhe te mollëzat mjekët thonë se bëhet fjalë për dhimbjen e njohur si “Sinus”. Në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit të dhimbjeve mjeku përcakton edhe llojin e trajtimit që pacienti duhet të marrë për të lehtësuar dhimbjen. Një tjetër formë e shpeshtë e dhimbjes së kokës është edhe “klausteri”. Një ndër shenjat karakteristike që tregon se vuajmë nga kjo formë ka të bëjë me zhvendosjen e dhimbjes rreth e qark njërit sy. Kështu, në rastet kur dhimbja bëhet e fortë dhe rëndon vetëm rreth e qark njërit sy, duhet të kërkohet ndihmë e specializuar mjekësore për llojin klauster. Tensioni është një tjetër formë e shpeshtë e dhimbjes së kokës. Simptoma karakteristike në këtë rast ka të bëjë me faktin se sëmundja shfaqet rreth ballit dhe pacienti ndjen sikur një forcë e madhe po ushtrohet mbi të. Ndërkohë që një nga format më të rënduara është edhe migrena, e cila shoqërohet me dhimbje shumë të forta që përsëriten shpesh dhe zgjasin për orë, ose ditë të tëra. Lidhur me trajtimin e dhimbjeve të kokës mjekët thonë se rëndësi të veçantë ka të identifikohet lloji i dhimbjes, koha kur kanë filluar, frekuenca, intensiteti, shenjat neurologjike ose të tjera që e shoqërojnë, kualiteti i dhimbjes, sëmundjet shoqëruese, lidhja me ciklin menstrual (dhimbja e kokës migrenoze ka lidhje me ndryshimet hormonale dhe bie si intensitet frekuence pas menopauzes). Një prej shkaqeve kryesore të dhimbjes së kokës është edhe tensioni në muskujt e qafës, skalpit dhe mjekrës. Sipas mjekëve, në përgjithësi gratë e vajzat vuajnë më shumë nga dhimbjet e kokës duke pasur parasysh rastet me migrenë (raporti femra-meshkuj është 3:1). Ka disa hipoteza që shpjegojnë se pse femrat vuajnë më shumë nga dhimbjet e kokës, dhe konkretisht bëhet fjalë për faktorë të tillë si: ndryshueshmërinë e hormoneve seksuale, faktorët gjenetikë, ndryshimet në ekspozimin ndaj ngacmimeve mjedisore, si edhe ndryshimet në përgjigjen ndaj perceptimit të stresit dhe dhimbjes. Në rastet kur dhimbja e kokës është e përsëritur nuk duhet neglizhuar kryerja e ekzaminimeve për të përcaktuar shkakun nga se vjen, pasi dhimbjet mund të rëndohen aq shumë sa të shoqërohen me pasoja fatale për sistemin nervor. Mjekët këshillojnë që të bëhet kujdes, e të mos teprohet me marrjen e qetësuesve nëpër farmaci, pasi mund të qetësohet dhimbja për momentin, por rishfaqet më vonë dhe në stade më të rënduara. Krahas përdorimit të medikamenteve, dhimbjet e kokës mund të qetësohen edhe nëpërmjet një masazhi, trajtimeve relaksuese, meditimit, qëndrimit në errësirë në një dhomë të qetë, si edhe nga përdorimi i kompresave të ngrohta apo të ftohta kryesisht në pjesën e qafës.

Si ndahen dhimbjet e kokës

Dhimbjet e kokës ndahen në dy grupe: dhimbje parësore (pa ndonjë shkak të dukshëm, ku bën pjesë edhe migrena) dhe dytësore (pasojë e një shkaku, për shembull tumor ose hemorragji e trurit, sinusit etj). Megjithëse pacientët duan të dinë shkakun e dhimbjes së kokës, kjo mund të mos jetë e mundur. Si faktorë gjenetikë ashtu edhe ato mjedisorë ndikojnë në shfaqjen e dhimbjeve të kokës. Dhimbjet e kokës mund të takohen në çdo moshë, përfshirë edhe fëmijët. Mjekët thonë se në moshë të vogël ka vështirësi diagnostikimi, pasi dhimbja e kokës mund të mos ekzistojë, por edhe forma të veçanta të dhimbjes së barkut, ose të ashtuquajturat “të vjella ciklike”, mund të jenë shenja të një migrene që merr formën klasike vetëm me rritjen e moshës së fëmijës

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *