Një tregim për një rrugë…

redaktor

E nderuara “DITA”! Të nderuar redaktorë! Shkak për t’ju shkruar u bë një ftesë për një dasmë në qytetin e Kurbneshit. Interesohem dhe marr një makinë e nisem. Meqenëse makina ishte e vogël, personat që takonim dhe i pyesnim se a është e vështire rruga, ato na përgjigjeshin se e keni të vështirë kalimin pasi rruga është shumë e dëmtuar. Megjithatë ne vazhdonim rrugën.

Deri në rrugën që kthen për në fshatin Urakë, në drejtim të rrugës së vjetër për Burrel nga Rrësheni, rruga është shumë e rregullt, pra e përmasave europiane, por nga aty e deri në Kurbnesh vazhdonte rruga krejt e dëmtuar që përbehej prej rreth 24 km distancë.

E gjithë distanca të paraqet vështirësi udhëtimi, pasi në çdo metër të paraqiteshin gropa që përfshinin gjysmën e rrugës, gurë të ndryshëm që mbulonin rrugën, kurrize të rrugës që detyroheshe t’u shmangeshe si dhe kanale të ndryshme që këpusnin rrugën dhe nga çasti në çast, po të mos tregoje kujdes mund të përfundoje në greminë dhe nuk bëhej fjalë për rregullime ose vënie dore nga dikush për mirëmbajtje të kësaj rruge.

E dimë se në qarkun Lezhë që mbulon dhe Mirditën ekziston një brigadë punëtore e mirëmbajtjes për rrugët rurale, por me sa shihet, në këtë rrugë që mbulon me dhjetëra fshatra, as që është menduar për të vënë dorë. Sipas ligjit për pushtetin vendor, të paktën kryetari i komunës është edhe anëtar i këshillit të Qarkut për të cilën Ai duhej të kishte ngritur zërin me këmbëngulje në këtë qark për mirëmbajtjen e kësaj rruge për t’u justifikuar të paktën para votuesve të tij, në të kundërtën rruga nuk do të ishte në këtë gjendje. Jo për nostalgji, por kjo rrugë ka qenë e përmasave kombëtare ku sot janë dëshmitarë vetëm disa gurë kilometrikë.

E hapur që në vitin 1959 për nevojat e ekonomisë së vendit, për transportimin e mineraleve të bakrit dhe të lëndës drusore, por hapja e kësaj rruge ka qenë ëndërr shekullore për banorët e kësaj zone tepër të thellë malore. Në këtë rrugë udhëtonin automjete të tonazheve të rënda dhe me rimorkë, bile në disa raste e përshkonin edhe dy herë në ditë, por që mirëmbahej dhe kanë qenë shumë të pakta aksidentet automobilistike. Është shkruar disa herë që rregullimi në përmasat e duhura dhe asfaltimi i kësaj rruge do të sillnin dhe përfitime kurative, pasi në këtë zonë pak km mbi Kurbnesh ndodhet Uji i Bardhë që është me vlera mjekësore.

Po në këtë rrugë vazhdon disa km më tej dhe drejtimi për tek liqenet e Lurës që janë me vlera turistike për këtë zonë. Po të jetë rruga e rregullt është e mundur që ndonjë biznesmen të interesohet për këto vlera të padiskutueshme në të mirë të komunitetit në zonat rurale. Prandaj të nderuar pushtetarë, me rastin e reformës administrative krijoni mundësinë që edhe kjo rrugë të shkojë në përmasat e duhura ku të përfitohet çfarë është e mundur për këtë zonë. Megjithëse janë zhvendosur shumë banorë, bile dhe gjendja civile nuk funksionon në qendrën e komunës Selitë me qendër në Kurbnesh, gjë që vështirëson shërbimin ndaj asaj pak popullate që jeton akoma atje. E themi me bindje se infrastruktura është edhe kulturë, edhe ekonomi. Prandaj o sot o kurrë!

 

Letër e nënshkruar

Pjetër Bubaj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *