Në “luftën” virtuale për një… motor

redaktor

Nga Entela RESULI

Ka njerëz që duket sikur kanë lindur bashkë me një pasion të caktuar. Pasione që shumëkujt mund të mos i duken jetikë, por për dikë janë frymëzim për të jetuar. Kështu ndodh edhe me Aulonin, djaloshin 26-vjeçar që sot “lufton” në rrjetet sociale për të fituar një motor të firmës “KTM of Austria”.

Pa mbushur një vjeç ka ndjerë aromën e benzinës mbi motorin e të atit në qytetin e lindjes, Vlorë, dhe ndoshta aty ka kuptuar që së bashku me biçikletën, do ishte mjeti që do të dashuronte gjithmonë. Sot, ai jeton në Tiranë dhe është student në vitin e fundit për Inxhinieri Ndërtimi, njëkohësisht punon duke u kujdesur për një bar në kryeqytet. Momentalisht, mjeti që përdor për të shkuar në shkollë e në punë është biçikleta, kjo për shkak se motori ka një kosto më të madhe për t’u mbajtur për buxhetin e një studenti si Auloni. Ai është djali i vetëm në familjen Harizaj, ndërsa prindërit dhe motra jetojnë në qytetin e Vlorës.

Arsyeja që shkuam te ky personazh me qëllim për ta njohur më shumë, është fakti se emri i tij gjendet në vendin e parë në një gare botërore nga firma e njohur për prodhimin e motorëve “KTM of Austria”. Kjo garë virtuale ka filluar në 17 qershor dhe përfundon në 26 tetor. Në konkurs janë 140 pjesëmarrës nga e gjithë bota. Nga Shqipëria vetëm Auloni. Ai ka shumë shpresa që mund të fitojë, dhe për të arritur këtë rrjetet sociale luajnë një rol shumë të madh, por se si, 26-vjeçari Harizaj na shpjegon më shumë në këtë intervistë…

Aulon, si fillim na trego diçka më shumë për veten?

Jam 26 vjeç, student i vitit të fundit për Inxhinieri Ndërtimi. Kam lindur e jam rritur në Vlorë. Kultivoj dashurinë për natyrën, për vendin, e pak pasione të tjera. Aktualisht kujdesem për një lokal dhe së shpejti shpresoj të angazhohem në një projekt në Prishtinë.

Pse keni zgjedhur degën e Inxhinierisë së Ndërtimit?
Ishte një zgjedhje e ndikuar nga im atë, ndoshta pengu i tij që nuk kishte vazhduar këtë degë, ndoshta euforia e bumit të ndërtimeve. Më vonë zbulova që është një degë shumë e bukur dhe një profesion shumë elastik.

Ne dimë që pasioni juaj është motoçikleta, kur ka lindur kjo dashuri për të?

Kam qenë pak muajsh kur kam ndjerë erën në fytyrë për herë të parë, e kam fjalën për erën që fryn kur ti je mbi motor. Era, pastaj zhurma, pastaj aroma e benzinës së djegur që nxirrte JAWA e babait, më janë rrënjosur thellë që i vogël. Dashur padashur, është dhe pjesë e trashëgimisë që më ka lënë im atë.

Sot jeni 26 vjeç dhe duhet të keni ndryshuar shumë motorë apo jo?

Po, tani që e mendoj, shumë. Të parin e kam ngarë në moshën 8 vjeç, një mëngjes duke shkuar në shkollë. Për t’i rënë në sy shokëve i them gjyshit “Kalo mbrapa, e ngas unë”. Ishte një Garelli 50 kubikësh. Mbasandaj erdhën Vespa 75CC, Piaggio Ciao, JAWA 250 (modeli 559, si ata të kooperativës), CZ-Cagiva 125, Honda Rebel 250, Honda Dominator NX-650 dhe shpresojmë së shpejti dhe një KTM RC390. Miq të ndryshëm më kanë dhënë mundësinë për të provuar Harley-Davidson Fat Boy, BMW R-1200GS, Yamaha XT, por këto rrallë pasi përgjegjësia është e madhe.

Dhe sa motora keni gjithsej tani në shtëpi?
Në garazhin e shtëpisë flenë 5 motoçikleta që presin për t’u restauruar.

Cilin nga ata pëlqeni më shumë?

Po ndjehem si një prind që e pyesin “Cilin fëmijë do më shumë?” (Qesh). Me të gjithë kam kujtime, por mbi të gjithë do të veçoja JAWA-n, motorin tim të parë të vërtetë. Atë e kam restauruar në moshën 15-16 vjeçare. Të shumta aventurat me të.

auloniiÇmenduria më e madhe që keni bërë mbi një motor?
13 vjeç, Vespa, e sapo rregulluar që ngrihet me rrotë të parë. Gati-gati humbas kontrollin e përballë meje një grup i madh njerëzish që ktheheshin me autobus nga punët dhe shkollat. Rrezikova veten dhe shumë të tjerë. Diçka që nuk do ta përsërisja kurrë. Në lagje është folur shumë ato ditë për… “Djalin e Hektorit”.

Ju jeni pjesë e një konkursi botëror për të fituar një motor, na shpjegoni pak më shumë për këtë garë virtuale?
“KTM of Austria” për të promovuar serinë e saj më të re të motorëve të rrugës dhe pistës, organizon një konkurs botëror me foto dhe video. Çdo 2 javë shpallet një temë të cilën garuesit e interpretojnë sipas mënyrës së tyre, duke treguar sa për veten sa për pasionin për motorët. Vendi i parë, i cili shpallet me 26 tetor të këtij viti, do të fitoje përveç një motoçiklete sportive KTM RC390, mundësinë për të udhëtuar në Austri për t’u përgatitur si pilot në pistë. Stërvitja do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e personelit teknik të KTM dhe nëse ata zbulojnë se je talent, të mbajnë atje për të garuar për ta. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij çmimi është gjithashtu e drejta për t’u bërë imazh botëror i kompanisë, si fillim me anë të një videoje. Për momentin unë jam i vetmi shqiptar që marr pjesë aty. Me ndihmën e miqve nga Kosova, Shqipëria e me gjerë, kam arritur të zë vendin e parë, pozicion që do të punoj për ta mbajtur deri në fund.

Cilat nga këto kategori ju tërheq më shumë?

Të gjitha janë interesante. Trajnimi në pistë mendoj do të më bëjë një drejtues më të kujdesshëm dhe me të sigurt në rrugë, si për vete ashtu dhe për pasagjerin. Si imazh i KTM do të më krijohen mundësi për të udhëtuar e për të takuar njerëz nga gjithë bota. Motoçikleta pastaj, ëndërr më vete; qershiza mbi tortë.

Shpresoni ta fitoni?
Shpresoj, e dëshiroj dhe po punoj për të. Deri tani gjasat janë të mira, por do të më duhet shumë mbështetje.

Sa i rëndësishëm është për ju ky konkurs?
Shumë, për mundësitë që do të më krijojë dhe për imazhin e Shqipërisë në një sport ku nuk është përmendur ndonjëherë më parë. Shpresoj gjithashtu të nxis shumë motoçiklistë ta vizitojnë vendin tonë, sidomos ata të cross-it, pasi për këtë disiplinë kemi një terren të përsosur.

Nëse do e fitoni… çfarë ndodh?
Gjëja e parë që duhet të bëj: Të gjej një mënyrë për të falënderuar gjithë mbështetësit e mi. Pa ta nuk mund të ketë fitore.

558187_10151064572609591_192959159_nProfesion vs pasion

“Motorin nuk e tradhtoj me makinën, por ndonjëherë do të më duhet të flirtoj me të”!

Aulon Harizaj ka pasion fotografinë, grafikën, po ashtu edhe djalë… reklamash. Nëse i sheh me vëmendje spotet televiziveve fytyrën e tij mund ta shquash diku. Sigurisht pa ju ndarë motorit edhe aty. Si profesion ka zgjedhur Inxhinierin e Ndërtimit dhe për pasion dy-rrotakët. Por teksa e pyesim se çfarë e lidh profesionin e tij me motorin, ai argumenton: “Lëvizshmëria. Me një motoçikletë, inxhinieri mund të lëvizë me shpejtësi nga studio në kantier, nga furnitorët te klientët, duke u bërë i kudondodhur. Mendoj se është një transport shumë argëtues e duke qenë një mjet dinamik një mënyrë për të mbledhur kreativitet dhe energji pozitive”. Nuk e dimë sa i vendosur mund të jetë Auloni për të qëndruar deri në fund me motorin apo biçikletën ndaj kuriozitetit tonë nëse do i qëndronte gjithmonë besnik motorit, apo nëse do e tradhtonte ndonjëherë më makinën, Auloni duke qeshur na siguron se “98% e transportit tim është e bazuar në dy rrotat, motor ose biçikletë. Sigurisht që nuk do e tradhtoj me makinën, por ndonjëherë do të më duhet të flirtoj me të”.

Share This Article
3 Comments
  • TA MBESHTESIM GARUESIN E MADH NGA VLORA E SHQIPERISE , VENDIT KU GJAKU ZJEN PER FITORE DHE LARTESIM TE SHQIPTARIT NE BOTE……!

    NDJEHEMI JO VETEM TE LUMTUR QE KRYESON GAREN TANI SI I PADISKURUESHEM POR EDHE KRENARE SEPSE PO NGRIHET PER DITE E ME LART FLAMURI I SHQIPES.

    MBESHTETENI ZERIN E SHQIPES TE NDJEHET SOT KUDO, SE BURIMI DHE FORCA ENERGJISE VITALE E NJE POPULLI SI NE ESHTE SI PROCESI ZINXHIR I PRODHIMIT TE URANIUMIT QE SA SHIKOJME SIMBOLIN KOMBETAR FLAMURIN E SHQIPES BETOHEMI DHE LUFTOJME PER TE ….

    ESHTE MOTIVI DHE RASTI PER FITORE EDHE NJE HERE , PRANDAJ EDHE JU QE SHKRUANI E PUBLIKONI DHE QE KENI VLERESIMIN MAKSIMAL PER RASTE TE TILLA, VOTONI PER SHIPTARIN AULON HARIZAJ (Votojeni ne 2 figurat ku kerkohet vota juaj)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *